1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në Nju-Jork u zhvillua seanca për Kosovën - Hoxhaj dhe Jeremiq shkëmbyen fjalë të rënda

Sekretari i përgjithshëm i OKB, Ban Ki Moon në raportin e tij tha se gjendja në tremujorin e fundit ishte e qetë, deri në mesin e korrikut. Por trazirat në veri të Kosovës filluan vetëm dhjetë ditë më vonë.

Këshilli i Sigurimit në Nju Jork

Këshilli i Sigurimit në Nju Jork

Shumica e ambasadorëve të vendeve anëtare të KS të OKB nënvizuan se gjendja në tremujorin e fundit në Kosovë ishte stabile dhe e qetë - deri me 25 korrik. Pas vendimit të qeverisë kosovare për të bllokuar mallrat serbe, për shkak të bllokimit të mallrave kosovare nga Serbia dhe dërgimit të njësisë speciale për të vendosur rendin dhe ligjin edhe në veri të vendit, në dy pika kufitare mes Kosovës dhe Serbisë filluan incidente. Kjo rezultoi me vrasjen e një polici dhe me dëme të konsiderueshme materiale.

Ftesat për heqje dorë nga dhuna dhe për dialog

Ban Ki Moon

Ban Ki Moon

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon i ka bërë thirrje palëve që të përbahen nga aktet e dhunës dhe të kthehen në tavolinën e bisedimeve. Ndërsa zëvendësshefi i UNMIK-ut, Farid Zarif, tha se "retorika e Beogradit dhe Prishtinës e kohëve të fundit nuk i kontribuon qetësimit të gjendjes". Ambasadori gjerman Peter Wittig theksoi se problemi më i madh në Kosovë ka të bëjë me kriminalitetin e organizuar. Ai kërkoi që gjendja me strukturat paralele në veri të trajtohet edhe në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, duke shtuar se pavarësia e Kosovës nuk mund të kontestohet. "Gjermania do të vazhdojë me promovimin e perspektivës evropiane të Kosovës. Ndërsa qëllimi i saj është paqja dhe stabiliteti në mbarë rajonin", theksoi ambasadori gjerman.

Zëvendësministrja e Jashtme amerikane Rosmari DiKarlo tha se "Kosova ka të drejtë të shtrijë sundimin në tërë territorin". Ajo kërkoi heqjen e strukturave paralele serbe dhe largimin e forcave policore serbe nga Kosova.

Përfaqësuesi britanik dhe ai francez kërkuan nga palët të jenë konstruktive dhe t'i kthehen dialogut. Ndërsa ambasadori rus Vitalij Çurkin dënoi ndërhyrjen e policisë kosovare në veri të Kosovës, duke shtuar se vendi i tij plotësisht mbështet integritetitin territorial të Serbisë.

Refuzohet kërkesa ruse

KS i OKB refuzoi një kërkesë të Rusisë, që me një deklaratë presidenciale të dënohet ndërhyrja e policisë kosovare në veri të Kosovës. Kundër këtij propozimi ishin ambasadorët e vendeve perëndimore, të cilët bllokuan iniciativën ruse.

Në këtë takim ishin edhe ministrat e Jashtëm të Kosovës dhe Serbisë, Enver Hoxhaj dhe Vuk Jeremiq. Ministri i Jashtëm kosovar fajësoi Serbinë për ndërprerjen në verë të dialogut për çështjet teknike. Beogradi ishte ai, që ka bojkotuar takimet e parashikuara të zhvillohen në verë dhe nuk ka pranuar vulat e Kosovës, që e ka detyruar qeverinë e Kosovës të ndërmarrë masat e reciprocitetit ndaj mallrave të Serbisë. Si pasojë erdhi vendimi për dërgimin e njësisë speciale policore në veri të Kosovës.

Forcat serbe përdorën armët

Enver Hoxhaj

Enver Hoxhaj

"Ne dërguam këto forca në kufijtë e veriut jo për t'i trazuar qytetarët, apo për t'i sulmuar ata, por për të përforcuar masat e reciprocitetit në tregti, pasi që më parë dështuan të gjitha përpjekjet për të negociuar çështjen", nënvizoi Hoxhaj duke e quajtur këtë si "sfidën më të madhe për paqen në Ballkan në disa vitet e fundit".

Sipas tij strukturat ilegale serbe kanë përdorur eksplozivë, armë automatike dhe snajperë kundër policisë kosovare, policisë së EULEX-it dhe KFOR-it. Një polic i Kosovës u vra nga këta ekstremistë dhe kriminelë, që financohen nga Beogradi dhe aktivitetet kontrabandë: "Status quoja dhe vazhdimi i konflikteve nuk janë të pranueshme aspak. Nuk ka më kthim në situatën para 25 korrikut. Pas 12 vitesh ka ardhur koha që Serbia të shpërbëjë strukturat paralele dhe të kuptojë se duhet të vendosë raporte me një shtet të ri, si shtet partner dhe fqinj", theksoi Hoxhaj duke shtuar se policia e Kosovës nuk ka përdorur dhunë: "Ka qenë qeveria e Serbisë ajo, që ka kryer akte dhune përbrenda territorit të Kosovës.", theksoi Hoxhaj,

Serbia akuzon Kosovën

Me tone krejt të tjera u shpreh ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, i cili akuzoi qeverinë e Kosovës për ndërhyrje të dhunshme në veri të vendit.

Vuk Jeremiq

Vuk Jeremic

Ministri i Jashtëm serb i quajti si "plotësisht të papranueshme aksionet e njëanshme të qeverisë kosovare". Ndërhyrja e policisë në veri të Kosovës, sipas tij, ka destabilizuar gjendjen: "Ishte ky një vendim i menduar mirë i udhëheqësisë secesioniste shqiptare, që të organizojë ndërhyrje të armatosur në veri të Kosovës, që është pjesë e një plani të mbrapshtë për vendosjen e një regjimi të dhunshëm dhe jolegjitim për qytetarët e kësaj pjese të krahinës", theksoi Jeremiq, i cili përsëriti edhe një herë qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës.

"Dua të përsëris edhe një herë qëndrimin tonë ndaj aktit për ndarje të njëanshme të Kosovës nga Serbia: ne nuk do të njohim Kosovën në mënyrë direkte, apo indirekte. Ky është vullneti i popullit tonë dhe kjo parashikohet edhe me kushtetutën tonë", theksoi Jeremiq.

Zhvillimet pozitive në Kosovë

Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, foli edhe për gjendjen e përgjithshme në Kosovë. Ai tha se "Kosova është sot një shtet funksional shumetnik dhe me më së shumti stabilitet politik në Ballkan". Përparime janë shënuar sipas tij edhe në aspektin ekonomik, sundimin e ligjit dhe lëmi të tjera. Kosova tani pret edhe fillimin e procesit të liberalizimit të vizave. Sa i përket pozitës diplomatike në botën e jashtme, ai tha se Kosovën e kanë njohur ndërkohë edhe disa vende të tjera si Andora, Republika Qendrore Afrikane, Nigeria, Guinea Konakri, Benini dhe Shën Lucia. Hoxhaj tha se Kosova është dhe do të jetë vend i lirë për të gjithë kosovarët, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare.

 Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica

DW.COM