1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Në mos falje, zgjatje të shlyerjes së borxhit

Shteti grek mund të kërcënohet me falimentim por qytetarët e tij kanë kohë, që kanë shpallur falimentimin. Rreth 30.000, midis tyre edhe imigrantë, kanë aplikuar pranë bankave si të falimentuar

Treg në Athinë

Treg në Athinë

Inxhinier ndërtimi bashkë me të shoqen, me shtëpi e katandi që në moshën 35 vjeç, Aleksandos sivjet i hoqi tri vajzat e mitura nga shkolla private. Ka tre muaj pa u paguar nga firma e tij dhe kësti mujor i kredisë së shtëpisë prej 800 eurosh i qëndron si lak në fyt. «U vërtetua plotësisht profecia tronditëse e komikut të madh modern grek Hari Klin, i cili që në vitin 1983 thoshte se pas 30 vjetësh Greqia do të jetë një vend i falimentuar dhe qytetarët e saj në cakun e varfërimit ekstrem“, thotë dhe nxjerr i-podin e tij për ta lexuar të plotë. Vërtet sot shteti vetëm sa nuk e shpall zyrtarisht falimentimin e tij, kurse me mijëra qytetarë shpallin falimentimin e tyre dhe u drejtohen bankave, duke kërkuar rregullim të ri më të favorshëm të kredisë, ose dhe falje të borxhit.

Rekord aplikimesh falimentimi: 30.000 për nëntëmujorin

Lajme jo të mira nga gazetat greke

Lajme jo të mira nga gazetat greke

Shifrat janë shokuese. Çdo debitor ka mesatarisht 100.000 euro borxh. Rreth 30.000 ka arritur numri i aplikantëve për falimentim për nëntëmujorin. Deri në fund të vitit parashikohet të shtohet dhe me 10.000 të tjerë. E dëshmon qartë dhe fluksi i përditshëm i debitorëve të mbytur në borxhe në zyrat e Organizatës Jo Qeveritare EKPIZO, në rrugën Sturnari 17 në qendër të Athinës, që merr përsipër t'i informojë për të drejtat e tyre konform ligjit, por edhe t'u rekomandojë avokatë të saj në tratativat me bankat. “Kemi këstin dhe nuk mund ta shlyejmë, janë 1.600 euro në muaj“, i thotë DW Llambros Margaritis tek del në trotuar me nxitim, si për të mos e parë njeri. Megjithëse “me fat” që ende kanë punë, siç thotë ai si nëpunës privat, po kështu edhe e shoqja e tij Sofia, si nëpunëse në bashki, nuk mund të paguajnë kredinë prej 250.000 eurosh, që morën nga banka për shtëpinë dykatëshe, që ndërtuan vetë. «Nuk mund të paguajmë këstin se na kanë prerë rrogat, rreth 1.000 euro të dyve”, thotë dhe shikon nga e shoqja, si për t'i kërkuar ndihmë në këtë “apologji” të tij. «Rriten çmimet e ushqimit, ulen rrogat. Tre fëmijë, që studiojnë, kredi e lartë, buxheti shkoi në djall nga këto, që ndodhin, nuk ia dalim dot mbanë”, thotë Sofia dhe më shumë se për kredinë mendon për djalin e vet të madh, që mbaroi Politeknikumin e Athinës dhe do të emigrojë”. “Greqia”, thotë, “po ha fëmijët saj për shkak të politikanëve, që ka.”

Vetëm 60% e kërkesave janë pranuar nga bankat për rregullim të ri të borxhit

Rruga qëndrore Ermous në Athinë

Rruga qëndrore Ermous në Athinë

Premisë për rregullimin e borxhit është që debitori të dëshmojë “pamundësi të përhershme dhe reale mospagimi të borxhit”. Fillimisht duhet t'i drejtohet bankës, të informohet për borxhin. Pastaj të paraqesë vetë një propozim rregullimi. Në qoftë se nuk pranohet, i drejtohet gjykatës së shkallës së parë, që në rast mospajtimi gjykon çështjen dhe vendimi është i detyrueshëm për të dyja palët. Vetëm 60% e kërkesave janë pranuar nga bankat, që ligji i detyroi në raste të pakta të falin dhe gjithë borxhin. Për vitin 2011 me rregullimet kanë për të falur gjithsej rreth 2.5 miliardë borxhe. “Vij tani të pyes dhe të bëj dhe kërkesë. Të shoh ç'mund të përfitoj”, i thotë DW Antigoni Strati, e papunë dhe e divorcuar me dy fëmijë. Ka marrë 3 kredi konsumi nga banka të ndryshme, paguan 240 euro në muaj, por siç thotë: “Tani nuk mund të paguaj as 50 euro.”

Më kot bankat mundohen të frenojnë numrin e aplikantëve me programe joshëse për banesën e parë, për të cilën shtyjnë afatin e shlyerjes së kredisë me kambiale në masën 85% të saj dhe deri në 20 vjet. Fuçia pa fund e shkurtimeve të pagave dhe pensioneve rrit gjithnjë e më tepër numrin e të falimentuarve pensionistë, apo nëpunës të sektorit publik, që arijnë në 1/3 e numrit total të aplikantëve. “Merrja 1.200 euro dhe tani marr 800. Punoj në radion shtetërore. Kam kredi strehimi 100.000 euro dhe po aq në karta krediti. Paguaj vetëm kredinë e shtëpisë, por më kot. Nuk kam për ta shpëtuar”, thotë Mikaela Lambrinidu. Shembuj karakteristikë kreditimi të tepruar ka plot, sipas EKPIZO. Një mësues liceu iu drejtua për ndihmë me një barrë të madhe borxhesh: kredi strehimi 60.000 euro, kredi konsumi 16.000 euro dhe katër karta krediti 40.000 euro.

Emigrantët: “Të paktën të kemi një qeramidhe mbi kokë”

Pakënaqësia arrin kulmin

Pakënaqësia arrin kulmin

“Kam familje, kam një fëmijë të vogël për fat të keq edhe gruaja ime nuk ka punë stabël”, thotë Marko Gollosi dhe rrëfen peripecinë e tij. Pa punë që në vitin 2009 dhe me një kredi prej 100.000 eurosh për shtëpinë e blerë në vitin 2005, me një greqishte brilante, që ishte e pamundur ta dalloje se ishte shqiptar. “Nuk e mendoj veten të flej në rrugë, me fëmijën, me gruan, me mamanë, ose me vëllain”, thotë Markoja dhe shprehet i vendosur për ta shpëtuar shtëpinë. Si ai, po kështu edhe vëllai i tij Grigori, që ka blerë një shtëpi më të vogël, 55 metra katrorë, por mori 100.000 euro kredi për t'i ardhur në ndihmë vëllait, duke u bërë bile garantë për njeri-tjetrin. “Kemi shumë kolegë, që kanë të njejtin problem dhe janë me tre dhe katër fëmijë”, thotë Grigori nga ana e tij. Që të dy çuditen se si kredia “nuk pakësohet”. “Kemi paguar më shumë se 80.000 borxh çdo njeri. Nga shuma, që morëm nga banka, janë ulur vetëm 40.000 euro. Si përfundim tani i kemi borxh bankës 160.000 dhe kemi paguar pothuajse komplet paratë, që i kemi marrë borxh bankës”, thotë Markoja dhe shprehet i vendosur të gjejë një avokat vetë. “Të paktën të kemi një qeramidhe në kokë thoshin prindërit tanë, apo jo”, shton Markoja. Për të strehuar ëndrrat e tij në këtë dimër të vështirë grek, metaforik, por edhe të vërtetë, që sivjet erdhi shpejt, “si dimri i Korçës”, sikundër thotë.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Angjelina Verbica