1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në Kosovë koalicioni PDK-LDK po harmonizon programin qeverisës

Analistët politikë thonë se koalicioni PDK-LDK garanton qëndrueshmëri institucionale, mirëpo do të kalojë nëpër shumë sfida, që e presin Kosovën. Përmendet Gjykata Speciale.

Të dy partitë politike më të mëdha në Kosovë, PDK dhe LDK, që tashmë ndërtuan koalicionin për të qeverisur vendin, thonë se gjatë kësaj jave do të saktësohet data e vazhdimit të seancës konstituive, ku do të zgjidhen organet drejtuese të kuvendit dhe qeverisë së ardhshme. Në një deklaratë të përbashkët për media, këto dy subjekte politike zotohen se do të ndërtojnë institucione, siç thonë kredibile.

“Të dy kryetarët e partive respektive, si partnerë të koalicionit, shprehin zotimin e tyre për të punuar në mënyrë intensive për t'iu dhënë qytetarëve të Kosovës institucione kredibile, të afta për të çuar përpara agjendën e zhvillimit ekonomik, sundimin e rendit dhe ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe procesin e integrimeve euro-atlantike”, thuhet në deklaratën e përbashkët të PDK-së dhe LDK-së.

Grupet punese të dy partive tashmë janë duke u takuar intensivisht për ta përmbyllur marrëveshjen politike dhe harmonizimin e programit të ardhshëm qeverisës. Tash për tash akoma është e paqartë, sesi do të ndahen resorët ministrorë, sikundër akoma nuk përmendet se kush do të jetë në krye të institucioneve të Kosovës.
Sidoqoftë disa nga analistët politikë vlerësojnë se koalicioni ndërmjet dy partive më të mëdha politike PDK-LDK, është i mirëpritur nga bashkësia ndërkombëtare, ndonëse prania ndërkombëtare në Kosovë nuk kanë dhënë ndonjë vlerësim për koaliconin, pos që përsërisin kërkesën për ndërtimin e shpejtë të institucionevë të Kosovës.

Blerim Burjani, nga Instituti i Kosovës për Politika Zhvillimore (IKPZH), i tha DW se koalicioni ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, (PDK-LDK), krijon qëndrueshmëri institucionale.

“Është i mirëpritur për bashkësinë ndërkombëtare, favorizon politikën ndërkombëtare dhe synimet e saj rreth regjionit të Ballkanit. Kosova do të kalojë gjatë kësaj periudhe kohore në disa stade: themelimi i gjykatës speciale, zbatimi i marrëveshjes për veriun, ndjekjet penale, që pritet të fillojnë në mars të vitit të ardhshëm nga EULX-i, dialogu me Serbinë deri te një marrëveshje për fqinjësi të mirë, ndryshimet kushtetuese në Kosovë etj”, thotë Blerim Burjani.

Ndërkohë një analist tjetër politik, Naim Rashiti, nga Instituti “Grupi për Hulumtimin e Politikave të Ballkanit”, thotë se marrëveshja në parim ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, do të marrë kohë të konkludohet. “Marreveshja PDK-LDK do të marrë kohë të konkludohet. Vetëm pas fillimit të negociatave përfaqësuesit e tyre do t'i kuptojnë dallimet e mëdha që ekzistojnë në mes tyre dhe do t'ju duhet punë dhe mund t'i përafrojnë. Ky është vetëm fillimi, jo domosdoshmërisht rezultati final. Ky proces i negociatave do të tregojë, se a janë në gjendje PDK e LDK të vetme të finalizojnë marrëveshjet apo do të ju duhet intervenim i jashtem permanent, apo ndoshta edhe një aktor i tretë politik për të bërë një marrëveshje më të gjerë. Pra kjo determinon se e do të kemi vetëm koalicion PDK-LDK, apo ndoshta të dyja do ta ftojnë edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. LDK është me e prirur të ftoj edhe një partner tjetër. Së çfarë ndodh, përcakton se kush do të jetë kryeministër dhe se çka do të ndodhë me liderët e partive”, thotë Naim Rashiti.

Sidoqoftë, tash për tash asnjë zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), akoma nuk ka pranuar të flasë se kujt do t'i takojë posti i kryeministrit, duke thënë se janë grupet punuese të të dyja partive ato që do të harmonizojnë qëndrimet për ndarjen e posteve. Mirëpo zyrtarë të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK) thonë se kjo parti ka vetëm një emër për kryeministër të Kosovës e ai është lideri i kësaj partie Isa Mustafa.

Përfaqësuesit e dy partive tjera politike, ata të lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancëës për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK), vazhdojnë ta kritikojnë ashpër marrëveshjen e koalicionit PDK-LDK, duke shprehur bindjen se “ky koalicioni i krijuar ka për synim dëmtimin e demokracisë, vazhdimin e keq-qeverisjes, rritjen e shpenzimeve qeveritare, rritjen e luksit të qeveritarëve dhe varfërimin e qytetarëve të Kosovës”.