1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Në Romë filloi punimet konferenca e Kombeve të Bashkuara për krizën e urisë

Në Romë filloi të hënën (25.7.) një konferencë e OKB-së për krizën e urisë në Afrikën Lindore. Organizata Botërore e Ushqimit bëri thirrje për më shumë ndihma ndërkombëtare për njerëzitë e uritur në Kepin e Afrikës.

Pamje nga Somalia

Pamje nga Somalia

Nuk ishte parashikuar asnjëherë që thatësirat do të jenë me përmasa kaq të mëdha

Pamje nga një kamp në Mogadishu (23.07.2011)

Pamje nga një kamp në Mogadishu (23.07.2011)

Një katastrofë me vrull - kështu e përshkruan Angela Hinrichs nga Organizata Botërore e Bujqësisë (FAO) atë çfarë aktualisht po ndodh në Somali dhe në Kepin e Afrikës. Nga thatësirat ka kohë që është paralajmëruar por nuk është parashikuar asnjëherë që ato do të jenë të përmasave të tilla. Megjithatë rajoni po ballafaqohet edhe pa thatësirën me probleme të mëdha:

"Njerëzit në Kepin e Afrikës janë fermerë të vegjël të cilët jetojnë nga bujqësia dhe blegtoria, të cilët bëjnë pjesërisht jetë nomade, do të thotë se ata lëvizin edhe përtej kufijve të tyre. Në Kepin e Afrikës sigurimi i ushqimit arrihet shpesh me vështirësi edhe në vitet normale, popullata rritet me shpejtësi, pjesërisht duhet të prodhohet me shumë çka edhe ndodh por kjo nuk mjafton ende. Ka probleme me kullosat për kafshët, fermerët duhet gjithnjë të lëvizin nga një vend në vendin tjetër në kërkim të kullotave të reja për kafshët e tyre."

Pamje nga Kepi i Afrikës

Pamje nga Kepi i Afrikës

Kësaj i shtohen edhe çmimet në rritje për ushqim, të cilat godasin rëndë posaçërisht shtresën e varfër të popullsisë. Dhe në Somali gjendja politike është shumë e vështirë. Vendi qe 20 vjet nuk ka qeveri qendrore funksionale. Disa pjesë të vendit, përfshirë edhe ato të cilat janë prekur rëndë nga thatësira, kontrollohen nga milicët islamistë. Ata vazhdimisht pengojnë organizatat humanitare që të kryejnë punën e tyre.

Në Kepin e Afrikës nga katastrofa e thatësirës vuajnë mbi 11 milionë njerëz

Sipas Organizatës Botërore të Ushqimit (FAO) dhe Programit Botëror të Ushqimit (WFP), aktualisht janë 3.7 milionë njerëz në Somali të cilët kanë nevojë për ndihmë, gjithsej janë mbi 11 milionë njerëz në Kepin e Afrikës që vuajnë nga katastrofa e thatësirës. Në fundjavë (23./24.7.) përfaqësues të këtyre dy organizatave qëndruan në rajon për tu njoftuar për së afërmi me gjendjen e krijuar. Drejtoresha e Programit Botëror të Ushqimit, Jossete Sheeran ishte shumë e prekur nga përmasat e vuajtjeve të njerëzve atje:

Në foto, Josette Sheeran

Në foto, Josette Sheeran

"Unë kam parë dhjetëra fëmijë që nuk do të mbijetojnë. Dhe shumë nëna me të cilat kam biseduar, ishin detyruar të lënë fëmijët e tyre në rrugë, sepse ata ishin shumë të dobët për ta bërë atë. Ato duhej të merrnin këtë vendim në mënyrë që t'i shpëtojnë fëmijët e tjerë. Fëmijë të tjerë kanë vdekur në krahët e nënave të tyre dhe ato i kishin lënë ata në rrugë e sipër."

Kepi i Afrikës rrezikohet të humbas një gjeneratë të tërë fëmijësh

Thatësira ndikon kryesisht tek më të dobëtit, tek fëmijët. Me pasoja fatale për të ardhmen, thekson Sheeran:

Në pritje për të marrë një porcion ushqim

Në pritje për të marrë një porcion ushqim

"Ne e dimë nga studimet që kur lindin fëmijët e kanë të zhvilluar vetëm gjysmën e trurit të tyre, gjysma tjetër zhvillohet në tre vitet e para të jetës. Por në qoftë se ata ushqehen keq atëherë mund të vërehet dallimi nga një fëmijë i ushqyer mirë. Ne e dimë po ashtu se kjo është një gjë që nuk mund të përmirësohet më vonë. Prandaj paraqitet rreziku që në Kepin e Afrikës të humbasim një gjeneratë të tërë të fëmijëve, truri dhe trupi i të cilëve do të dëmohet për tërë jetën nëse ne nuk arrijmë që ata t'i furnizojmë me gjërat elementare ushqimore."

Një garë kjo kundër kohës. Megjithatë lajmi i mirë është se ndryshe nga për shembull pas tërmetit në rajon nuk duhet të fillojë gjithçka nga zeroja. Organizata Botërore e Ushqimit (FAO) thekson se tashmë në vend ekziston një strukturë ndihmëse. Por puna e kësaj strukture duhet të koordinohet më mirë në mënyrë që ndihma emergjente të arrijë më shpejt.

Prandaj në konferencën në Romë përfaqësuesit nga rreth 190 vende të botës po këshillohen se si mund të organizohet ndihma përtejkufitare. Kjo për faktin se përkrah Somalisë nga thatësirat janë prekur edhe vende të tjera si Kenia, Etiopia apo Uganda.

Autor: Daniela Stahl / Esat Ahmeti

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi

DW.COM

Audio dhe video për temën