1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Në të gjithë botën përkujtohet 11 shtatori

Dhjetë vjet pas sulmeve të papara terroriste në Nju Jork dhe Uashington si dhe në shumë vende të botës këtë të diel me shumë aktivitete do të përkujtohet 11 shtatori.

Memoriali për viktimat e 11 shtatorit në Nju Jork

Memoriali për viktimat e 11 shtatorit në Nju Jork

Në "Ground Zero" në Nju Jork  në mbrëmje, në perëndim të diellit dy rreze të gjata drite në formë kolonash do të rrezatojnë në qiell, si shenjë kujtimi për dy kulllat binjake të  shkatërruara  të Qendrës Botërore të Tregtisë. Terroristët islamikë para dhjetë vjetës shkaktuan vdekjen e rreth 3000 njerëzve kur sulmuan me avionët e rrëmbyer kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë. Një avion tjetër i rrëmbyer u rrëzua në Pensilvani.  

Motoja në Gjermani: bashkëjetesë mes feve

Në Gjermani aktivitetet përkujtimore me këtë rast do të zhvillohen nën moton për një bashkëjetesë paqësore mes feve. Presidenti Christian Wulff fillimisht do të shkojë së bashku me ambasadorin amerikan Philip D. Marphy në kishën amerikane në Berlin. Më pas ai është mysafir në një aktivitet tjetër përkujtimor në takimin paqësor të përvitshëm  në shoqatën Sant Egidio  në Mynih.  Atje do të ndiqet drejtpërsëdrejti aktiviteti "Ground Zero" në Nju Jork.

Me një meshë në katedralen St. Patrick në Manhatten zjarrfikësit e Nju Jorkut do të përkujtojnë shokët e tyre që humbën jetën nga këto sulme. Me uniformën e  tyre të punës të veshur ata do të vendosin  në shenjë kujtimi për ata 343 flamuj amerikanë në kishë - një për çdo zjarrfikës të vdekur.

Në falimin e tij të përjavshëm në radio, Obama u shpreh i kënaqur në luftën kundër terrorizmit. "Shtetet e Bashkuara janë më të forta dhe Al Kaida është në rrugën e mposhtjes. Osama bin Laden dhe udhëheqës të tjerë janë vrarë, ndërsa forcat speciale të sigurimit amerikanë janë më të forta dhe siguria në SHBA është përmirësuar, tha për argumentim. Edhe bashkëpunimi me aleatët dhe patnerët në luftën kundër terrorizmit është më i ngushtë.  «Ata donin të na terrorizonin, por si amerikanë ne nuk pranojmë të jetojmë në frikë", tha Obama. Por në të njëjtën kohë ai paralajmëroi  për rrezikun e kërcënimeve për sulme teroriste përsëri në SHBA. «Ne nuk bëjmë asnjë gabim. Ata do të përpiqen që të na sulmojnë përsëri". Prandaj Amerika edhe më tej vazhdon të jetë vigjilente, tha presidenti amerikan duke ju referuar kërcënimeve të fundit terroriste.

Shtohen masat e sigurisë

Ndërkohë forcat e sigurisë kanë shtuar masat si pasojë e frikës së sulmeve të mundshme terroriste në 10-vjetorin e tragjedisë së 11 shtatorit. Komisari i policisë së Nju Jorkut, Rei Kelli, tha se janë marrë masa sigurie shtesë, duke përfshirë pikat e kontrollit të makinave në Nju Jork, kontrollin e çantave në metro dhe ekipet me qenë specialë. Ai tha se policia e ka përqendruar veçanërisht vemendjen tek tunelet, urat dhe pikat kryesore të infrastrukturës, si dhe tek monumentet, ndërtesat qeveritare dhe objektet e kultit. Ai bëri të ditur gjithashtu se do të ketë më shumë policë me shërbim gjatë ditëve të ardhëshme.

Ministrja e Jashtme amerikane Hillary Clinton në prag të përvjetorit të dhjetë të sulmeve të 11 shtatorit është shprehur për luftën e SHBA-së kundër terrorizmit. Ajo tha ditën e premte:

"Ne kemi bërë gjatë dhjetë viteve të fundit hapa të rëndësishëm. Qeveria jonë është organizuar mirë. Mbrojtja jonë është më mirë se më 11 shtator 2001, por ende ka vazhdimisht kërcënime të vërteta siç ne i kemi parë sot. Ka ende shumë për të bërë".

Pas planeve aktuale të sulmeve fshihet përsëri Al Kaeda, tha Clinton-i. Megjithatë  është e mundur që çdo atentat i planifikuar të pengohet, Al Kaeda me siguri mund të godasë përsëri në çdo  kohë, paralajmëroi ajo. Masat që duhen marrë kundër terrorizmit ajo i shprehu në këtë mënyrë:

“Për të mposhtur vërtet një rrjet terrorist, ne duhet të sulmojmë financimin e tij, rekrutimin e  pasardhësve të tij dhe vendet e sigurta të strehimit të tij. Ne duhet të merremi me ideologjinë e ekstremistëve, ne duhet t'i kundërvihemi propogandës së tyre dhe ne duhet të zvogëlojmë aktivitetin e tyre. Kështu të gjitha shoqëritë do ta kuptojnë që terroristët përbëjnë një kërcënim për ata dhe ata do t'i refuzojnë  atyre mbrojtjen dhe mbështetjen. Ne kemi nevojë për partnerë të fortë ndërkombëtarë në qeveritë dhe shoqëritë civile, të cilët do t'i ndërmerrnin këto përpjekje kudo ku veprojnë terroristët". 

Autor: Mimoza Cika-Kelmendi (dpa, dw, euronews)

Redaktoi: Auron Dodi