1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Në SHBA më ftohtë se në Polin e Jugut

Ndërsa Europa Qendrore pret dimrin e vërtetë, pjesë të tëra të SHBA vuajnë nga një i ftohtë, që konsiderohet më i ashpri që prej 20 vjetësh. Temperaturat arktike arrijnë tani në verilindje.

Termometri në shumë pjesë të vendit do të arrijë vlerat më të ulëta që prej dy dekadash, njoftoi Shërbimi Meteorologjik Kombëtar. Në Nju Jork pritet një rënie temperature prej dymbëdhjetë gradë celsius në minus 14 gradë brenda 24 orëve. Gjithashtu në shtetet e New England autoritetet i bënë thirrje popullsisë që të përgatitet për një të ftohtë të egër dhe stuhi të akullta ere.

Shkallët nën zero në disa pjesë të vendit kanë qenë më të ulëta se në Polin e Jugut. Kështu të hënën në Montana pati temperatura prej minus 53 gradë celsius, në Polin e Jugut temperatura ishte minus 34 gradë. Në Çikago temperaturat e perceptuara ishin minus 39 gradë, në Mineapolis, shteti federal Minesota, u mat temperatura minus 41 gradë. Dhe do të bëhet edhe më e ftohtë, deri në minus 50 gradë.

Paralizohet jeta publike

Duke patur parasysh temperaturat e ultëa dhe erën e akullt, shërbimi Meteorologjik Kombëtar porositi të kihet kujdes nga kushtet „e rrezikshme për jetën“, të cilat brenda pak minutash mund të shkaktojnë ngrirje dhe hipotermi. Autoritetet i bënë thirrje popullsisë në rajonet e prekura, që të grumbullojnë ushqime dhe të dalin nga shtëpia vetëm në raste urgjente.

Në Midwest dhe verilindje të vendit bora dhe akulli paralizuan jetën publike. Vetëm të hënën u anuluan më shumë se 4.300 fluturime, 6.500 fluturime të tjera u shtynë, njoftoi faqja e interneit flightaware.com. Shkollat ​​dhe institucionet publike mbetën të mbyllura.

Banorët prorositen të mos dalin nga shtëpitë.

Banorët prorositen të mos dalin nga shtëpitë.

Ndërkohë vala e ​të ftohtit ka prekur edhe fluturimin në hapësirë. Siç njoftoi agjencia e fluturimeve në hapësirë, NASA, nisja e anijes private kozmike "Cygnus" për në stacionin ndërkombëtar të hapësirës është shtyrë për të paktën një ditë për shkak të temperaturave shumë të ulëta. Ajo duhet të niset tani të mërkurën prej bazës së fluturimeve në hapësirë Wallops Flight Facility në shtetin amerikan të Virxhinias.

Edhe Teksasi do të dridhet

Një vorbull gjigante ajri mbi Kanada krijon trysni dhe shtyp ajrin polar, qö ndodhet ndërkohë mbi Shtetet e Bashkuara. Të ftohtët e hidhur pritet të mbërthejë në ditët e ardhshme pjesë të tëra të vendit në lindje të Rocky Mountains. Erërat e akullta do të ndihen në kufirin meksikan në Teksasit dhe madje edhe në shtetin me diell të Floridës, deklaruan meteorologët. Sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik termometri në shumë vende do të bjerë në nivelet më të ulëta prej dy dekadash.

Meteorologët porositën nga rreziku i dëmtimit serioz të drithërave, veçanërisht në shtete Kansas dhe Nebraska, që konsiderohen hambarët e SHBA. Edhe bagëtitë janë të rrezikuara.

Një rënie e tillë e temperaturës është shumë, shumë e rrallë. Gjithsej më shumë se 140 milionë amerikanë u prekën të hënën nga vala e të ftohtit, më shumë se një e treta e vendit. Në Atlanta në shtetin jugor Georgia të hënën në mëngjes ka qenë më ftohtë se në kryeqytetin rus Moskë. Meteorologët parashikojnë se kjo valë e ftohtë do të zgjasë të paktën deri në mes të javës.