1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në prag të vizitës së Nimicit në Shkup

Në fillim të javës së ardhshme, ndërmjetësi i OKB-së për çështjen e emrit të Maqedonisë Mathew Nimitz, do të vizitojë Shkupin dhe Athinën, ku do të shqyrtojë obsionet që ofrojnë palët për zgjidhjen e çështjes.

Vazhdon grindja për emrin e Maqedonisë.

Autoritetet politike të Maqedonisë, nuk kanë duke treguar sinjale pozitive për arritjen e kompromisit me Greqinë.

Në prag të vizitës së Nimicit në Shkup, ekspertët e vendit vlerësojnë se autoritetet politike të Maqedonisë, nuk kanë duke treguar sinjale pozitive për arritjen e kompromisit me Greqinë. Shoqëria maqedonase nuk është e gatshme për kompromisin për emrin, sepse qeveria e Gruevskit kalkulon me mbylljen e kësaj çështjeje. Kryeministri Nikolla Gruevski vazhdimisht po përsërit qëndrimin, se propozimi eventual për ndryshimin e emrit të vendit, duhet të kalohet në referendum.

Mathew Nimitz.

Ndërmjetësi i OKB-së për çështjen e emrit Mathew Nimitz, do të vizitojë Shkupin dhe Athinën, ku do të shqyrtojë me autoritetet e të dyja vendeve obsionet për zgjidhjen e emrit të Maqedonisë.

Politikologu Zhidas Daskallovski, vlerëson se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Maqedonisë është kundër ndryshimit të emrit, ndaj ideja për referendum është në favor të Qeverisë, por sipas tij, organizimi i një referendumi për çështjen e emrit, mund të shkaktojë polarizim mes qytetarëve. Gjithnjë sipas Daskallovskit, referendumi do të jetë një çështje e komplikuar: "Mund të ndodhë që Greqia, paraprakisht të mos pajtohet me formulimin e pyetjes së referendumit. Mund të ndodhë edhe që Greqia të insistojë që qeveria e Shkupit, që të marrë përgjegjësinë për arritjen e kompromisit dhe të mos organizohet referendum. Këto mundësi tregojnë në mënyrë indirektese sa çështje e komplikuar është organizimi i referendumit," thotë Zhidas Daskallovski

Edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, partia e të cilit është pjesë e koalicionit qeveritar, vlerëson se përmes referendumit është vështirë të zgjidhet çështja e emrit. Asnjë parti në Maqedoni nuk ka guximin që të marrë përgjegjësinë për ndryshimin e emrit, por partia në pushtet duhet të bëjë një hap konkret drejt arritjes së kompromisit. Sipas Ahmetit çështja e emrit duhet të përmbyllet sa më shpejt, meqë Maqedonia nuk ka kohë për të humbur në axhendën e saj për tu integruar në strukturat euroaltlantike: “Maqedonia është shtet multietnik dhe përgjegjësinë e kanë të gjitha komunitetet që jetojnë në këtë vend. Unë nuk dua të bie në grackën e spekullimeve të ndryshme, se shqiptarët do te jenë element destabilizues në këtë vend nëqoftëse vonohet zgjidhja e kontestit me Greqinë," vlerëson Ali Ahmeti.

Takim Gruevski - Nimitz.

Kryeministri Nikolla Gruevski vazhdimisht po përsërit qëndrimin, se propozimi eventual për ndryshimin e emrit të vendit, duhet të kalohet në referendum.

Profesori universitar i marrëdhënieve ndërkombëtare Denko Malevski, thotë se Maqedonia nuk është e gatshme për kompromis për çështjen e emrit, sepse sipas tij, qeveria Gruevski në tri zgjedhjet e fundit parlamentare ka luajtur me kartën nacionale. “Është shumë vështirë të pritet nga njerëzit që janë për momentin në pushtet, që të zgjidhet çështja e emrit. Ata do të kundështojnë pafundësisht mbylljen e kësaj çështjeje. Qeveria e Gruevskit është zënë në kurthin që ka krijuar vetë," thotë Denko Malevski.

Analistët kanë adresuar një sërë kritikash deri tek autoritetet politike se edhe në prag të ardhjes së Nimicit në Shkup, ata nuk kanë përpiluar një strategji serioze për të vazhduar bisedimet.

Autor : Fatos Musliu

Redaktoi : Aida Cama






  • Data 04.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IgyV
  • Data 04.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IgyV