1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në Kosovë, udhëheqësit politik dhe BE përpiqen t’i bindin serbët e Kosovës të përfshihen në decentralizim

Në Kosovë, udhëheqësit politikë dhe misioni i BE-së, po përpiqen t’i bindin serbët e Kosovës të përfshihen në procesin e decentralizimit. Ata u garantojnë serbëve përgjegjësi të plota në arsim, shëndetësi, kulturë etj.

Prishtinë

Prishtinë

Qeveria dhe prania ndërkombëtare në Kosovë, decentralizimin e shohin se mundësinë më reale që serbët e Kosovës të përfshihen në institucionet kosovare. Shumë shpejtë ata do të nisin në praktikë krijimin e komunave të reja. Për tri vjetë, sipas autoriteteve kosovare, vendi do të ketë 38 komuna, dhjetë nga to më shumicë serbe dhe një me shumicë turke. Decentralizimi i pushtetit lokal u mundëson komuniteteve pakicë që të jenë pjesë e vendimarrjes në komunat ku ata jetojnë. Autoritetet të gjithë tash energjinë do ta koncentrojnë tek komuniteti serb që të përfshihen në procesin e decentralizmit, sepse serbët ka kohë që nuk pranojnë fare të flasin për këtë proces. Ministri i pushtetit lokal Sadri Ferati, serbëve të Kosovës u merr shembull krijimin një vit më parë të një komune me shumicë turke, Mamusha afër Prizrenit, e cila tashmë gëzon frytet e decentralizimit.


Rasti i Mamushës dëshmon se si një lokalitet dhe një fshat, është shndërruar në një qytezë shumë simpatike dhe me një perspektivë të qartë, që do të jetë në gjendje që qytetarëve të saj t'u shërbejë edhe në aspektet tjera, siç janë arsimi, shëndetësia dhe të gjitha fushat tjera, në të cilat ajo komunë, sikurse edhe komunat tjera, ushtron kompetencat e saj”, theksoi ministri Ferati.

Por, serbët e Kosovës çështjen e decentralizimit e ndërlidhin me politikën dhe synimet e Kosovës që të shtrijë autoritetin edhe në vendbanimet serbe gjë që për ta është e papranueshme. Ata dëshirojnë që veriu i Kosovës përfshirë edhe veriun e qytetit të Mitrovicës të jetë tërësisht i kontrolluar nga serbët. Serbët nuk pranojnë që pjesa veriore e Mitrovicës të funksionojë së bashku me komunën shqiptare në jug e paraparë në planin e Marti Ahtisarit. Ja si shpjegon një përfaqësues i serbëve të veriut të Kosovës, Nebojsha Joviç.

“Në fund të fundit, nuk është vetëm lumi Ibër ai që i ndan shqiptarët dhe serbët, por janë edhe ngjarjet që janë zhvilluar në dekadat e shkuara.Nëse dështon opsioni që veriu i Mitrovicës të funksionojë në mënyrë të pavarur, nga komuna jugore shqiptare, atëherë mund të kalohet në një opsion tjetër, që veriu i Mitrovicës t'i bashkohet komunës së Zvecanit. Udhëheqësit lokalë serbë të pjesës veriore e kanë dëshmuar se mund të funksionojnë në veri si qytet më vete”, thotë Nebojsha Joviç.

Por, me këtë konstatim nuk pajtohet zyra civile ndërkombëtare në Kosovë e udhëhequr nga Peter Faith. Rafael Nargel, përfaqësues për decentralizim në këtë zyrë.

“Që ky proces të jetë i suksesshëm, të gjithë kosovarët, nga të gjitha komunitetet, duhet të binden se decentralizimi nuk paraqet kërcënim, por ndikon në përmirësimin e jetës së tyre”, thotë Rafael Nargel.

Decentralizimi i pushtetit lokal, vazhdon të jetë pjesë e planit të Marti Ahtisarit për të cilin autoritet kosovare janë zotuar që ta zbatojnë në praktikë. Dy gjëra janë menduar në kohën kur është hartuar plani: decentralizimi të jetë një proces që ndikon pozitivisht në integrimin e pakicës serbe në Kosovë dhe ky proces u siguron atyre një autonomi shumë të gjerë në komunat ku ata jetojnë; si dhe që serbët të marrin përgjegjësi të plota në fushën e arsimit, shëndetësisë, në kulturë, regjistrim të bizneseve dhe ndërmarrjeve. Kjo do t'u mundësojë atyre zhvillimin ekonomik të vendbanimeve.

  • Data 25.02.2009
  • Autor Bekim Shehu/Prishtinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/H1Dk
  • Data 25.02.2009
  • Autor Bekim Shehu/Prishtinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/H1Dk