1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në Mal të Zi edhe më tej ka aborte selektive

"Vetëm fëmija të jetë gjallë dhe shëndoshë dhe - mashkull". Kjo moto vazhdon të vlejë në Malin e Zi, kur bëhet fjalë për pasardhësit.

Në këtë vend me vetëm rreth 650.000 banorë çdo vit bëhen sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë rreth 1.300 aborte. Organizatat joqeveritare, që merren me këto probleme, thonë se numri i ordinancave gjinekologjike po shtohet nga dita në ditë, por vetëm një prej tyre ka leje për të kryer aborte.

Keqpërdorimi i kontrolleve të hershme me eko

Praktika e aborteve për shkak të gjinisë së fëmijës vazhdon të ekzistojë. Drejtorja e "Shtëpisë së sigurt për gra" në Podgoricë, Liljana Raiçeviq thotë për Deutsche Wellen se ka keqpërdorime të ekos. Ajo ka informacione edhe për raste konkrete të presioneve që të bëhen aborte, sepse një grua më parë kishte lindur vetëm vajza.

"Kemi pasur raste drastike kur burri nuk i ka lejuar gruas të kthehet në shtëpi me fëmijën vajzë, ndaj është detyruar që për një kohë të gjatë të rrijë në spital apo të vijë tek ne në Shtëpinë e sigurt", pohon Raiçeviq.

Që ka pasur dhe ka presione në raste të tilla, dëshmon edhe një grua e cila ka lindur katër vajza. Ajo pohon se pas çdo ekoje, ku është konstatuar se fëmija do të jetë vajzë, ka pasur presione prej burrit që të abortojë, edhe pse shtatëzënia kishte kaluar kohën kur aborti lejohet me ligj. Ajo megjithatë u ka bërë rezistencë presioneve dhe i ka lindur të katër vajzat.

Raiçeviq shpjegon se në disa raste ky fenomen është shumë më i theksuar. "Fenomeni është shumë më i theksuar tek familjet e mëdha, tek të cilat vetëm fëmija mashkull konsiderohet si trashëgimtar. Kemi të dhëna për raste ku burrat janë ndarë prej grave, vetëm pse ato nuk kanë lindur djem. Më pas ata janë martuar me gra të tjera me shpresë se do t'u lindë një djalë", thotë Raiçeviq. Por ajo shton se gjithnjë e më shumë çifte po u rezistojnë kërkesave të tilla dhe janë të lumtur kur u lind një fëmijë femër.

Sukseset rrënojnë traditën

Edhe aktivistja për të drejtat e njeriut Hadixha Gjonoviq thotë për Detusche Wellen se traditat e dikushme po ndryshojnë me shpejtësi. Prindërit janë të lumtur kur u lind një fëmijë i shëndoshë. Madje gëzohen shumë edhe për vajzat. "Tani përindërit janë krenarë dhe më të lumtuar kur u lind një vajzë, sepse janë të bindur se ato u ofrojnë më shumë dashuri dhe kujdes dhe se janë më të afërta me prindërit", pohon ajo.

Gjonoviq mendon se për thyerjen e tabuve dhe të paragjykimeve i kanë kontribuar sukseset e sportisteve nga Mali i Zi, në radhë të parë hendbollistet, të cilat në fund të vitit të kaluar kanë fituar titullin e kampioneve të Evropës. I tërë Mali i Zi është krenar me"luaneshat e veta", sepse ky sukses është gjëja më e mirë që i ka ndodhur Malit të Zi gjatë vitit të kaluar.

Megjithatë tradita vazhdon. Në Mal të Zi edhe më tej shtihet me armë zjarri kur lind një djalë. Ndërsa kur lindë një vajzë, kjo ndodh shumë rrallë.