1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në Prishtinë u mbajt konferenca 'WestBalkan 6'

Konferenca “West Balkan 6”, në Prishtinë zhvillohet pas konferencës së Berlinit. Komisioneri i BE-së për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johannes Hahn, premtoi investime deri në 180 milion euro.

Në Prishtinë u mblodhën më ( 25.03 ) ministrat e jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perendimorë në konferencën “Western Balkans 6”, për të diskutuar zhvillimin e infrastrukturës së përbashkët rrugore dhe hekurudhore në rajon.

Kjo konferencë zhvillohet pas konferencës së Berlinit, që ishte organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel. Në takimin e “Western Balkans 6”, që për herë të parë po mbahet në Prishtinë po merr pjesë edhe Komisioneri i Bashkimit Evropan për Politikë të Fqinjësisë dhe Negocim të Zgjerimit, Johannes Hahn dhe ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daciq.

Për Ivica Daciq, kjo është hera e parë që po merr pjesë në një konferencë në Prishtinë të organizuar nga institucionet e Kosovës. Nikoqiri i takimit “Western Ballkan 6”, ministri i punëve të jashtme i Kosovës, Hashim Thaci, tha se Kosova është bërë tashmë një faktor stabiliteti dhe bashkëpunimi në rajon, duke nënvizuar gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e bisedimeve dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve edhe me Serbinë fqinje.

Ministri i Jashtëm i Kosovës Hashim Thaci, tha se e kishte për nder që të priste në Prishitnë ministrat e vendeve të rajonit, duke e vlerësuar edhe vizitën e ministrit serb të punëve të jashtme Ivica Dacic, vizitë kjo që sipas tij, i kontribuon normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi.

“Për mua sot ka qenë kënaqësi e veçantë, por është nder edhe për Kosovën, që kemi pritur edhe ministrat e të gjitha rajoneve, por edhe pjesëmarrjen e Daçiqit në Republikën e Kosovës. Ne kemi kaluar kohë të gjatë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Edhe pjesëmarrja sot e Daçiqit është një shtesë për implementimin e marrëveshjeve dhe është një mesazh shtesë për stabilizimin e marrëdhënieve tona”, tha Hashim Thaçi në një konferencë të përbashkët për media me komisionerin Johannes Hahn.

Shefi i diplomacisë kosovare, Hashim Thaçi, theksoi rëndësinë e ndërtimit të infrastrukturës që do të lidhte vendet e rajonit, ku mosmarrëveshjet sipas tij, ishin produkt i mosnjohjes dhe se rrugët e hekurudhat do të ndihmojnë të hiqen paragjykimet dhe të punohet bashkërisht për të mirën e popujve të rajonin.

Johannes Hahn dhe Hashim Thaci ne Prishtine

Johannes Hahn dhe Hashim Thaci ne Prishtine

“Kosova kërkon që të përmbyllë marrëveshjen e Stabilizim Asocimit ( MSA ) këtë vit dhe njëherësh të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave”, tha ministri Thaci.

Një vëmendje e shtuar në këtë koferencë ju kushtua fjalimit të Komisionerit të Bashkimit Evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Negocim të Zgjerimit, Johannes Hahn. Ai tha se vendet e rajonit do të mund të përfitojnë nga fondet evropiane nëse zhvillojnë projekte të përbashkëta të transportit rrugor dhe hekurudhor.

Johannes Hahn, shprehu gatishmërinë e BE-së për të investuar në infrastrukturën rrugore e hekurudhore, që do të afrojë vendet e popujt e rajonit dhe këta bashkë me Bashkimin Europian. Hahn përmendi projekte konkrete dhe investime deri në 180 milion euro dhe këto të holla sipas tij, do të jepen atëherë kur vendet e Ballkanit do të ofrojnë projektet e tyre.

“Duhet ta shohim edhe përkushtimin e juaj. Duke krijuar mekanizma kredibilë të financimit. Ta keni hapësirën fiskale për financimin e këtyre projekteve që të zbatohen me kohë dhe të angazhohemi me ju që të implementojmë këto projekte. Agjenda e këtyre aktiviteteve është ngushtë e lidhur me programet qeverisëse ekonomike”, tha Johannes Hahn.

Johannes Hahn tha se mungesa e politikave të transportit do të çonte në izolim, kështu që vendet fqinje sipas tij, duhet t'i heqin këto barriera për të rritur bashkëpunimin.

“Pajtimi dhe dakordimi në këtë qasje dhe metodologji do të dërgojë një sinjal të qartë për ju, qytetarët e juaj, bizneset e juaja dhe për investitorët e mundshëm potencial nëse jeni të vendosur për të rritur ekonominë në Ballkanin Perëndimor duke punuar bashkërisht në një interes të përbashkët strategji kredibile sektoriale dhe projektet e rilindjes të vetme janë të rëndësishme për ne dhe gjithashtu edhe për investitorët e tjerë”, tha Johannes Hahn.

Në konferencën “West Balkan 6”, përveç përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe Kosovës, po marrin pjesë ministrat e jashtëm dhe ata të infrastrukturës nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, dhe Bosnja e Hercegovina.

Në konferencë nuk kishte simbole shtetërore dhe për këtë u përdor formati “Gymnich”.

DW.COM