1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Në rast se nuk ia del Obama, kush tjetër?

Gazetat e sotme gjermane kanë në qendër të vëmendjes fillimin e detyrës së presidentit të ri të SHBA-së, Barack Obama, dhe ceremoninë e betimit si president në Uashington

Barack Obama duke hyrë në Capitol bashkë me të shoqen Michelle Obama dhe zv. presidentin Joe Biden dhe të shoqen, Jill

Barack Obama duke hyrë në Capitol bashkë me të shoqen Michelle Obama dhe zv. presidentin Joe Biden dhe të shoqen, Jill

"Süddeutsche Zeitung" shkruan:

Nën moton "responsibility" po vihet në shërbim të popullit të tij një njeri, që edhe pse është në krye të amerikanëve admirohet dhe vlerësohet prej tyre. Miliona njerëz që ishin mbledhur për të ndjekur ceremoninë në Uashington, dëshmuan gatishmërinë për të ndjekur presidentin e ri. Ai që arrin të gjenerojë kaq shumë entuziazëm dhe pasues vullnetarë, ua bën të vështirë kundërshtarëve të SHBA-së. Perceptimi armiqësor i SHBA-së, i cili u nxit prej shumëkujt me shumë dëshirë dhe u shfrytëzua brutalisht prej terroritëve, nga sot nuk do të funksionojë më dot aq lehtë.

" Frankfurter Allgemeine Zeitung" vëren:

Fakti që Shtetet e Bashkuara të Amerikës zgjodhën për herë të parë në postin më të lartë të republikës një politikan me ngjyrë, është vërtet një dëshmi për aftësinë e këtij vendi për ta rigjetur rishtaz veten, për t'u përballur me historinë e vet, e cila është edhe një histori e diskriminimit racor dhe njëkohësisht edhe për ta lënë atë pas. Obama i referohet Abraham Lincoln-it, një prej figurave më të mëdha të historisë së shërimit amerikan, atij që shfarosi nga ligji skllavërinë dhe u përpoq t'i bashkonte sërish amerikanët pas një lufte civile me pasoja të rënda. Obama e bëri betimin e tij presidencial mbi biblën e Lincoln-it. Gjatë ceremonisë këndoi Aretha Franklin, kënga e së cilës «Respect» ishte një thirrje drejtuar shumicës së bardhë të popullsisë amerikane. Obama e përmbushi atë.

Nga "Berliner Morgenpost" veçojmë:

Presidenti i 44-t i SHBA-së nuk e zgjodhi si laitmotiv idenë e bashkësisë, sepse është romantik, por se është pragmatik. Ai beson në strategjinë win-win, e cila ka në bazë kooperimin dhe duke minimizuar humbjet i bën optimale fitimet. Ai ka ngritur një kabinet të më të mirëve, ai bashkon instrumentin arkaik të fjalimit me shanset e internetit, sepse do që SHBA-ja të pajtohet me pjesën tjetër të botës. SHBA-ja e Obamës dëshmon që është e hapur, e aftë për t'u transformuar dhe entuziaste dhe optimiste për frymëzimin e botës së lirë. Deri tani Obama është profilizuar si predikues. Nga tash e tutje ai do të matet në bazë të veprimeve të tij, nga ajo se sa i fortë do të jetë në të vërtetë, për t'u bërë ballë krizave të ndryshme. Shanset për ngjitje në momente rënieje janë mjaft të mira, por edhe kërkesat ndaj tij të jashtëzakonshme. Po në rast se nuk ia del Obama, kush tjetër?

(aca)

  • Data 21.01.2009
  • Autor PP
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Gd8P
  • Data 21.01.2009
  • Autor PP
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Gd8P