1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në Prishtinë, mirëpritet marrëveshja Thaçi-Daçiq

Prania ndërkombëtare në Kosovë inkurajon Kosovën dhe Serbinë që tash të zbatojnë në mënyrë ekspeditive dhe në tërësi të gjitha marrëveshjet e nxjerra përmes dialogut deri në ditët e sotme.

Në Kosovë, përfaqësuesit e pranisë ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e institucioneve qendrore, marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet kryeministrave Thaçi e Daçiq, e kanë cilësuar një të arritur historike, ndërsa bëjnë thirrje që ajo të zbatohet sa më parë në praktikë.

Në foto Atifete Jahjaga, Catherine Ashton dhe Hashim Thaçi

Në foto Atifete Jahjaga, Catherine Ashton dhe Hashim Thaçi

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, e mirëpret marrëveshjen e arritur ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë e cila sipas saj, ”i kontribuon paqen në rajon”. “Marrëveshja e arritur ndihmon në vendosjen e bashkëpunimit të gjithanshëm si dhe relakson raportet ndërmjet dy vendeve tona, duke ndihmuar në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe është kontribut konkret për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë”, thotë në reagimin e saj, presidentja Atifete Jahjaga.

Sa më parë marrëveshja të zbatohet në praktikë

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, publikoi një deklaratë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry, i cili përgëzon Kosovën dhe Serbinë për arritjen e marrëveshjes dhe bënë thirrje për zbatimin e saj. “I inkurajoj të dyja palët që tani të zbatojnë në mënyrë ekspeditive dhe në tërësi të gjitha marrëveshjet e nxjerra përmes dialogut deri në ditët e sotme, në mënyrë që të gjithë ata që jetojnë në Kosovë dhe Serbi, të mund të ndërtojnë një të ardhme më paqësore dhe prosperuese”, thuhet të deklaratën e sekretarit amerikan të shtetit.

Në foto, Ban Ki Moon

Në foto, Ban Ki Moon

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, në një deklaratë të lëshuar nga misioni i UNMIK-ut në Kosovë, mirëpret marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Sekretari i Përgjithshëm trimëron fuqishëm palët që ta përfundojnë këtë proces historik dhe të ndërmarrin hapa konkret për një zbatim besnik të marrëveshjes. Kombet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme të ndihmonë palët në këtë përpjekje”, thuhet në komunikatë.

Subjekti politik opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, nënshkrimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi nga ana e kryeministrit Thaçi e cilëson “tradhti për shtetin e Kosovës”, ndërsa, partitë tjera politike opozitare shprehen të rezervuara në reagimet e tyre pa një analizë të mirëfillt të tekstit të marrëveshjes, mëgjithëse e cilësojnë një të arritur.

Inicim për referendum në Serbi për marrëveshjen me Kosovën

Mirëpo, jo të kënaqur me arritjen e marrëveshjes janë përfaqësuesit politik të serbëve të veriut. Në një takim të mbajtur të premten pasdite “përfaqësuesit serb të komunave veriore do të kërkojnë mbajtjen e një referendumi në Serbi, për të parë vullnetin e popullit nëse duan të heqin dorë nga Kosova”, citojnë mediat lokale serbe, Ksenija Bozhoviq, kryetare e të ashtuquajturit “Kuvendi paralel i veriut të Mitrovicës. Përfaqësuesit serb kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve për të iniciuar mbajtjen e referendumit në Serbi.

Në foto, Naim Rashiti

Në foto, Naim Rashiti

Nevojiten plane të përbashkëta operative për zbatimin e marrëveshjes në veri

Ndërkohë, analisti në Prishtinë i grupit ndërkombëtare të krizave ICG, Naim Rashiti, thotë se të dy qeveritë, ajo Kosovës dhe Serbisë duhet të jenë të kudesshme me sjelljet e tyre në raport me banorët serb të veriut, sepse sipas tij "reagimet mund të jenë të ashpra". "Në veri emocionet dhe nervozizmi është shumë i madh. Mund të kemi reagime të njëanshme nga serbët e veriut kundër Beogradit, por edhe kundër Prishtinës, prandaj planet operative për implementimin e marrëveshjes duhet të koordinohen mirë ndërmjet dy qeverive", thotë Naim Rashiti nga ICG.