1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Në Pakistan rritet zemërimi që qeveria nuk ndihmon viktimat e përmbytjes

Pakistani po lufton prej më tepër se një muaj me pasojat e përmbytjes katastrofale, më e forta në historinë e këtij vendi. Miliona njerëz kanë mbetur pa strehë dhe popullsia është mjaft e revoltuar ndaj qeverisë.

Të mbijetuar nga përmbytja

Të mbijetuar nga përmbytja

Gjendja në zonat e prekura nga përmbytja po përkeqësohet në mënyrë dramatike. Qindra vetë kanë humbur jetën prej përmbytjeve, miliona kanë mbetur pa strehë dhe njerëzit kanë mbetur pa asgjë. Punonjësi social Sarim Burney, zëvendëskryetar i organizatës humanitare „Ansar Burney Trust“ ka rreth një muaj që shkon nga një rajon te tjetri.

„Përmasat e katastrofës janë shumë të mëdha, - tregon ai. Prej saj është prekur një pjesë shumë e madhe e popullsisë. Njerëzit po përpiqen që të gjitha t'i bëjnë vetë dhe të shpëtojnë kokën. Po deri tani pa ndonjë sukses të madh.“

Qeveria nuk interesohet - ushtria vepron për vete

Në zonat e krizës veprojnë vetëm organizatat humanitare, OJQ-të dhe ushtria pakistaneze, tregon Sarimi. Qeveria nuk duket gjëkundi dhe pakistanezët e kanë humbur durimin dhe besimin te qeveria. Dhe jo vetëm pakistanezët janë të pakënaqur me qeverinë e tyre. Edhe bashkësia ndërkombëtare ka pak simpati për presidentin Asif Ali Zardari dhe qeverinë e Paksitanit , sepse ky në fillim të katastrofës as që donte ta ndërpriste udhëtimin e tij nëpër Evropë.

„Në qoftë se qeveria do të kishte marrë që në fillim vendime të drejta për luftimin e përmbytjeve, gjendja nuk do të ishte sot kaq e keqe. Po deri tani nuk kam parë askund ndonjë gjë, ku mund të them se qeveria pakistaneze po kooperon apo po vepron në mënyrë aktive. Islamabadi nuk e vret mendjen se njerëzit po mbyten nga uji, qeveria nuk po mbytet.“

Ka mungesë përvoje në menaxhimin e krizave

Shumë prej masave të premtuara prej qeverisë nuk janë vënë në jetë për shkak të mungesës së përvojës për menaxhimin e krizave. Edhe gatishmëria e bashkësisë ndërkombëtare për të ndihmuar bën të qartë se ajo ka frikë se mos paratë e ndihmave përfundojnë në xhepat e zyrtarëve të korruptuar pakistanezë. Kryeministri Gilani gjendet gjithashtu përpara një problemi, sepse ai nuk i merr dot vendimet vetëm, pa miratimin e Zardarit. Nga ana tjetër ushtria pakistaneze po ndihmon pa u koordinuar me qeverinë, sepse ajo synon të sigurojë pushtet për vete.

Një e katërta e vendit është mbuluar nga ujërat dhe rreth 20 milionë njerëzve u mungojnë prej katër javësh ushqime, medikamente dhe uji i pishëm.


Autor: Adnan Ishaq/Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 27.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Oy8Q
  • Data 27.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Oy8Q