1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Në prag të Kongresit të CDU-së

Kongresi i Karlsruhes i CDU konsiderohet si barometër për mbështetjen që ka kryetarja e partisë dhe kancelarja Angela Merkel në radhët e saj. Kjo në një kohë kur gjithçka tani ka të bëjë me temën e refugjatëve.

CDU Logo

Vendimi i Angela Merkelit, për të pranuar deri tani pa kufizim refugjatë nga zonat e luftës civile në Siri, ka shkaktuar konflikte në të gjitha nivelet politike. Kjo mund të thuhet edhe për partinë e Merkelit, CDU.

Ende pak javë më parë, komentatorët flisnin për një kryengritje në parti. Në lagjen qeveritare në Berlin, që atëherë qarkullojnë thashetheme se Merkeli ose duhet të japë dorëheqje e detyruar para ndërrimit të viteve, ose do të dorëhiqet vullnetarisht.

Presion nga të gjitha palët

Tani jemi në mes të dhjetorit dhe atmosfera në Grupin Parlamentar është qetësuar disi. Në kongresin e CSU-së në tetor, kryetari i CSU-së e fyeu publikisht kancelaren. Kjo bëri që radhët në CDU të shtrëngohen në mbështetje të Merkelit. Por Grupi Parlamentar është njëra gjë, tjetra është atmosfera në bazë, shumë më e vështirë për t'u parashikuar. Por pikërisht për të do të flitet në kongresin e 28 të CDU-së në 14 dhe 15 dhjetor, para 1000 delegatëve nga qytetet dhe komunat.

Ende mijëra refugjatë po vërshojnë drejt Gjermanisë. Kjo prek para së gjithash politikanët lokalë. Mënyra e veprimit e Merkelit ishte edhe një pas për partinë populiste të djathtë "Alternativa për Gjermaninë", e cila arrin në Lindje të Gjermanisë sipas sondazheve lehtësisht një mbështetje dyshifrore - në kurri të CDU-së.

Deklarata e Karlsruhes

Kancelarja ka ndërmend t'u marrë erën nga krahët kundërshtarëve: të enjten u prezantua një mocion i kryesisë së partisë. Ky mocion qendror do të diskutohet të hënën pasdite, pas fjalimit qendror të Merkelit, për disa orë me hollësi. Pas kësaj do të votohet. Merkeli kërkon në Karlsruhe me fjalë të tjera "votëbesimin".

Shpresohet që mocioni qendror të pritet mirë në parti, thotë Minisgtri Federal i Brendshëm, Thomas de Maiziere në Berlin, duke lënë të kuptohet sa nervozë janë në kryesinë e CDU-së. Sepse mocioni qendror nuk do të jetë kërkesa e vetme.

Grindje për kufirin e sipërm

Kërkesa më e gjerë është paraqitur nga Junge Union (JU), organizata e rinisë e CDU. JU kërkon një kufi të sipërm për numrin e refugjatëve, për të cilin duhet të diskutojë një tryezë e rrumbullakët.

Merkeli deri tani e refuzon një kufi të sipërm me shifra për refugjatët - edhe në deklaratën e Karlsruhes kjo fjalë mungon. Formulime të tjera si "të shmanget mbingarkesa dhe të sigurohet pranimi janë më të mira."

Po sa e madhe është mbështetja për mocionet, që shmangen nga linja e Merkelit? Pra: sa seriozisht mund të merren thashethemet për puç, apo kemi të bëjmë me tablo emocionale të momentit?

Një mocion tjetër ka të bëjë me çështjen nëse Gjermania ka nevojë për një ligj migracioni. Në kongresin e fundit të partisë, një kërkesë e tillë e paraqitur nga sekretari i përgjithshëm i CDU-së, Peter Tauber u kundërshtua me shumicë. Këtë herë propozimi vjen nga kryesia e partisë dhe është përpunuar nga njëri prej tri komisioneve për çështje të së ardhmes. Dhe shenjat për mbështetjen duken më të mbara.