1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në Maqedoni ndryshimi i ligjit për dokumentat e udhëtimit synon të ndalojë shpërdorimin

Ndryshimet në ligjin për dokumentet e udhëtimit në Maqedoni kanë për qëllim parandalimin e migracionit ilegal të qytetarëve. Dënime me marjen e pasaportës do të ketë vetëm për personat të cilët dëbohen nga shtetet e BE.

Largimi nga Maqedonia do të kontrollohet më rreptë. Ne foto: aeroporti i ri i Shkupit, Aleksandri i Madh

Largimi nga Maqedonia do të kontrollohet më rreptë

Një vit marrje të pasaportës ose refuzim i kërkesës për pranim të dokumentit të udhëtimit për ata persona, të cilët janë të kthyer apo dëbuar nga vendet e zonës Shengen për shkak të keqpërdorimit të liberalizimit të regjimit të vizave. Ky ndryshim dhe plotësim në Ligjin për dokumentat e udhëtimit është një element nga spektri i masave, që po i ndermerr Maqedonia në parandalimin dhe uljen e numrit të azilkërkuesve nga Maqedonia në vendet e Bashkimit Evropian. 

“U dedikohet shtetasve të Republikës së Maqedonisë, të cilët keqpërdorin liberalizimin e vizave dhe të cilët bëjnë imigrim ilegal. Atyre personave u dedikohet amendamenti i Ligjit në fjalë,” thotë Xhelal Bajrami, zëvendësministër i Punëve të Brendshme.

Shumica e deputetëve e gjejnë me vend propozimin për ndryshimin e Ligjit për dokumentat e udhëtimit e në veçanti masat e ndëshkimit, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të pengohet keqpërdorimi i liberalizimit të regjimit të vizave.

“Këto norma ligjore vlerësoj se duhet t'i miratojmë, meqë vetëm në këtë mënyrë mund t'i mbrojmë frytet e liberalizimit të vizave, që mundëson qarkullim të lirë të qytetarëve në vendet e zonës Shengen”, shprehet Antonio Milloshoski,kryetar i Komisionit për politikë të jashtme në Kuvendin e Maqedonisë.

Ndëshkimi vlerësohet i rreptë

Deputetët e opozitës kanë kundërshtuar ndryshimet në Ligjin për dokumentet e udhëtimit, sepse sipas tyre me këtë po shkelet Kushtetuta e Maqedonisë dhe cënohet e drejta e lëvizjes së lirë e qytetarëve. Parandalimi i migracionit nuk bëhet në këtë mënyrë, ai mund të parandalohet vetëm në rast se qytetarëve u sigurohen kushte të volitshme për jetë në vend, thotë Zijadin Sela, deputet i Partisë Demokratike Shqiptare.

Ligji për dokumentat e udhëtimit përcakton kontrollin strikt të dokumentave. Ne foto: aeroporti i ri i Shkupit, Aleksandri i Madh

Ligji për dokumentat e udhëtimit përcakton kontrollin strikt të dokumentave

“Nuk mjafton të thuhet se përmes kësaj do të parandalojmë ne migrimin, në vendet që u bë liberalizimi i  vizave bën pjesë edhe Shqipëria, atje nuk pati eksod. Këtu qytetarët e Maqedonisë e kanë të vrarë shpresën”, thotë Zijadin Sela.

Deputeti i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Izet Zeqiri vlerëson se marrja e pasaportës në afat prej një viti personave që keqpërdorin liberalizimin e vizave është masë e rreptë ligjore.

“Qeveria me këtë projektligj, në vend që të merret me shkakun merret me pasojat. Këshilli i Ministrave të Brendshëm të BE-së asnjëherë nuk ka sugjeruar se duhet të meren masa represive si dënim duke shtuar edhe një vepër të re penale në kodin  penal”, thotë Zeqiri.


Shpëtimi - pasaporta të vendeve fqinjë?

Lidhja Socialdemokrate opozitare, ndonëse shprehet se do t'i mbështesë ndryshimet e ligjit, njëkohësisht shpreh shqetësimin se qytetarët në kërkim të zgjidhjes do të kërkojnë si alternativë pajisje me pasaporta të vendeve fqinje.

“Ne do t'i përkrahim ndryshimet në ligj, por jemi të bindur se një numër i madh i qytetarëve daljen nga kjo situatë do të kërkojnë në marrjen e pasaportave bullgare. Edhe pa këtë kemi një numër të madh të qytetarëve, të cilët kanë shtetësi të dyfishtë, gjegjësisht pasaporta bullgare”, shprehet Cvetanka Ivanova, deputete e LSDM-së.

Aplikimi i sanksioneve për qytetarët, të cilët keqëpërdorin liberalizimin e vizave vjen pas vërejtjeve të Komisionit Evropian, se numri i madh i azilkërkusve nga Maqedonia mund të rrezikojë liberalizimin e vizave.

Autor: Fatos Musliu/ Shkup

Redaktoi: Auron Dodi