1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Në pritje të "planit B" të Qipros

Shefi i eurogrupit tani synon më shumë drejtësi në ndarjen e barrës financiare në Qipro. Por ai duhet edhe ta justifikojë planin A në Parlamentin Evropian. Plani A parashikonte edhe detyrimin e klientëve të vegjël.

Ishte pikërisht ky ultimatum i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) që i detyroi të veprojnë politikanët qipriotë. BQE më së voni të hënën do të vendosë ndërprerjen e ndihmës së emergjencës për likiditetin, në rast se deri atëherë nuk është vendosur për një paketë ndihme. Pa ndihmën e emergjencës të BQE-së dy bankat e mëdha të Qipros do të falimentojnë. Marrëveshja fillestare e Qipros me grupin e euros (15.03.2013)ndër të tjera parashikonte një tatim të veçantë ndaj depozitave të kursimeve në bankat qipriote.  Kjo do të prekte edhe shumë të huaj, kryesisht rusë, që kanë depozituar para në Qipro. Sipas planit fillestar kjo taksë do të prekte edhe depozitat në shumat nën 100.000 euro. Tashmë kjo nuk do të ndodhë. Parlamenti qipriot donte të pengonte çfarëdolloj barre ndaj depozitave të kursimeve, për të mos rrezikuar vendin si një zonë atraktive financiare. Nëse do t'i dilet që paratë e nevojshme të mblidhen prej të tjera burimeve të ardhurash, kjo është e dyshimtë. Por edhe sikur të arrihet kjo, do të duhet miratimi i ministrave të financave të grupit të euros dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. E gjitha kjo duhet të ndodhë deri të hënën.

Grupi i euros pret pjesëmarrjen e depozituesve të kursimeve

Në këtë situatë dramatike, presidenti i eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem u përgjigj para Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Parlamentit Evropian. Ai nuk e kishte të lehtë situatën. Në këtë rast grupit të euros nuk i mbetet tjetër veçse të presë propozimin alternativë nga Qirpoja, tha holandezi. Por për të ka rëndësi se si do të jetë plani i ri: "Ne shpresojmë për një zgjidhje, që t' i prekë edhe më shumë pasuritë e mëdha." Ai personalisht, siç bëri të ditur, qysh në fillimi do të kish preferuar të mos trazoheshin nga tatimi i posaçëm depozitat nën 100.000 euro. Por si për vendimin e parë, ashtu edhe për atë pasues vlen: "Ne kemi nevojë për bashkëpunimin e të gjitha vendeve. Ne nuk mund t'ia imponojmë ndokujt zgjidhjen pa u konsultuar më parë." Dijsselbloem nuk donte t'i përgjigjej direkt pyetjes, se kush është përgjegjës për propozimin që të kontribuojnë me para edhe depozituesit e vegjël. Ai si shef i grupit të euros merr përgjegjësinë për vendimin e së shtunës (16.03.2013), tha ai. Por ky ka qenë një vendim i përbashkët. Të tjerë pjesëmarrës, si ministri gjerman i Financnave Wolfgang Schäuble apo Komisioni, fare qartë përgjegjësinë ia ngarkojnë palës qipriote.

Jeroen Dijsselbloem, Shefi i grupit të euros para komisionit parlamentar, 21.03.2013, Bruksel

Jeroen Dijsselbloem, Shefi i grupit të euros para komisionit parlamentar, 21.03.2013

Dështim i plotë në komunikim

Ishte në radhë parë marrëveshja fillestare për të kërkuar kontributin edhe të depozitave të kursimeve nën 100.000 euro, që nxiti indinjatën në mbarë Evropën. Shumë kanë frikë dhe ende druajnë, se tashmë nuk vlejnë më garancitë për sigurinë e depozitave të kursimeve deri në 100.000 euro, dhe se klientët e bankave edhe në vende të tjera mund të preken nga shtetet e tyre për financimin e borxheve shtetërore. Madje ata nuk mund të qetësohen as nga sqarimet e shpeshta të politikanëve të nëpunësve të Komisionit, se këto të dyja nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, se bëhet fjalë vetëm për një pagesë të vetme, apo tatim të posaçëm në Qipro. Kjo ishte dhe çështja për të cilën u sulmua më ashpër nga të gjitha partitë në komisionin parlamentar Dijsselbloemi. Deputeti socialdemokrat gjerman´, Peter Simon kritikoi i indinjuar, se "njerëzit kudo në Evropë mësojnë prej kësaj se nuk mund t'u besojnë premtimeve të këtij lloji." Indirekt Dijsselbloem e pranoi se grupi i euros ka dështuar me komunikimin, por ai nuk donte ta cilësonte këtë si humbje besimi. Përkundrazi në tregjet financiare ka një mendim tjetër, sipas tij.

Fjala magjike është kapaciteti maksimal i borxhit

Në sfondin e shumës së lartë të kredive të ndihmës së ofruar prej 10 miliardë eurosh Dijsselbloemi deklaroi, se kjo ka të bëjë me kapacitetin maksimal të Qipros për borxhin. Me këtë ai donte t'i kundërpërgjigjej kritikës, se BE-ja ka qenë dorështrënguar me Qipron. Nevoja e përgjithshme e financimit të ishullit llogaritet me rreth 17 miliardë euro. Shefi i grupit të euros mendon, se teorikisht ky vend mund të japë edhe kredi të larta, por shuma mbi 10 miliardë do ta tejkalonte kapacitetin e Qipros. Mbi këtë shumë ky vend nuk do të mund t'i shlyente kreditë. Për këtë arsye u mendua kontributi i vet Qipros. Në këtë kontekst Dijsselbloem paralajmëroi edhe nga pritjet e ekzagjeruara prej Rusisë: "Nëse rusët thonë, ne nuk mund të japim më kredi, kjo nuk do ta përmirësonte kapacitetin e borxhit." Ministri qipriot i financave hasi në kundërshtime në Rusi. Shumë në BE ndërkohë e hedhin poshtë relevancën e Qipros për sistemin e unionit monetar. Ata madje mendojnë, se pikërisht vet Qiproja e përdor këtë argument si mjet presioni për të arritur kushte më të mira ndihme. Dijsselbloemi sidoqoftë beson tek relevanca e Qipros për sistemin: "Trazirat e ditëve të fundit për fat të keq e konfirmuan këtë." Por në pjesën më të madhe këto trazira kishin të bënin me sigurinë e depozitave të kursimeve. Tregjet financiare deri tani kanë reaguar të shpenguara ndaj krizës së Qipros. Durimi me Qipron mund të humbasë shumë shpejt.

Autor: Christoph Hasselbach / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi