1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Në ngjitje - Partitë e djathta në Evropë

Javën e fundit Partia "Demokratët suedezë" arriti të futej në parlamentin suedez. Në shumë vende evropiane partitë armiqësore ndaj të huajve, migrantëve dhe myslimanëve janë duke u etabluar në nivel kombëtar.

default

Jimmie Akesson, kryetar i "Demokratëve suedezë"

Suedi

Ish kristiandemokrati Jimme Akesson, formoi nga një ish trupë neonaziste, "Demokratët suedezë", një parti e cila vitet e fundit ka luftuar kundër migracionit. Islamizmi, thonë ata nuk mund të bëhet bashkë me vlerat suedeze. Antarësia e Suedisë në Bashkimin Evropian vihet në pyetje nga kryetari vetëm 31 vjeçar i partisë. Suksesi i "demokratëve suedezë" në zgjedhje tregoi se shoqëria suedeze e vlerësuar si tolerante, ka një problem në çështjen e migracionit. Revista suedeze "Expo", e cila ka vëzhguar partitë radikale të djathta, shkruan se "demokratët suedezë" kanë sfond racist. "Ekzistonte nevoja për një parti, që të shfaqej kundër migrantëve myslimanë dhe kundër një shoqërie multikulturore", thotë Daniel Poohl, kryeredaktor i "Expo". Pjesëmarrjen në qeveri, të "partisë suedeze", kryeministri Fredrik Reinfeld e ka quajtur të pamundur.

Kryetarja e partisë, Partia Popullore daneze, Pia Kjaersgaard shihet në Kopenhagen si shumë e rëndësishme.

Kryetarja e partisë, "Partia Popullore daneze", Pia Kjaersgaard shihet në Kopenhagen si shumë e rëndësishme.

Danimarka

Krejt ndryshe shihet kjo në Danimarkë. "Partia Popullore daneze", e cila flet po ashtu kundër numrit të madh të të huajve dhe të migrantëve, fitoi në zgjedhjet e 2007-ës 13,8 përqind të votave. Kryetarja e Partisë, Pia Kjaersgaard shihet në Kopenhagen si shumë e rëndësishme. Kryetarit të qeverisë konservatore, Lars Lökke Rasmussen i duhen në parlament deputetët e "Partisë popullore daneze". Kjo parti rriti numrin e përkrahësve në vitet 2005 dhe 2006 me konfliktin për karikaturën e Muhamedit. Partia Popullore shihet si model nga "Demokratët danezë". Kryetarja e partisë Kjaersgaard përkrahu në mënyrë aktive gjatë fushatës elektorale simotrën suedeze.

Itali

Në Itali, partia e djathtë popullore Lega Nord, ka vite që është pjesë e qeverisë. Kryeministri Silvio Berlusconi mund të qëndrojë në pushtet vetëm me ndihmën e Lega Nord. Kjo parti shihet si armiqësore ndaj të huajve dhe migrantëve. Kryetari i Partisë, Umberto Bossi kërkon mundësisht një Itali veriore autonome, për të mos vazhduar financimet e jugut të varfër.

Kryeministri Silvio Berlusconi mund të qëndrojë në pushtet vetëm me ndihmën e Lega Nord

Kryeministri Silvio Berlusconi mund të qëndrojë në pushtet vetëm me ndihmën e Lega Nord-it

Hollandë

"Partia për liri" ka shance që së shpejti të marrë pjesë ne qeveri në Hollandë. Çdo qeveri koalicioni me koncervatorët do të ishte e varur nga bashkëpunimi me këtë parti që kritikon myslimanizmin dhe që drejtohet nga Geert Wilders. Në zgjedhjet e 2010 kjo parti doli e treta. Bisedimet për krijimin e qeverisë janë duke u zhvilluar. Nëse do të zhvilloheshin sot zgjedhje atëherë "Partia për liri", sipas sondazheve do të ishte partia më e madhe në parlament. Geert Wilders kërkon heqjen e perçeve, ndalimin e shpërndarjes së kuranit dhe ndalimin e shkollave islamike në Hollandë.

Belgjikë

Në Belgjikë është duke u kërkuar që prej zgjedhjeve të qershorit një qeveri koalicioni, e cila do të mund të sillte nën një ombrellë valonët dhe flamët. Separatistët flamë të kryesuar nga shefi i tyre Bar De Wever mbrojnë idetë nacionale flame, por nuk janë eksplicit kundër të huajve. Partia armike me të huajt "Vlaams Belang" është zvogëluar dhe morri në zgjedhje 7,8 përqind nga 12 përqind që pati marrë më 2007. Belgjika është kundër mbajtjes së burkës në vendet publike, dhe për këtë ka dhënë pëlqimin edhe të partive të majta.

Austri

Edhe në Austri, partia "Partia e lirisë austriake" me ish kryetarin e saj Jörg Haider, ka pas marrë pjesë në qeverinë e koalicionit me konservatorët. Sot, kjo parti armiqësore ndaj të huajve, është forca e tretë në parlament. Por në qeverisje në Austri ndodhen në koalicion të madh socialdemokratët dhe konservatorët, një gjë kjo jo e pazakontë për Austrinë. Nga "Partia e lirisë austriake" është ndarë partia radikale e djathtë Liga BZÖ. Të dy partitë kanë 28 përqind të votave. Me kërkesën e ndalimit të minareve dhe mbulimit të fytyrës me perçe, kryetari i partisë Heinz-Christian Strache është duke bërë fushatën e zgjedhjeve. Ai kërkon të zgjidhet muajin e ardhshëm kryetar i Bashkisë së Vjenës.

Viktor Orban

Viktor Orban

Hungari

Partia qeveritare "Lidhja e demokratëve të rinj (FIDESZ) në Hungari nuk del hapur kundër të huajve, por është nacionaliste dhe populiste e djathtë. Me kryetarin e saj Viktor Orbanm, FIDESZ arriti në zgjedhjet e fundit fitore duke marrë dy të tretat e vendeve në parlament. Partia ekstremiste e djathtë dhe që ka dalë hapur kundër të huajve, partia "Jobbik" arriti në zgjedhjet e prillit të shkonte në parlament me 17 përqind të votave. Në zgjedhjet e ardhshme komunale më 3 tetor ajo mund të marrë vota të tjera. "Jobbik" flet për futjen e romëve nëpër kampe, sepse ata kërcënojnë sigurinë publike.

Bullgari

Një parti armiqësore ndaj romëve ndodhet edhe në parlamentin bullgar. "Partia kundër sulmeve të romëve" ATAKA morri në zgjedhjet e fundit dhjetë përqind të votave dhe kërkon shpërbërjen e getove të romëve. Familjet rome që nuk i dërgojnë fëmijët në shkollë nuk duhet të marrin më ndihma sociale. Edhe hebrejtë, turqit dhe homoseksuelët goditen me parrulla armiqësore. ATAKA ka televizionin e vet.

ATAKA, Bullgari

ATAKA, Bullgari

Francë

Karakteristika populiste ka marrë edhe politika ndaj romëve e presidentit francez Nicolas Sarkozy. Kundër kërkesave të Komisionit të BE-së, ai ka lejuar mbylljen e kampeve ilegale të romëve dhe dërgimin e tyre në Rumani dhe Bullgari. Në Francë është etabluar që në vitet tetëdhjetë një parti radikale e djathtë: "Fronti kombëtar" i kryesuar nga Jean-Marie Le Pen. Në vitin 2002 Le Pen morri pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe arriti deri në balotazh. Ai humbi përballë konservatorit Jacques Chirac. Presidenti Sarkozy u morr vetë me temat populise dhe arriti ta mbante ulët "Frontin Popullor", por që prej zgjedhjeve komunale të marsit, të djathtët janë sërish në ngjitje. Le Peni 82 vjeçar ndërkohë, do t`ia kalojë drejtimin e partisë të bijës.

Vendet e tjera të mëdha anëtare të BE-së

Në Spanjë, Gjermani dhe Britani të Madhe partitë e djathta radikale nuk luajnë ndonjë rol të madh në nivel kombëtar. Në Britaninë e Madhe, koalicioni i konservatorëve dhe liberalëve kërkon të ashpërsojë ligjet e migracionit. Partia radikale e djathtë "Britisch National Party" ka arritur të ketë sukses vetëm në zgjedhjet evropiane. Në Gjermani partitë e djathta radikale janë të përfaqësuara në parlamentet komunale dhe ato të landeve. Por sondazhet tregojnë se një parti e re e spektrit të djathë e cila do të ishte kundër migracionit, do të kishte shance të përfundonte në parlament. Parti që të jenë vendosur më djathtas se sa kristiandemokratët dhe socialdemokratët bavarezë, dhe të jetë prezente në nivel kombëtar nuk janë krijuar ende.

Parlamenti Evropian

Në Parlamentin Evropian është e dukshme tendenca drejt partive të djathta popullore. Në zgjedhjet e fundit në Bashkimin Evropian në vitin 2009 radikalët e djathtë, nacionalistët apo grupimet armiqësore ndaj të huajve morrën përqindje më të madhe votash se më parë. Megjithatë numri i përgjithshëm i këtyre deputetëve mbeti nën dhjetë përqind. Meqenëse këto parti janë në grindje me njëra tjetrën nuk ka qenë e mundur deri tani krijimi i një fraksioni radikal të djathtë. Janë kryesisht vendet e vogla evropiano-lindore që arrijnë të dërgojnë deputetë radikalë të djathtë në Parlamentin Evropian. Belgjika: Vlaams Belang 2 vende, Bullgaria: Ataka 2 vende, Danimarka: Partia Popullore Daneze 2 vende, Finlanda: Finlandezët e vërtetë 2 vende, Francë: Fronti Kombëtar 3 vende, Britani e Madhe: Partia Nacionaliste Britanike 2 vende, Italia: Lega Nord 9 vende, Litaunia: Rend dhe drejtësi 2 vende, Hollanda: Partia për liri 4 vende, Austri: FPÖ 2 vende, Rumani: Partia për Rumaninë e madhe 3 vende.

Autor: Bernd Riegert/ Aida Cama

Redaktoi: