1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Në mendjet e njerëzve Lichtenhageni vazhdon të jetë në flakë

Në gusht të vitit 1992 ekstremistë të krahut të djathtë në Rostock u hodhën në gjueti kundër punëtorëve vjetnamezë me kontrata dhe azilkërkuesve. 20 vjet më vonë, nuk ka shumë afrim mes gjermanëve dhe të hujave.

Shtëpia në Mecklenburger Alle në lagjen Lichtenhagen të Rostockut, dikur qendra për pranimin e azilkërkuesve është pikturuar me luledielli të mëdha të ndritshme. Ballkonet e ndërtesës së lartë dhjetëkatëshe janë prej xhami. Bari para ndërtesës sapo është kositur. Pulëbardhat sillen rreth objektit i cili ndodhet vetëm tre kilometra larg plazhit me rërë të butë të Detit Baltik. Një vend idilik. Po të mos ishin ngjarjet e para 20 viteve. Kur shpërthyen flakët dhe të rinjtë e mbushur me urrejtje hodhën fishekzjarre kundër njerëzve paqësorë. Dhuna e shfrenuar drejtohej kundër punëtorëve me kontrata të cilët ishin rekrutuar në kohën e RDGJ-së nga Vietnami dhe kundër azilkërkuesve.

Katër ditë dhe netë turmat sulmuese nuk kishin të ndalur, ndërkohë që njerëz kureshtarë qëndronin anash rrugës dhe duartrokisnin të rinjtë e krahut ekstremist të djathtë. Imazhe të frikshme që janë pjesë e kujtesës kolektive.

Pallat në shëtitoren Mecklenburger Allee në Rostock-Lichtenhagen.

Gjurmët e dhunës nuk dallohen më.

Shtyrja në harresë nuk funksionon

"Ne ishim të pafuqishëm", është emëruesi i përbashkët i deklaratave të shumë banorëve të Rostockut, "çfarë duhej të bënim?" Një pyetje pothuajse sfiduese që shtrohet gjithmonë edhe tani 20 vjet pas trazirave. "Asgjë nuk u ndërmor, asnjë politikan nuk erdhi këtu",  thotë Sieglinde Rehberger. 75-vjeçarja i ka përjetuar gjërat nga afër."Ishte shumë keq", thotë ajo, ndërsa me çantat e mbushura plot të varura në timonin e biçikletës qëndron para shtëpisë me numrin 18.  Mbi hyrje qëndrojnë tabelat e një autoshkolle dhe një mjeku. Ajo nuk e kupton ende se si është e mundur që aty nuk ndodhet asnjë pllakë përkujtimore për ngjarjet e gushtit të vitit 1992. "Ato ngjarje duhet të kujtohen, këtë e kemi detyrim përgjithmonë."

Ngjashëm mendon edhe nëpunësi i zyrës së financave, 33 vjeçari Torsten Helm. Ai thekson rëndësinë e kujtesës. Ngjarjet e asaj kohe duhet të mbahen në kujtesë "si paralajmërim në kokat e njerzëve".

Zërat inkurajues, ndërmjetësues dhe balancues megjithatë janë të rrallë në Rostock-Lichtenhagen. Shumica e kalimtarëve nuk duan të komentojnë ngjarjet e atyre ditëve. Të tjerët thonë me zë të lartë: "Ata duhet të na lënë të qetë."

Nën sipërfaqe vlon

Dhuna e radikalëve të djathtë në 1992 u drejtua kundër të huajve

Dhuna e radikalëve të djathtë në 1992 u drejtua kundër të huajve

Aktualisht në Mecklenburg-Pomerani jetojnë 31.000 të huaj, nga të cilët 7.649 vetëm në Rostock. Në mesin e tyre është edhe Irina. Ajo vjen nga Ukraina. Tetë vjet më parë, ajo mori një apartament në një rrokaqiell në lagjen Lichtenhagen. "E pra", thotë ajo, "njerëzit përshendesin. Por nuk janë gjithnjë të sjellshëm. Shkaktojnë telashe". Asaj i janë dërguar edhe letra kërcënuese. Fqinjët e saj janë ankuar edhe në shoqatën e banesave. Ajo përmend emrat e fqinjëve, të lindur e rritur në Rostock, të cilët kanë jetuar këtu që në kohën e RDGJ-së. Dhe ata siç duket nuk duan që rusët apo vjetnamezët të banojnë në ndërtesën e tyre.

Megjithatë Irina nuk ka frikë. Thotë ajo. Por ajo as nuk e ndjen veten rehat. Ajo qesh dhe shpreson që problemet dikur do të zhduken, do të avullojnë në ajër. Burri i saj nuk dëshiron të thotë asgjë për këtë temë prandaj është larguar me qëllim nga ne. Nga një distancë ai thërret gruan e tij që më në fund ajo të shkojë tek ai.

"Krejt pallavra", shprehet me zemërim një burrë i moshuar në pyetjen për paragjykimet ndaj të huajve. "Nëse ata janë të rregullt, flasin gjermanisht, atëherë gjithçka funksionon si duhet. Ne nuk kemi asnjë problem me kanakët apo të ardhurit nga Fixhi."

Një aksion i veçantë

Masa e njerëzve shihte pa reaguar për t'u ardhur në ndihmë të huajve

Masa e njerëzve shihte pa reaguar për t'u ardhur në ndihmë të huajve

Nisma private "Lichtenhagen 2012" dëshiron që të kujtojë këto ngjarje dhe kujtesa të shërbejë si paralajmërim. Ajo ka shpërndarë 1000 DVD nëpër familjet e Rostockut me një dokumentar dyorësh të kanalit televiziv britanik BBC i cili flet për trazirat për vitit 1992. Kostoja e aksionit: 2.500 euro. Ai është financuar nga ndihmat e mbledhura përmes internetit.

 "Ne duam të ndërgjegjësojmë njerëzit më shumë për sfondin e këtyre ngjarjeve, në mënyrë të veçantë të rinjët, dhe t'i senzibilizojmë ata për rreziqet e ekstremizmit të krahut të djathtë", thotë Lars Kruger, një nga ideatorët e aksionit. Ai kritikoi faktin se edhe në nivel zyrtar nuk flitet me kënaqësi për këtë temë. Në vend të kësaj, politikanët përpiqen që në heshtje të luftojnë ekstremizmin e djathtë.