1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në Kosovë sot shënohet dy vjetori i miratimit të Kushtetutës së Kosovës

Kushtetuta e Kosovës në masë të madhe është hartuar mbi bazat e planit të Ahtisarit dhe garanton të drejtat e pakicave, sidomos të komunitetit serb. Por nga serbët e Kosovës, sidomos në veri nuk e njohin shtetin e Kosovë

default

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci, duke folur me rastin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 qershor 2008

Kushtetuta e Kosovës në masë të madhe është hartuar mbi bazat e planit të Marti Ahtisarit dhe ajo garanton të drejtat e pakicave, në mënyrë të veçantë ato të komunitetit serb. Mirëpo serbët e Kosovës, sidomos ata të veriut të vendit, nuk njohin shtetin e Kosovës dhe në këtë pjesë nuk zbatohet në tërësi Kushtetuta e Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës u miratua dy vjetë më parë, një muaj e gjysmë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ndër dispozitat e saj të para thuhet se Kushtetuta siguron pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Kosovës dhe mbron sovranitetin në marrëdhëniet ndërkombëtare. Zyrtarë të lartë të qeverisë së Kosovës thonë se Kushtetuta është moderne, u përshtatet rrethanave dhe vullnetit të qytetarëve, por edhe prezencës ndërkombëtare. Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuci thotë për DW se gjatë dy vjetëve, që nga miratimi i Kushtetutës, Kosova ka ndërtuar intsitucionet e saj, mirëpo telashe ka akoma në veri të Kosovës, pjesë kjo e banuar më shumicë serbe.

Hajredin Kuci deputy in the Kosovo Regierung Deutsche Welle

Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuci

“Eshtë e vërtetë se në veri të Kosovës nuk funksionon plotësisht rendi dhe ligji, me këtë as Kushtetuta dhe fryma e saj me ligjet e tjera, por ne po bëjmë përpjekje të vazhdueshme me faktorin ndërkombëtar, që një gjë e tillë të ndodhë. Mos harroni shtetet e reja, gjithmonë janë sfiduar në fillimin e tyre”, thotë Hajredin Kuci.

Qeveria e Kosovës dhe prania ndërkombëtare tashmë ka kohë që kanë hartuar një strategji për veriun e Kosovës, e cila për synim ka vendosjen e rendit dhe ligjit rrjedhimisht edhe zbatimin e Kushtetutës. Në këtë linjë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuaram, Ban Ki Mun, u ka kërkuar institucioneve të Kosovës që të bëjnë kujdes në zbatimin e kësaj strategjie, sepse në veri sipas Ban Ki Mun situata e sigurisë akoma është e brishtë. Zëvëndëskryeministri Hajredin Kuci, thotë se Prishtina zyrtare këtë deklaratë të sekretarat Ban Ki Mun e cilëson si një përkujdesje të shtuar për veriun e Kosovës.

“Kjo është një përkujdesje e shtuar, mirëpo kjo nuk nënkupton se Kosovës i cenohet e drejta për ta ushtruar sovranitetin e vet në tërë territorin e saj, por natyrisht kjo duhet të bëhet me një bashkëpunim me popullatën lokale dhe duke pasur kujdes për të mos ngritur tensione të reja”, thotë Hajredin Kuci.

Kushtetuta e Kosovës dy vjet më parë u hartua në bazë të planit të kryendërmjetësit, Marti Ahtisari. Ajo në masë të madhe merr për bazë të drejtat e pakicave. Profesori i në fakultetin juridik të Universitetit të Prishtinës, Ismet Salihu, thotë për programin tonë se në Kosovë dita ditës krijohen realitete të reja, mirëpo kjo sipas tij nuk do të thotë se duhet ndërruar Kushtetuta, por duhet miratuar ligje.

Ismet Salihu professor Law Faculty of Universität Pristina interview Deutsche Welle

Profesori e fakultetit juridik të Prishtinës, Ismet Salihu

“Për të funksionuar një shtet ligjor duhet afërsisht të nxirren rreth 800 ligje dhe po ashtu edhe rreth 800 akte nënligjore. Në Kosovë deri tash janë nxjerrë mbi 300 ligje, kështu që Kosovës i nevojitet të ketë edhe rreth 500 ligje të tjera, por më e rëndësishmja është që të zbatohen ato ligje”, thotë profesori Ismet Salihu. Mirëpo që të respektohen ligjet, sidomos në veri të Kosovës, aty ku ka më së shumti probleme, duhet të funksionojnë edhe gjykatat. Kjo në veri të Kosovës nuk po ndodh, sepse Prishtina nuk pajtohet që gjykatësit serbë, të cilët punojnë edhe në gjykatat paralele serbe të mbështetura nga Beogradi të punojnë në gjykatat në veri, ashtu siç preferon Beogradi. Enver Peci, kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, thotë për programin tonë se mosfunksioni i gjykatave në veri drejpërdrejt prek mosfunksionimin e kushtetutës së Kosovës.

“Kjo ka qenë edhe arsyeja e frikës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës se mos po bëhët një praktikë që gjyqtarë të emëruar nga një sistem tjetër gjyqësor të punojnë në sistemin gjyqësor të Kosovës”, thotë Enver Peci.

Sidoqoftë autoritetet në Prishtinë thonë se Kushtetuta e Kosovës garanton të drejtat e pakicave dhe me dispozita të veçanta ajo garanton të drejtat e serbëve të Kosovës. Ata i bëjnë thirrje komunitetit serb, sidomos atyre të veriut të Kosovës, që të integrohen në shoqërinë kosovare për të realizuar të drejtat e tyre kushtetutese.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi; Angjelina Verbica

  • Data 09.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MrhC
  • Data 09.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MrhC