1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në Maqedoni qytetarët ankohen për shkelje të lirive dhe të drejtave

Shkeljet bëhen nga institucionet, që duhet të mbrojnë të drejtat dhe liritë e qytetarëve, thotë kryetari i Komitetit të Helsinkit për Maqedoni, Osman Kadriu. Më së shumti cenohen gjatë proceseve të stërzgjatura gjyqësore

Gjykata e Apelit në Shkup

Gjykata e Apelit në Shkup

Policia dhe gjyqësori janë institucionet, që më tepër shkelin të drejtat dhe liritë e njeriut, thotë Osman Kadriu, kryetar i Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Maqedoni. Cënimi i lirive të njeriut nga Ministria e Punëve të Brendshme më së shumti vjen në shprehje gjatë paraburgimit të qytetarëve, sidomos gjatë arrestimeve spektakolare dhe ky veprim i vë qytetarët në pozitë jo të lakmueshme gjatë periudhës së hetuesisë, thotë Kadriu: “Kur bëhet paraburgimi i personave, për të cilët dyshohet se janë kryes të veprave konkrete penale masat, të cilat i përdor policia, janë jashtë kompetencave, jashtë ligjit, jashtë detyrës zyrtare dhe këtu kemi të bëjmë me shkeljen e kompetencave, që ka policia dhe me tejkalimin e kompetencave”, thotë Osman Kadriu, kryetar i Komitetit të Helsinkit për Maqedoninë.

Prezuncioni i pafajësisë

Dosje gjyqësore në Maqedoni

Dosje gjyqësore në Maqedoni

Fakt shqetësues për shkeljen e të drejtave të njeriut në Maqedoni është edhe prezuncioni i pafajësisë. Në shumë raste, ende pa përfunduar procesi gjyqësor, të akuzuarit shpallen fajtorë nga institucione, që nuk kanë asnjë kompetencë për të dhënë verdikte gjyqësore: “Ky prezuncion te ne, në mënyrë flagrante shkelet. Personat akoma pa dalë para gjyqësorit, organet e tjera, sidomos ekzekutivi, gjithmonë dalin para opinionit me kualifikime të ndryshme, se janë fajtorë, se kanë kryer vepra të ndryshme e për ata vepra do t'ju shqiptohet dënimi, që do të thotë njollosje pa sjellë vendim gjykata”, shprehet Kadriu.

Sistemi gjyqësor në Maqedoni i mbyllur dhe jo transparent.

Gjykatë në Shkup

Gjykatë në Shkup

Gjykatat nuk i respektojnë afatet ligjore për shqyrtimin e lëndëve. Kjo ndikon që lëndët të stërzgjaten dhe qytetarët presin me vite të marrin vendimin gjyqësor: “Me fqiun tim, tre vite jemi në proces gjyqësor për kontest pronësie. Në çdo sesion diçka mungon. Gjithçka më ka ardhur në majë të hundës, mezi po pres që procesi gjyqësor të përfundojë, qoftë në favor apo në dëmin tim”, thotë Jadranka Ristevska.

Roli i Avokatit të Popullit dhe Komitetit të Helsinkit

Qytetarët të drejtat e tyre, përpos në gjyqësi kanë filluar t'i kërkojnë edhe te Avokati i Popullit dhe Komiteti i Helsinkit: “Çdo herë kisha problem me nënshtetësinë, derisa u paraqita te Komiteti i Helsinkit dhe Avokati i Popullit për të zgjidhur çështjen e nënshtetësisë dhe më në fund arrita ta zgjidh problemin e nënshtetësisë dhe ta marr atë”, thotë Jonuz Demiri nga Kumanova.

Korrupsioni në gjyqësor

Maqedoni Gjykata Kushtetuese

Maqedoni Gjykata Kushtetuese

Nje tjetër fenomen brengosës është edhe korrupsioni në gjyqësor. Edhe pse kjo dukuri ka marë përmasa shqetësuese në të gjitha institucionet, në gjyqësor korrupsioni i shtuar po vë në diskutim drejtësinë e vetë sistemit të drejtësisë: “Korrupsioni ka marrë masa brengosëse, shqetësuese, një dukuri tejet e vështirë për të drejtat dhe liritë e njeriut. Kjo betejë patjetër duhet të ketë epilogun e saj pozitiv. Por që kjo të luftohet, ne së pari duhet të kemi një gjyqësi vërtetë të pavarur”.

Maqedonia duhet të bëjë reforma rrënjësore në sferën e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut, meqë ato janë kusht thelbësor edhe për zhvillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE, shprehet kryetari i Komitetit të Helsinkit për Maqedoni, Osman Kadriu .

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Angjelina Verbica