1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Në tehun e thikës - Lufta e Obamës kundër El Kaidës

Presidenti i SHBA-së ka urdhëruar ndryshime të gjera në të gjitha fushat e sigurisë kombëtare: kontrolle më rrepta në aeroporte dhe punë konsekuente nga shëbimet sekrete.

Më shumë siguri por jo flijim i lirive - Presidenti Barack Obama gjatë konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë. 7.1.2010

Më shumë siguri por jo flijim i lirive - Presidenti Barack Obama gjatë konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë. 7.1.2010

Në daljen e tij të tretë para publikut që prej atentatit të dështuar të 25 dhjetorit, Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, bëri të qartë se kombi ndodhet në luftë. Po për Obamën kjo nuk është një luftë kundër konceptit abstrakt “terrorizëm”, ai ka identifikuar një armik konkret.

“Ne ndodhemi në luftë kundër El Kaidës, një rrjet i gjerë dhune dhe urrejtjeje, që na sulmoi më 11 shtator dhe ka vrarë gati 3.000 persona. Në fshehtësi planifikon të na sulmojë përsëri”, u shpreh Obama.

Masat antiterror të qeverisë Obama, më të rrepta se ato të qeverisë Bush

Presidenti deklaroi se qeveria e tij do të bëjë gjithçka për ta mposhtur këtë armik. Kështu ai iu përgjigj para së gjithash kritikës së republikanëve përreth ish-zëvendëspresidentit Dick Cheney. Cheney kishte deklaruar se Obama sillej sikur kombi të mos ishte në luftë. Për këtë arsye, paralajmëronte Cheney, vendi është më pak i sigurtë sesa nën qeverinë Bush. Aktualisht Obama në dukje po vepron ndryshe nga paraardhësi i tij, thotë Ken Gude, ekspert për sigurinë kombëtare në Qendrën e Progresit Amerikan në Uashington: "Qeveria e Obamës prezantohet qëllimisht shumë e përmbajtur në publik kur është fjala për terrorizmin. Por do të ishte një gabim nëse paraqitja e qetë dhe gjakftohtë e presidentit përballë publikut amerikan do të barazohej me veprimtarinë e qeverisë. Masat e qeverisë së Obamës janë madje më agresive se sa të qeverisë së Bushit kur është fjala për luftimin e terrorizmit dhe El Kaidës”.

Kështu sulmet me avionë pa pilotë ndaj terroristëve në Pakistan, u përforcuan ashtu si dhe mbështetja financiare dhe logjistike në luftën kundër terrorizmit për qeverinë jemenite. Numri i ushtarëve amerikanë që do të luftojnë në Afganistan kundër El Kaidës, nën presidencën e Obamës do të trefishohet.

U nënvleftësua rreziku i krahut të EL Kaidës në Gadishullin Arabik

Të gjitha këto masa e kishin bërë El Kaidën të kalonte në mbrojtje, mendon Ken Gude. Megjithatë, atentati i dështuar në natën e Krishtlindjeve zbuloi se shërbimet sekrete amerikane kanë nënvleftësuar kundërshtarin e tyre. Ata nuk njohën rrezikun që kanosej nga grupi i El Kaidës në Gadishullin Arabik, i cili, sipas John Brennan, është krahu i zgjatur i qendrës së El Kaidës në Pakistan. Kjo, për këshilltarin e Obamës për sektorin antiterror, është një dështim i madh.

Këshilltari për luftën antiterror në Shtëpinë e Bardhë, John Brennan, majtas, dhe ministrja për Mbrojtjen e Atdheut, Janet Napolitano.

Këshilltari për luftën antiterror në Shtëpinë e Bardhë, John Brennan, majtas, dhe ministrja për Mbrojtjen e Atdheut, Janet Napolitano.

Krahas ndryshimeve që presidenti ka urdhëruar në bashkëpunim me shërbimet sekrete, është edhe siguria e avionëve. Por: „Një zgjidhje optimale për të siguruar mijëra fluturimet për në SHBA dhe brenda saj nuk ka“, deklaroi Presidenti Obama . “Për këtë janë të nevojshme investime të rëndësishme në shumë fusha.“

Këshilltari i Obamës, Brennan, fundjavën e kaluar (2.1.) shpjegoi se ai nuk është i sigurtë nëse për shembull një skaner për trupin do të kishte zbuluar një lëndë shpërthyese, të vendosur në të brendshmet e atentatorit të dështuar. Ministrja për mbrojtjen e atdheut, Janet Napolitano, tha, se qysh para tentativës për atentat ishte planifikuar që krahas 40 skanerave ekzistues, në aeroportet amerikane këtë vit të instaloheshin edhe 300 të tjera. Tani do të shqyrtohet nëse ky numër do të duhet të shtohet:

“Masat e sigurisë kanë shumë aspekte. Janë aparatet më të reja me rreze rëntgen, detektorë metali, aparate teknike me të cilën zbulohet lënda eksplozive, përdorimi i qenve nuhatës, punonjësit që analizojnë sjelljet, një prani më e madhe e policisë edhe me veshje civile. Të gjitha këto masa do t'i përforcojmë pas incidentit të fundit", u shpreh Napolitano.

'Jo' flijimit të lirive të shoqërisë së hapur për hir të sigurisë

Këtyre masave i takon automatikisht edhe kontrolli mjaft i imët i pasagjerëve nga vendet të caktuara. Një masë kjo, e cila nga vështrimi i ekspertëve të sigurisë si Edward Alden nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë, shihet me dyshim. „Për më tepër këto masa kanë pasoja të konsiderueshme negative në planin ekonomik dhe diplomatik“, mendon Alden.

Kuba dhe Nigeria kanë protestuar që tani zyrtarisht pasi qytetarët e tyre ndodhen në listën e zezë.

Presidenti Obama kërkoi nga shërbimi sekret një punë më të mirë në të ardhmen. Njëherë për njëherë, ai ka urdhëruar megjithatë kontrollin e kontestuar në varësi të kombësisë.

Në të njëjtë kohë ai paralajmëroi edhe për rrezikun e një mentaliti izolimi, i cili flijon liritë e shoqërisë së hapur: „Kjo është ajo çfarë duan armiqtë tanë por përsa kohë unë jam president, ne nuk do t'u japim kurrë kënaqësinë e këtij suksesi.“

Barack Obama u përpoq kështu nga njëra anë të demonstrojë forcë dhe t'i rrëzojë argumentet e kritikëve të tij, por nga ana tjetër edhe të mos përhapë panik.

Autor: Christina Bergmann / Mimoza Cika-Kelmendi

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 08.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LOuj
  • Data 08.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LOuj