1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në Kosovë, reformë zgjedhore apo zgjedhje të reja?

Presidenti Thaçi nisi debatin për reformën zgjedhore. Por, takimi i tij i parë u bojkotua nga partitë opozitare.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nisur debatin për reformën zgjedhore në Kosovë, duke ftuar në një tryzë në zyrën e tij, përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike, përfaqësues të pranisë ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile. Njëra ndër propozimet e reja për reformën zgjedhore ishte ajo e vetë presidentit, që numri i deputetëve në kuvend të zvogëlohet nga 120 sa i ka aktualisht parlamenti në 100 vende. Po ashtu të garantohen dy  vende edhe për dy komunitete pakicë, malazezët dhe kroatët. Kjo tryezë e partive politike e ftuar nga Presidenti Thaçi, u bojkotua nga partitë opozitare, të cilat, drejtpërdrejt e akuzuan Presidentin, për si thanë "në kohën sa ishte kryeministër, vetë zoti Thaçi e ka bllokuar reformën zgjedhore”.

Presidenti tha se ndryshimet në reformën zgjedhore mund të ndodhin, por gjithnjë duke e ruajtur përfaqësimin aktual të partive shqiptare, por edhe të pakicave kombëtare, ashtu sic e ka paraparë pakoja e Marti Ahtisarit  mbi bazën e së cilës është shpallur pavarësia e Kosovës. Pakicat kombëtare kanë  20 vende të rezervuara dhe kësaj mund t'i shtohen edhe dy vende nga pakica malazeze dhe ajo kroate në Kosovë. "Është mundësia e zvogëlimit të numrit të deputetëve nga 120 në 100, apo edhe më pak. Si dhe mundësia e dytë, që të shtohen edhe dy deputetë

 të komuniteteve tjera, pra të ndodhë përfaqësimi i komunitetit malazez dhe atij kroat”, tha Presidenti Hashim Thaçi.

Zgjedhja e drejtpërdrejtë e Presidentit nga qytetarët

Një propozim tjetër që është përmendur edhe katër vjet më parë kur kishte një nismë për reformën zgjedhore, ishte edhe  mundësia e zgjedhjes së drejtpërdrejt të Presidentit të Kosovës nga qytetarët. Por, që të ndodhë kjo duhet ndryshime kushtetuese, sepse, tash për tash në bazë të  kushtetutës së Kosovës, presidenti zgjedhet nga parlamenti. Me reformën zgjedhore duhet të përcaktohet qartë edhe sa zona elektorale duhet  të ketë Kosova dhe të votohet për lista të mbyllura apo të hapura. Deri tash, Kosova llogaritet vetëm një zonë zgjedhore, ndërsa, listat e kandidatëve në të shumtën e rasteve kanë qenë të mbyllura.

Kosovo - Premierminister Isa Mustafa (DW/B. Shehu)

Isa Mustafa

Nevojë për reformë zgjedhore

Të gjithë  pjesëmarrësit në takim,  thanë se Kosova ka nevojë për reformë zgjedhore. Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj,  u shpreh i bindur se Kosova ka kaluar fazën e shtetndërtimit, ndërsa tash ka nevojë për reforma të thella.  Në të njejtën linjë u shpreh edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh kryeministër, Isa Mustafa, duke vënë theksin te domosdoshmëria e një koncensusi të gjerë politik. E koncensi i gjerë nevojitet për shkak që për reformën zgjedhore duhet bërë  ndryshime kushtetuese. "Ne duhet të merremi vesh në mënyrë që t'i formojmë ekipet e përbashkëta që do të punojnë me përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike dhe shoqërisë civile. Ky proces duhet të fillojë me kohë, t'i zëmë të gjitha afatet, sepse duhet procesi të përmbyllet gjashtë muaj para zgjedhjeve”, tha Isa Mustafa.

Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme

Në takimin  për reformën zgedhore të thirrur nga Presidenti Thaci, nuk morën pjesë partitë politike opozitare, lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) dhe Nisma për Kosovën. Por, në një konferencë të përbashkët, AAK dhe Nisma, thanë se ata janë për reformë zgjedhore, por, sipas tyre kjo reformë duhet të bëhet nga legjislatura e ardhshme dhe jo nga këto institucione që udhëhiqen nga PDK dhe LDK. Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme.

Pal Lekaj, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,  tha se partia e tij nuk do t'i bashkohet debatit për reformën zgjedhore sepse, sipas tij, si tha "kjo është një lojë e kryemiknistrit Mustafa”.  "Kjo është tallje dhe përpjekje për largim të vëmendjes nga problemet politike me të cilat po përballet vendi”, tha Pal Lekaj.

Valdete Bajrami, nga Nisma për Kosovën, tha se  vetë Thaçi, kur ishte  lider i PDK-së, ka qenë penguesi kryesor i reformave zgjedhore dhe për këtë arsye sipas saj, opozita nuk do të jetë pjesë si tha e "lojërave politike”.

Në tryezën për reformën zgjedhore i pranishëm ishte edhe Ismet Kryeziu, drejtor i Institutit Demokratik të Kosovës, (KDI) që vazhdimisht monitoron proceset zgjedhore në Kosovë. Zoti Kryeziu tha se  "pa një gjithëpërfshirje dhe koncensus të gjerë reformat nuk do të mund të realizohen”.

Pa gjithëpërfshirje dhe koncensus të gjerë reformat nuk mund të realizohen

Zgjedhjet e ardhme lokale parashihet të mbahen vitin e ardhshëm me 2017, ndërsa, ato parlamentare në vitin 2018.  Mirëpo,  ekziston mundësia që të thirren edhe zgjedhje të jashtzakonshme, nëse për këtë dakordohen dy paritë më të mëdha  që aktualisht janë në koalicion, PDK dhe LDK. Çështja e buxhetit të Kosovës i cili pritet të miratohet se shpejti në kuvendin e Kosovës ka përplasur qysh tash këto dy subjekte politike në koalicion, ndonëse zyrtarët e tyre thotë se koalicioni është stabil dhe ai po funksiononë mirë. Është edhe çështja e marrëveshjes së demarkacionit të cilën  qeveria e hoqi nga votimi në parlament muaj më parë. Ndonëse në bazë të numrave koalicioni PDK, LDK dhe lista "Serpska”, ka 87 deputet,

ky koalicion sipas analistëve  nuk i kishte as 80 vota sa duheshin, për ta kaluar marrëveshjen e demarkacionit, sepse, kishte deputet brenda koalicionit që u deklaruan hapur se nuk do ta votojnë marrëveshjen. Këto çështje bënë që ditët e fundit të hapet debati për shkuarjen ose jo të vendit në zgjedhje të parakohshme.