1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Në Siri vazhdon gjakderdhja - Reagime të ashpra ndërkombëtare

Forcat siriane qëlluan të shtunën ndaj kortezhit të përmortshëm të të vrarëve të premten e përgjakshme në Siri. Tre opozitarë humbën jetën. Pas gjakderdhjes ka pasur reagime të indinjuara në shkallë ndërkombëtare.

default

Protesta pas faljes së të premtes në Siri

Presidenti amerikan, Barack Obama ka dënuar "në mënyrën më të ashpër" dhunën brutale kundër demonstruesve. Në deklaratën e tij thuhet qartë: "Ne kërkojmë që presidenti Assad të ndryshojë kursin dhe të respektojë të drejtat dhe aspiratat e popullit të tij." Obama ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të "përdorimit të shëmtuar të dhunës kundër protestave". Presidenti i Sirisë Bashar al-Assad po i lejon vetes që të mbështetet nga Irani për të nënshtruar popullin e vet, akuzoi Obama. Presidenti amerikan i referohet si duket burimeve sipas së cilave, Siria po përdor edhe teknikë iraniane për spiunimin e opozitës.

Njerëzit nuk gënjehen më me premtime boshe

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të dhunës dhe respektimin e të drejtave të njeriut, kumtoi një zëdhënës i tij në New York. Ban ka kërkuar një hetim transparent të goditjeve vdekjeprurëse, tha zëdhënësi i tij. Autoritetet siriane duhet të respektojnë të drejtat e njeriut, të drejtën për lirinë e fjalës dhe grumbullimit, si edhe atë për një shtyp të lirë, ka theksuar Ban.

Syria.jpg

Pamje nga protestat

Dhunën kundër demonstruesve paqësorë e ka dënuar edhe Parlamenti Evropian. "Gjakderdhja" duhet ndalet menjëherë, po ashtu si "arrestimet pa dallim, vrasjet dhe torturat" kërkoi presidenti i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek. Njerëzit nuk gënjehen më me "premtime boshe", tha ai. "Regjimi i Sirisë duhet t'i kuptojë më në fund shenjat e kohës dhe t'i vërë në jetë reformat e premtuara", tha Buzek. Ministria e Jashtme franceze i kërkoi Damaskut të fillojë dialogun me opozitën dhe të hapë udhën e reformave demokratike.

E premtja e zezë për Sirinë

Edhe të shtunë pati të vrarë.Sipas të dhënave të dëshmitarëve okularë focat e sigurimit në Siri kanë hapur zjarr ndaj kortezhit të përmortshëm të demonstrantëve të vrarë ditën e premte. Me këtë rast janë vrarë në afërsi të Damaskut tre opozitarë, njoftuan agjencitë e lajmeve. Trupat siriane të sigurisë vepruan të premten me brutalitetin më të madh kundër undërshtarëve të qeverisë, të cilët dolën me mijëra nëpër rrugë pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme, e cila ishte në fuqi për gati 50 vjet me radhë. Numri i të vrarëve gjatë protestave të së premtes është rritur në mënyrë dramatike. Sipas të dhënave të grupeve opozitare, janë vrarë të paktën 88 persona. Kjo e premte ishte dita më e përgjakshme, që prej fillimit të protestave kundër regjimit të Assadit, para një muaji. Forcat policore kanë përdorur kundër demonstruesve gaz lotsjellës dhe armë zjarri. Ndërkohë që snajperistët kanë qëlluar prej çative të shtëpive.

Autor: AG/Lindita Arapi

Redaktoi: Bahri Cani

DW.COM