1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në Kosovë përfundojnë debatet me qytetarët për ndryshimet kushtetuese

Qytetarët propozojnë që gjatë zgjedhjes së presidentit të votohet edhe për zëvendës-presidentit, kandidatët të mos kenë dy shtetësi dhe presidenti i zgjedhur të betohet para popullit e jo në kuvendin e Kosovës.

Festimet për kushtetutën e re në Prishtinë, 15 qershor 2008

Festimet për kushtetutën e re në Prishtinë, 15 qershor 2008

Në Kosovë ka përfunduar debati me qytetarët nga të gjitha komunat e Kosovës, për ndryshimet kushtetuese në pikën që ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Qytetarët kanë propozuar shumë ide, por sipas Arsim Bajramit, kryetar i këtij komisioni, janë tri çështje për të cilat qytetarët kanë shprehur më shumë interesim, zgjedhjen e zëvendës-presidentit, çështjen e dyshtetësisë së kandidatëve dhe betimin e presidentit para popullit e jo në kuvendin e Kosovës. Komisioni për ndryshimet kushtetuese në këtë fazë është duke harmonizuar në draftin final propozimet për mënyrën e zgjedhjes së presidentit dhe këto propozime do t'ua dërgojë partive politike parlamentare, në mënyrë që propozimi para Kuvendit të jetë sa më koncensual dhe jo me shumë alternativa. Kryetari i komisionit për ndryshime kushtetuese Arsim Bajrami thotë se për ndryshimet kushtetuese do të kërkohet edhe mendimi i Komisionit të Venecias.

Kërkohet edhe mendimi i Komisionit të Venecias

“Si kryesues i komisionit, unë do të kërkoj që të merret edhe mendimi i Komisionit të Venecias, sepse ky është një komision i specializuar për çështje kushtetuese, në mënyrë që të sigurohemi se cila zgjidhje ka përkrahje në pajtim me standardet më të larta të Bashkimit Evropian, sa i përket të Drejtës Kushtetuese”, thotë Arsim Bajrami.

Mirëpo, pashmangshëm për ndryshimet kushtetuese komisioni është i detyruar që të bisedoje edhe me partitë politike parlamentare, thotë njëra nga anëtarët e komisionit, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani. Kjo për faktin që sipas saj, janë partitë politike ato që do të miratojnë në kuvend ndryshimet kushtetuese dhe për këtë arsye nevojitet një konsensus.

Nevojitet edhe koncensusi i partive politike

“Tani ne do të duhet të kthehemi te partitë politike, të cilat i përfaqësojmë, sepse partitë do të jenë përfundimisht ato që do të votojnë me dy të tretat, madje edhe dy të tretat e pakicave, sepse kërkohet shumica e dyfishtë, në mënyrë që këto amendamente të hyjnë në fuqi”, thotë Vjosa Osmani.

Në mesin e partive politike qysh tash ka dallime sa i përket dyshtetësisë së kandidatëve të mundshëm për president. Partia politike Aleanca për Kosovën e Re e biznesmenit Behxhet Pacollit, mbështet idenë që kandidimi tu mundësohet personave me dy shtetësi, për faktin që lideri i kësaj partie politike Behxhet Pacolli, i cili besohet se do të kandidojë për postin e presidentit, përveç shtetësisë kosovare ka edhe atë zvicerane. Sidoqoftë, përfaqësues të shoqërisë civile kanë pak rezerva nëse mendimet e qytetarëve mund të përfshihen në ligjin për ndryshimet kushtetuese, për faktin që komisioni me gjithë debatet me qytetar akoma nuk ka mandat që idetë dhe propozimet e qytetarëve t'i përfshijë drejtpërdrejt në ndryshimet kushtetuese. Ismet Kryeziu është nga organizata joqeveritare Demokracia në Veprim, pjesëmarrëse në debatin me qytetar.

Propozimet e qytetarëve duhet të përfshihen në ligj

“Çështjet që janë debatuar me qytetarët për ndryshimet kushtetuese, parlamenti duhet t'i marrë parasysh, sepse në fund të fundit nuk janë çështje të cilat drejtpërdrejt mund t'i prekin interesat e subjekteve politike”, thotë Ismet kryeziu.

Sidoqoftë, zyrtarët e Komisioni Parlamentar për ndryshimet kushtetuese, besojnë se deri në fund të këtij muaji, do ta përfundojnë punën në mënyrë që më pas Kuvendi me dy të tretat e votave t'i votojë këto ndryshime. Ndryshimet kushtetuese në bazë të një marrëveshje politike duhet të përfshijnë edhe një amendament shtesë, me të cilin do të shpallen zgjedhjet e para presidenciale në Kosovë. Kjo duhet të ndodhë jo më larg se gjashtë muaj pas ndryshimit të kushtetutës.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama