1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në Shqipëri produktet e stinës importohen me çmime të larta

Dukuria nuk është thjesht pjesë e krizës ekonomike, por dhe një pamundësi konkurence në kushtet, kur mjaft prodhime OMGJ hyjnë në Shqipëri me çmime konkurruese në raport me prodhimet vendase.

default

Treg në një rrugë në Shqipëri

Në tregjet e jugut të vendit, këtë sezon do të gjesh me shumicë perime – zarzavate e fruta të importit. Ajo, që çudit, është çmimi tyre. P.sh. një kilogram bamje kushton një euro, kur në Greqinë fqinje është dy ose dy e gjysëm. Një kilogram mollë është po një euro, kur në vendin fqinj është rreth dy euro. Po kështu qepa, vishnjet, portokallet, luleshtrydhet etj.

Shumica e prodhimeve bujqësore vijnë nga eksporti

Kryetari shoqatës për mbrotjen e konsumatorëve, Ermir Asllani, evidenton fenomenin duke thënë: "Këtu pjesën më të madhe e zënë prodhimet e Maqedonisë, Greqisë etj, ndoshta edhe të Bullgarisë. Ne vëmë re se cilësia e tyre është vazhdimisht e ulët dhe kjo duket që në vetë çmimet. Kur çmimi në Shqipëri është gati sa gjysma e çmimit në Greqi etj, kuptohet që kualiteti tyre është jashtëzakonisht i ulët."
Në të vërtetë jugu i vendit për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore, që e lidh me Shqipërinë e mesme e të veriut, preferon që prodhimet t''i marrë nga fqinjët. Gjithashtu mijëra hektarë tokë janë djerrë e të papunuara.

Kostoja e punimeve bujqësore për fshatarin vendas është shumë e lartë

Inspektori në Drejtorinë rajonale të bujqësisë e ushqimit Vangjel Ferra pohon se: "Sigurisht që qarku i Gjirokastrës është nga qarqet më të prekura nga emigracioni, ku një numër i madh fermerësh kanë ikur jashtë shtetit. Faktikisht mbeten toka djerrë çdo vit".
Dhe ata pak fermerë që merren me prodhimet e stinës janë të pakënaqur nga mungesa e infrastrukturës mbështetëse dhe konkurenca e tregëtarëve. Fermeri Vangjel Cabiri thotë se për ta nxjerrë prodhimin nga fshati në qytet do gati gjysëm dite dhe ..."Kostua e punimeve bujqësore është shumë e lartë. Ne nuk e përballojmë dot. Ta punojmë me krahë nuk na del hesapi. E dyta ne prodhojmë, por na konkuron tregu i jashtëm. Nuk kemi ku ta shpiem. Të punojmë kot, përse të punojmë?”
Eksperti i bujqësisë Tomor Shehu këtij fakti i shton edhe një të vërtetë të hidhur. Prodhimet e zonës nuk mund të jenë cilësore, pasi sipas tij: “Farërat kanë degjeneruar. Nuk ka më fara elite, nuk ka më fara cilësore. Nuk punohet më shkencërisht. Kur themi nuk punohet shkencërisht, sot nuk ka një bazë eksperimentale.

Tregtarët kanë gjetur rrugën e fitimit me prodhime nga importi

Po sa kontroll ka në pikëkalimet kufitare? Përgjegjësja e kontrollit ushqimor në drejtorinë rajonale të bujqësisë e ushqimit Gjirokastër, Antonela Lena, pohon se Shqipëria në kuadër të marrëveshjes së asocim–stabilizimit ka nënshkruar 11 pikat e konventës europiane për mbrojtjen e konsumatorëve. Por megjithatë në pikëkalimet kufitare jugore prodhimet e importit ..."nuk i nënshtrohen kontrollit doganor, si rrjedhojë as atij të inspektoriatit të drejtorisë së bujqësisë e ushqimit, si rrjedhojë këto futen jo vetëm pa kontroll duke mos ju nënshtruar asnjë analize, sidomos ato, që paraqesin më shumë rrezikshmëri, mallrat me origjinë shtazore."

Kontrolli i produkteve të importit lë për të dëshiruar

Askush nuk e di saktësisht, se cila është cilësia e vërtetë e produkteve, që vijnë nga importi në Shqipëri. Ndaj Kryetari shoqatës rajonale në Gjirokastër për mbrojtjen e konsumatorëve, Ermir Asllani, pohon ...."rrezik i madh është futja e OMGJ, të cilat janë të dëmshme për shëndetin e njeriut dhe mendohet që në të ardhmen të reduktohen. Por meqë malli, që vjen nga jashtë, nuk është i shoqëruar me çertifikata, ne sot jemi të rrezikuar.”

Autor: Odise Kote
Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 19.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OOxi
  • Data 19.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OOxi