1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Në Maqedoni nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve"

Në Maqedoni ende nuk janë plotësuar kushtet për organizimin e zgjedhhjeve të parakohshme më 24 prill, vlerësojnë njëzëri BE dhe SHBA.

Ambasadori i SHBA në Maqedoni, Jess Baily, në një deklaratë të përbashkët me përfaqësuesit e BE-së, para selisë qeveritare, deklaroi se nuk janë përmbushur kushtet për të organizuar zgjedhje të besueshme, korrekte dhe demokratike më 24 prill në Maqedoni. Data e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare mbetet të përcaktohet nga partitë politike, por ai rekomandoi që zgjedhjet të caktohen sa më shpejtë të jetë e mundur, sapo të përfundojnë reformat.

"Nuk janë përmbushur kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike më 24 prill të këtij viti, pasi KSHZ-ja akoma nuk është pajisur me informacionet nga ana e institucioneve përkatëse për të pastruar listat e votuesve dhe nuk është rregulluar çështja e mediave", është shprehur ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily duke prezantuar analizën e detajuar të BE-së dhe SHBA-së , sa i përket përmbushjes së kritereve të përcaktuar në kuadër të marrëveshjes politike.

Ambasadori Baily, shprehu shqetësimin edhe për siç tha ai, frikësimin dhe presionin ndaj votuesve. Baily tha se partitë politike duhet të bëjnë përpjekje që sa më shpejt të përmbushen kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve, kurse theksoi datën e 5 qershorit, si datë e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve, por shtoi se vendimin për ndryshimin e datës së zgjedhjeve e merr kuvendi i Maqedonisë.

Lidhur me datën e zgjedhjeve u prononcua në Twitter edhe komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë, Johanes Hahn. Ai në profilin e tij shkruan, se cilësia dhe thelbi i zgjedhjeve janë më të rëndësishme se data.

VMRO i shpall "luftë" ndërkombëtarëve

Pas publikimit të vlerësimit nga ana e përfaqësuesve të SHBA-së dhe BE-së, kanë reaguar edhe partit politike. VMRO-DPMNE ka sjellë vendim për të ndërprerë bashkëpunimin me ndërmjetësuesin e BE-së Peter Vanhoutte. Vendimin në fjalë VMRO e bazon në ofendimet, që gjoja i janë bërë partisë së VMRO-DPMNE dhe përfaqësuesve që kanë marrë pjesë në negociata, si dhe fyerjet e vazhdueshme ndaj popullit maqedonas.VMRO gjithashtu njofton se nuk do të marrë pjesë në takimet, në të cilat do të jetë prezent edhe ndërmjetësuesi Vanhoutte dhe se për ta ndërmjetësuesi tanimë është vetëm një turist i thjeshtë.

Partia maqedonase në opozitë Lidhja Social -Demokrate ka theksuar se bashkësia ndërkombëtare ka konfirmuar atë që LSDM e thotë tërë kohës se nuk ka kushte të mbahen zgjedhjet më 24 prill. Sipas kësaj partie ish- kryeministri Nikolla Gruevski, i cili drejton VMRO DPMNE nuk kishte guxim të përballet me të vërtetën se nuk ka kushte për zgjedhje korrekte dhe demokratike më 24 prill.

BDI në linjë të njejtë me ndërkombëtarët

Lideri i partisë shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti,thotë se BDI është në linjë të njëjtë me komunitetin ndërkombëtar dhe se partitë nuk guxojnë të lejojnë që të dështojë marrëveshja politike e njohur si Marrëveshja e Përzhinës."BDI është në të njëjtën linjë dhe në komunikim me komunitetin ndërkombëtar. Ne konsiderojmë se takimet duhet të vazhdojnë dhe të arrihet një kompromis dhe marrëveshje midis të gjitha palëve që të mos lejojmë që marrëveshja të dështojë. Dështimi i kësaj marrëveshjeje do të thotë thellim i krizës politike në Maqedoni. Maqedonia nuk ka nevojë për një krizë politike, por për tejkalimin e krizës", ka theksuar Ahmeti.

Partitë opozitare shqiptare pro shtyrjes së datës së zgjedhjeve

Rilindja Demokratike Kombëtare vlerëson se shtyrja e mbajtjes së zgjedhjeve pas 24 prillit vulos vendosshmërinë për fuqizimin e institucioneve dhe sundimin e ligjit në vend, sepse këto janë mungesa evidente për mbajtje të zgjedhjeve të ndershme, të lira dhe demokratike.

Lëvizja BESA konstaton se në këto kushte në Maqedoni nuk ka mundësi që të mbahen zgjedhje. Ajo bën thirje që para se të flitet për çfarëdo date për mbajtjen e zgjedhjeve, së pari të insistohet detyrimisht që të përmbushen të gjitha kriteret për zgjedhje të drejta dhe të lira, por edhe të realizohet me përpikmëri secila pikë e Marrëveshjes së Përzhinës, sepse vetëm zgjedhjet e lira mund të jenë garanci për një shoqëri të hapur dhe demokratike në Maqedoni.

Lëvizja për Reforma në PDSH, mbështet plotësisht qëndrimin e ambasadorëve meqë sipas këtij subjekti politik data 24 prill për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni është e pamundur për t'u bërë realitet, pa pastrimin e listave zgjedhore dhe rregullimin e çështjes së mediave.

Analistët: Maqedonia po përballet me një situatë kaotike

Profesor Stevo Pendarovski vlerëson se Maqedonia gjendet në periudhën më të rëndë që nga pavarësia e saj. Për herë të parë në historinë e vendit kreu më i lartë shtetëror dhe partia më e madhe në pushtet merr vendime të njëanshme duke mos i respektuar rekomandimet e bashkësisë ndërkombëtare, BE-së dhe SHBA-së. 
"Maqedonia po kalon një perudhë të trazuar dhe po shkon drejt izolimit total para bashkësisë ndërkombëtare. Kriza politike thellohet çdo ditë e më shumë dhe vendi kërcënohet nga një destabilitet i ri politik, i cili mund t'i kushtojë shumë shtetit", thotë profesor Pendarovsi. 
Profesor Lubomir Fërçkovski ka deklaruar se bashkësia ndërkombëtare, BE dhe SHBA, kësaj rradhe do t'i vendosin një ultimatum të fuqishëm partisë së Gruevskit, e cila me vendimin për shpërbërjen e parlamentit shkaktoi një grushtështeti. 
"VMRO vetë si parti nuk mund të organizojnë asgjë, vetëm tentim për grushtështet përmes kërcënimeve boshe, sepse edhe për këtë tentim s'kanë më fuqi", vlerëson Fërçkovski.