1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në Kosovë nisi zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të tre nëntorit

Në 37 komuna të Kosovës garojnë 224 kandidatë për kryetar. Për herë të parë këto zgjedhje organizohen edhe në veri. Institucionet premtojnë siguri.

default

Flamuri i Kosovës

Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve, KQZ, bën të ditur se për zgjedhjet lokale të tre nëntorit, garojnë 103 subjekte politike me 7,740 kandidatë për asambletë komunale. Fushata zgjedhore e cila filloi këtë të enjte (03.10) do të zgjasë deri më një nëntor. Zyrtarë nga policia e Kosovës, thonë se ata tashmë kanë vënë në funksion planin operativ që do ta garantojë një mbarëvajtje të fushatës zgjedhore. “Të gjithë pjesëtarët e policisë së Kosovës që përfshin të gjithë territorin e vendit do të jenë në gjendje gadishmërie, në mënyrë që të gjitha fazat e procesit të zgjedhjeve të kalojnë sa më sigurtë”, thotë një zëdhënës i policisë së Kosovës, Brahim Sadriu.

Në veri të Kosovës do të jenë të angazhuar edhe pjesëtarë të misionit EULEX, madje ata do të kenë përgjegjësi më të madhe për sigurinë në veri. Mirëpo njohësi i çështjeve të sigurisë Florian Qehaja, nga Instituti për Studime të Sigurisë, i tha DW se ai nuk është shumë i bindur që prania policore ndërkombëtare në veri do të mund të garantojë një situatë të qetë në pjesën me problematike të Kosovës.

“Policia e Kosovës e ka shansin e volitshëm që të ushtroj kontroll dhe të vendos rend e ligj në atë pjesë tashmë kur prania ndërkombëtare (mendoj KFOR-i dhe EULEX-i) kanë dështuar ta bëjnë. Këtu aludoj në faktin që prania ndërkombëtare do të vazhdojë të neglizhojë situatën atje, pavarësisht që ky po del të jetë një kalkulim i gabueshëm në dëm të sigurisë së përgjithshme atje, përfshirë dhe personelin e tyre”, thotë Florian Qehaja. Megjithatë, ai mendon se marrëveshjet e arrituara në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “japin nje moment të ri ku (pavarësisht dobësive) zbatimi i tyre implikon edhe shtrirjen e policisë në atë pjesë”.

Veriu i Kosovës në fokus të masave të sigurisë

Vlora Citaku Ministerin für Europäische Integration Kosovo

Vlora Citaku - ministre për Integrimin Europian të Kosovës

“Kur them përgatitjen e policisë në rastin e zgjedhjeve, mendoj në një plan policor operativ që do të përfshinin të gjitha strukturat në dispozicion (përfshirë edhe ato elite). Ky plan megjithatë do të duhet të ishte në formën e gatishmërisë vepruese dhe jo domosdoshmërish të shkohet në drejtim të një prezence shtesë. Kjo për arsye se policia për aq sa ka përgjegjësi për të ofruar siguri, duhet të sigurojë që prania e saj të jetë relativisht larg kutive të votimit”, thotë Florian Qehaja.

Vrasja e një pjesëtari të misionit EULEX ditë më parë në veri të Kosovës ka shtuar edhe më shumë pasigurinë në atë pjesë. Ministrja e Integrimeve Evropiane në qeverinë e Kosovës, Vlora Citaku, i tha DW-së, se “vrasja e pjestarit të EULEX-it në veri duhet të shërbej si një zgjim për të gjithë. “Ne e kemi ditur se normalizimi i raporteve me Serbinë dhe rrjedhimisht shtrirja e autoritetit të institucioneve të Kosovës në veri të vendit do të ketë sfida. Asnjë nga ne nuk ka pritur që ky proces të rrjedhë shumë lehtë. Mirëpo, po ashtu asnjëherë nuk është pritur që EULEX të jetë objektivi i sulmeve të rrjeteve të ndryshme kriminale apo politike, sepse në veri të vendit shpeshherë është edhe njëra edhe tjetra”, thotë ministrja Vlora Çitaku.

Sipas saj, secili zyrtar i institucioneve të Kosovës duhet të punojë shumë në përmbushjen e obligimeve që dalin nga marrëveshja e Brukselit sikurse, edhe BE-ja duhet të kërkojë më shumë nga ana e Beogradit në përmbushjen e detyrimeve karshi procesit të normalizimit të raporteve me Kosovën”. Zyrtarë nga qeveria e Beogradit tashmë kanë kërkuar që të marrin pjesë në fushatën zgjedhore në Kosovë me qëllimin që siç thonë, “tu bëjnë thirrje serbëve që të dalin në zgjedhje që do të shënonte edhe zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi. Mirëpo qeveria e Kosovës ka marrë vendim që asnjë zyrtar nga qeveria e Beogradit mos ta lejojë që të hyjë në Kosovë gjatë kohës së fushatës zgjedhore. Ky vendim ka irrituar nërkohë kryeministrin e Serbisë Ivica Daciq, i cili ka kërcënuar me ndërprerje të dialogut nëse qeveria e Kosovës nuk e tërheq vendimin.