1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në prag të seancës konstituuese të kuvendit ngërçi politik në Kosovë ende pa zgjidhje

Ambasadorja e SHBA: “Prania ndërkombëtare në Kosovë është interesuar që t’i shohë deputetët duke i çuar proceset përpara në interes të shtetit të Kosovës dhe të mos angazhohen për politika partiake e të njëanshme”.

Të premten më 12 shtator në Parlamentin e Kosovës do të vazhdojë seanca konstituuese e 17 korrikut. Kjo bëhet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila zgjedhjen e Isa Mustafës nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) si kryetar parlamenti e cilësoi jokushtetuese. Mustafa u zgjodh në postin e kryetarit të Kuvendit me 67 vota, në prani të 83 deputetëve, pa praninë e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Në vazhdimin e seancës më 12.09 sërish pika më e nxehtë është ajo e zgjedhjes së kryetarit të kuvendit dhe PDK thotë se Gjykata Kushtetuese i ka njohur asaj të drejtën për këtë post, duke e përcaktuar si grupin më të madh parlamentar.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e udhëhequr nga Hashim Thaçi, që në zgjedhjet e tetë qershorit doli partia e parë, nuk ka arritur marrëveshje me ndonjë subjekt politik për ta mbështetur kandidaturën e saj për kryetar kuvendi. Nga ana tjetër blloku i partive në koalicion pas-zgjedhor, LDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma, sërish do të paraqesin kandidat për postin e kryetarit të kuvendit Isa Mustafën, pas propozimit të kandidaturës së partisë Demokratike të Kosovës, që sipas bllokut siç thonë, do të dështojë sepse nuk i ka numrat e nevojshëm.

Ndërkohë, zyrtarë të PDK-së, nuk e kanë përjashtuar mundësinë që në rast se Isa Mustafa zgjidhet sërish kryetar i kuvendit, sipas propozimit të bllokut LDK, AAK dhe Nisma, çështjen ta dërgojnë serish në Gjykatën Kushtetuese. Për t'u zgjedhur kryetari i kuvendit nevojiten 61 vota nga 120 deputet sa ka Parlamenti i Kosovës.

Partitë e bllokut rreth koalicionit paszgjedhor, LDK, AAK dhe Nisma, këto ditë po vazhdojnë bisedaimet me Lëvizjen Vetëvendosja, në mënyrë që edhe ky subjekt politik të përfshihet në koalicion për siç thonë, pjesëmarrjen e saj në qeverinë e ardhshme. Të martën me 09.09, të dyja palët, partitë e bllokut rreth koalicionit paszgjedhor, LDK, AAK dhe Nisma dhe lëvizja Vetëvendosja, konfirmuan se kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje, ndërsa, detajet do të bëhen publike të mërkurën (10.09) në një konferencë të përbashkët në ambientet e kuvendit të Kosovës.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i nominuari i koalicionit LDK, AAK dhe Nisma, për kryeministër pas një takimi që blloku zhvilloi të hënën (08.09) u shpreh i bindur se edhe Vetëvendosja mund të jetë pjesë e koalicionit. “Ka pasur një komunikim shumë intensiv këto ditë. Qëndrimet janë përafruar dhe janë shumë afër që në seancën e 12 shtatorit ne të shkojmë së bashku. Informatat që kemi ne, qëndrimet janë përafruar dhe do të punojmë që përgatitjet për seancë t'i kemi të përmbyllura para seancës”, është shprehur Ramush Haradinaj.

Ndërkohë, zyrtarë të lëvizjes Vetëvendosja tashmë disa herë e kanë përsëritur se “çdo marrëveshje me partitë e bllokut nëse arrihet, duhet nënshkruar në letër para vazhdimit të seancës”.

Ndërkohë, prania ndërkombëtare në Kosovë nuk dëshiron të ndërhyjë në çështjet e brendshme politike të Kosovës, mirëpo, kërkohet nga udhëheqësit politik që të çojnë proceset përpara. Ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, tha të martën (09.09) se bashkësia ndërkombëtare është e interesuar të shohë ndërtimin e institucioneve të reja. “Kanë kaluar tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve dhe është interesim i madh i bashkësisë ndërkombëtare por edhe i qytetarëve të Kosovës që t'i shohin deputetët duke i çuar proceset përpara dhe në interes të shtetit të Kosovës dhe të mos angazhohen për politika partiake e të njëanshme”, tha ambasadorja Jacobson, gjatë një vizite në Mitrovicë. Sipas saj, është shumë i rëndësishëm vazhdimi i dialogut me Serbinë, integrimi evropian dhe miratimi i ligjit për luftëtarët në trevat e huaja.

Sidoqoftë, tash për tash nuk duket se do të ketë një dalje nga ngërçi politik që ka përfshirë skenën politike kosovare. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga disa herë është shprehur se “zgjidhjet duhet të kërkohen ndërmjet vet deputetëve të kuvendit të Kosovës”, duke përjashtuar tani për tani mundësinë që të ndërhyjë në zgjidhjen e ngërçit politik.