1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Në shënjestër Afganistani i Jugut - NATO përgatit ofensivën në Kandahar

Në shkurt trupat afgane dhe amerikane u morën talebanëve kontrollin në distriktin Marja në Helmand. Operacioni në Marja ishte vetëm një provë e për një detyrë edhe më të vështirë, dëbimin talebanëve nga Kandahari në jug.

default

Ushtarë afganë përgatiten për operacionin ushtarak në jug

Ka muaj që flitet për një ofensivë të madhe në Kandahar. Njësitë speciale amerikane kanë zgjeruar aktivitetet e tyre kundër liderëve lokalë të talebanëve.

Këshilltari i presidentit amerikan për çështje të sigurisë dhe ish kryekomandanti i NATO-s, James Jones, foli para gazetarëve amerikanë për një monet të rëndësishëm strategjik në historinë e misionit në Afganistan. Me një ofensivë të përmasave të mëdha në provincën Kandahar ISAF-i do t'u marrë atje pushtetin talebanëve. Kandahari njihet si bastion i luftëtarëve radikalë islamistë. Në shumë aspekte ofensiva e Kandaharit do të jetë e ngjashme me atë të kaluarën në Helmand, paralajmëroi komandanti i ISAF-it, Stanley McChrystal. Bëhet fjalë për vendosjen e një udhëheqje më të mirë qeverisëse dhe për më shumë siguri për popullatën, në mënyrë që ajo të lëvizë lirisht dhe të jetojë jetën e saj:

Barack Obama in Afganistan

Presidenti amerikan Obama te trupat amerikane në Afganistan

30.000 ushtarë shtesë dërgon presidenti amerikan Barack Obama në Afganistan. Përforcime edhe për ofensivën e planifikuar në Kandahar. Talebanët janë aktivë në qytetin Kandahar dhe në disa qarqe përreth qytetit, andaj ne duhet të ndërrmarrim diçka, thotë gjenerali McChrystal:

Ai nuk pret ndonjë "betejë të madhe për Kandaharin", vazhdon McChrystal. Ai mendon se luftime do të ketë në disa vende të ndryshme, ku talebanët luftojnë për të shtrirë ndikimin e tyre. Po ashtu sa i përket qytetit Aleanca Veriatlantike, NATO, nuk pret ndonjë ndonjë luftë frontale të ngjashme me atë të amerikanëve në qytetet irakiane Falluxha, apo Bagdat. McChrystal thekson se ISAF-i do të marrë kontrollin lagje pas lagjeje, në mënyrë që siguria të përmirësohet dalëngadalë, por në mënyrë të vazhdueshme.

Kandahari është vend i origjinës së Pashtunëve

Vendimtare është që trupat mos të tërhiqen më prej zonave, nga do të dëbohen luftëtarët talebanë. Duhet të vlejë i njëti rregull si në Helmand. Atje ku shkojmë, aty mbetemi dhe aty, ku ne jemi do të ndërtohet. Kandahari është vend i origjinës së Pashtunëve. Shumica e fiseve të këtij grupi të madh etnik në Afganistan janë shumë besimtarë dhe konservatorë. Pikëpamjet e tyre për botën janë në shumicën e rasteve më të afërta me ato të talebanëve se sa me ato të perëndimit. Talebanët rekrutojnë këtu shumicën e luftëtarëve të tyre.

Ahmed Wali Karzai Bruder des afghanischen Präsidenten Hamid Karzai

Ahmed Wali Karzai (djathtas)vëlla i Presidentit afgan Hamid Karzai, guvernator i provincës

Nga ndihmat ndërkombëtare pashtunët kanë fituar deri tani më së paku, ndërkohë që numri më i madh i viktimave të misionit të deritanishëm është nga radhët e tyre. Presidenti afgan Hamid Karzai është pashtun, ai vjen nga Kandahari, një gjysëmvëlla i tij është guvernator i provincës. Nën udhëheqjen e tij lulëzon korrupsioni dhe Kandahari është kthyer në qendër të tregtisë me opium. Ndikimi i qeverisë qendrore dhe presidentit nuk vërehet shumë në rajon. Me sulmet verbale kundër perëndimit Karzai provoi javët e kaluara që të fitojë simpatinë e afganëve. Edhe në një mbledhje me rreth 1000 të moshuarit e fiseve në Kandahar ai provoi të prezantohet si avokat i interesave afgane dhe jo si marionetë e Perëndimit. Ai u premtoi njerëzve, se nëse ata nuk duan, atëherë nuk do të ketë asnjë operacion ushtarak të aleatëve në Kandahar. Bile aleatët ai i quajti "të huajt".

McChrystal nuk jep datë për fillimin e ofensivës

Mushtarak, në shqip "Bashkarisht" e pat quajtur ISAF-i ofensivën e tij në Helmand dhe bashkarisht me afganët amerikanët do të veprojnë edhe në Kandahar, së bashku me ushtarët e ushtrisë afgane në luftë kundër talebanëve dhe së bashku me presidentin Karzai në aktivitetin politik, nënvizon komandanti McChrystal. Ai nuk dëshiron të përmendë ndonjë datë të caktuar, se kur do të fillojë ofensiva. Por vëzhguesit spekulojnë se ofensiva mund të fillojë në qershor, apo të paktën aq me kohë, sa të përfundojë deri në fillim të muajit të agjërimit në gusht.

Autor: Ulrike Bosse/Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica