Në Lajpcig ″i gjithë qyteti feston panairin e librit 2010″ | Gjermania | DW | 18.03.2010
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Në Lajpcig "i gjithë qyteti feston panairin e librit 2010"

Sot (18.03.) hap dyert panairi i librit në Lajpcig. Me gjithë vështirësitë e shkaktuara nga kriza ekonomike në panairin e Lajpcigut 2010 prezantohen rreth 2.000 shtëpi botuese nga 39 vende të botës.

Logoja e Panairit të Librit në Lajpcig

Logoja e Panairit të Librit në Lajpcig

Slogani i Lajpcigut "I gjithë qyteti feston panairin e librit" nuk është i ekzagjeruar, sepse në ndryshim nga panairi i librit në Frakfurt që është i orientuar më tepër nga biznesi, në Lajpcig aktivitetet që lidhen me panairin si dhe panairi vetë janë mjaft të afërta me publikun. Kudo në ndërtesat tradicionale të qytetit zhvillohen orë letrare me pjesëmarrjen e autorëve, seminare dhe aktivitete të tjera.

Por kohët që panairi i librit në Lajpcig numëronte vazhdimisht rritje të numrit të vizitorëve dhe të stendave të shtëpive botuese kanë marrë fund. Kriza ka bërë punën e saj edhe në këtë fushë thotë drejtori i panairit Oliver Zille duke shtuar:

Në foto drejtori i panairit Oliver Zille

Në foto drejtori i panairit Oliver Zille

”Gjithësesi disa gjëra duhet t'i shohësh të diferencuara. Disa sektorë shënojnë rritje, të tjerë kanë vështirësi dhe u duhet të ristrukturohen. Për ne si panair kjo do të thotë se buxhetet e shtëpive botuese për marketingun nuk po shtohen, madje edhe po pakësohen dhe na duhen shumë më tepër përpjekje për ta mbajtur panairin në të njëjtin nivel.“

Me gjithë vështirësitë në panairin e Lajpcigut prezantohen rreth 2.000 shtëpi botuese nga 39 vende të botës. Kjo lidhet me strategjinë e këtij panairi për t'u përqendruar në disa sektorë bosht, gjë që vlerësohet si nga publiku edhe nga përfaqësuesit e biznesit. Ndër to bëjnë pjesë letërsia artistike, botimet shkollore si dhe nxitja e të lexuarit. Vend të gjerë panairi u kushton shtëpive botuese të vogla dhe të pavarura.

Tregu gjerman i librit dëshmon se lexuesit po interesohen gjithnjë e më tepër edhe për libra që nuk përfshihen në listat e librave "best seller", libra pra që botohen nga shtëpi botuese që kanë një asortiment të specializuar dhe jo të mbingarkuar.

Aktivitetet që shoqërojnë panairin e Lajpcigut zhvillohen nën titullin "Maratona e Leximeve". Rreth 1.500 autorë do të lexojnë gjatë rreth 2.000 aktiviteteve të ndryshme pjesë nga librat e tyre. Edhe në këtë drejtim del në pah specifika e panairit të Lajpcigut:

Nobelisti gjerman i letërsisë Günter Grass

Nobelisti gjerman i letërsisë Günter Grass

„Ne kemi ftuar shumë autorë me emër, por edhe autorë të rinj shumë premtues si gjermanë edhe evropiano-lindorë. Po ashtu veç dy nobelistëve gjermanë të letërsisë Herta Müller dhe Günter Grass, në panair do të vijë edhe nobelisti i Paqes nga Polonia Lech Walesa“, sqaron drejtori i panairit Oliver Zille.

Tradicionalisht ne ceremoninë e hapjes së panairit dorëzohet edhe çmimi i "Panairit të Lajpcigut për Mirëkuptimin Evropian". Me këtë çmin nderohet sivjet historiani, publicisti dhe romancieri hungarez György Dalos.

Autor: Silke Bartlick / Esat Ahmeti

Redaktoi: Elert Ajazaj