1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Në luftë e vërteta është ajo që vdes e para" - Roli i mediave në Ballkan

Në luftë e vërteta është ajo që vdes e para. Kjo u pa edhe në kohën e luftërave në hapsirat e ish Jugosllavisë, në vitet 90-të. Luftërat nuk shpërthyen papritur, por u përgatitën mirë, ndër të tjera edhe përmes mediave.

default

Mediat dhe roli i tyre në Evropën Juglindore

Kur në vitet 90-të nacionalistët erdhën në pushtet në ish-republikat jugosllave, shumë gazetarë menjëherë u futën në karrocat e luftërave. Me shumë zell filluan t'u bien daulleve të luftës, thotë Dragoslav Dedoviq, gazetar nga Bosnje-Hercegovina dhe për shumë vite udhëheqës i fondacionit gjerman „Heinrich-Böll", në Evropën Juglindore.

„Roli i tyre ishte që të shpjegojnë qëllimet nacionaliste të elitave politike dhe t'i përhapin në popull. Pushtetmbajtësit e kishin kuptuar se në kasaphanet e tyre kanë nevojë për media, para së gjithash për ato elektroniket. Së pari për televizionet, të cilat kanë mundur me sukses t'i mobilizojnë masat për luftë. Ishte ky roli më i rëndësishëm i mediave atje."


Dëgjueshmëria - Rregulli kryesor i gazetarëve ballkanas


Në këtë mënyrë, gazetarët ndoqën një rregull që e kishin ndjekur për dekada të tëra në Jugosllavinë socialiste - dëgjueshmërinë. Në televizionet shtetërore ata nuk ishin mësuar të raportonin në mënyrë kritike. Ata aplikonin vetëcenzurë dhe raportonin ashtu si u përgjigjej autoriteteve.



Gjërat nuk kanë ndryshuar shumë as pas luftës, ndënëse tregun e kanë vërshuar media të pavarura. Strukturat e vjetra janë ruajtur edhe në kohërat e reja, thotë Zharko Puhovski, politolog dhe aktivist i të drejtave të njeriut në Zagreb.

"Përkundër ndërgjegjës gazetareske, krijuesit kryesor të opinionit, as para luftës e as pas luftës nuk ishin në radhët e para të atyre që raportojnë për të vërtetën. Ata vetëm i kanë transmetuar publikut vendimet e marra politike. Kur politika donte luftë, donin edhe ata. E tani kur politika do të bashkëpunojë me kundërshtarët e dikurshëm, duan edhe ata."



Mungesa e raportimit serioz - Problemi kryesor i mediave


Problemi kryesor është që mediat e njëjta e shumë shpesh edhe gazetarët e njëjtë, të cilët deri para disa vitesh ishin në radhën e luftënxitësve, tani janë shëndërruar në engjëj paqeje dhe duan të ndihmojnë në tejkalimin e së kaluarës. Andaj nuk duhet të habitesh për faktin që nuk mund ta luajnë këtë rol, pohon Dedoviq.

"Nuk ka raportime serioze për natyrën e vërtetë të luftërave të kaluara, përgjigjesinë dhe fajin. Përgjigja në këtë pyetje dhe lidhur me drejtësinë i është lënë Tribunalit të Hagës për krime lufte, me qëllim që në vendet e tyre ata të mos përballen me këto gjëra."


Pas luftës, shtrohet pyetja: cfarë duhet bërë në të ardhmen? Në shumë raste, viktimat dhe xhelatët ishin fqinj. Ata duhet të mësojnë tani të jetojnë me të kaluarën e rëndë. Alternativat e vetme janë normalizimi apo pajtimi, pra është zgjedhur normalizimi si forma më e lehtë dhe më pak e dhimbshme, që do të thotë se jetojnë pranë njëri-tjetrit por jo me njëri-tjetrin dhe nuk nënkupton përballjen me të vërtetën e hidhur nga e kaluara. Në këtë proces ka ndihmuar shumë edhe bulevardizimi i mediave, por ka dhe raste të tjera, shpjegon Puhovski.

"Normalizimi trajtohet në nivelin më të ultë gazetaresk, për shembull përmes bisedave të ndryshme në televizione apo muzikë popullore. Flitet madje edhe për viktimat e e palës tjetër, me emra dhe histori të vecanta. Kjo nuk është shumë, por është më shumë se para disa vitesh."


Megjithatë gjatë luftës dhe sot ka media të cilat raportojnë në mënyrë objektive, por në të shumtën e rasteve fjala është për media të vogla, me një ndikim shumë të kufizuar, konstaton Dedoviq.


Në hapësirat e ish-Jugosllavisë ka shenja të shumta për normalizimin e raporteve ekonomike dhe kulturore. Kundërshtarët e dikurshëm në luftë Serbia, Kroacia dhe Bosnje-Hercegovina tani tregojnë mes vete, njerëzit udhëtojnë pa pengesa në vendet tjera dhe vizitojnë koncertet e muzikantëve të njohur nga vendet fqinje. Ky zhvillim mund të quhet si lloj normalizimi, ku mediat kanë luajtur rolin e vet. Nuk kanë bërë asgjë më shumë, por as më pak.

Autorë: Zoran Arbutina/ Angjelina Verbica

Redaktoi: Sonila Harasani

  • Data 30.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I0VI
  • Data 30.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I0VI