1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në Kosovë do të mbeten dhjetë mijë ushtarë

Dhjetë vjet pas luftës së Kosovës, NATO ka zvogëluar numrin e trupave në Kosovë. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hoop Skefer deklaroi se në fund të vitit, numri i trupave të NATO-s do të reduktohet më tej.

Ushtarë gjermanë në Kosovë.

Dhjetë vjet pas luftës së Kosovës, NATO-ja merr vendimin e zvogëlimit të numrit të trupave të saj në Kosovë.

Dita për shpalljen e reduktimit të trupave në Kosovë nuk mund të qe zgjedhur më e përshtatshme. Pothuaj këtë ditë, dhjetë vjet më parë, NATO-ja u fut në Kosovë për t'i dhënë fund spastrimeve etnike nga ushtria serbe. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Franc Jozef Jung ishte i pari që e deklaroi vendimin, në një kohë kur takimi me 27 kolegët e Aleancës Ushtarake ende nuk kishte nisur. Jungu deklaroi, se trupa e Kosovës do të zvogëlohet gradualisht: "Kjo do të thotë: si hap i parë, nga 14 400 në 10 mijë ushtarë. Dhe më pas ne do t'i vlerësojmë zhvillimet e mëtejshme në bazë të gjykimit përkatës për gjendjen. Në këtë kuadër ne do të ndërmarrim reduktimin e përshtatshëm të ushtarëve tanë." Ministrat e mbrojtjes vërtet nuk ranë dakord, për një datë konkrete tërheqjeje, këtë do ta bëjnë së shpejti ambasadorët. Për rreth 2 300 ushtarët e Bundesverit të stacionuar në Kosovë, kjo do të thotë që rreth 700 mund të presin që për Krishtlindje të jenë pranë familjeve të tyre.

Takimi i Këshillit të Ministrave të Natos në Bruksel.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Franc Jozef Jung ishte i pari që e deklaroi vendimin për reduktimn e trupave, në një kohë kur takimi me 27 kolegët e Aleancës Ushtarake ende nuk kishte nisur.

I mundur reduktimi i trupave u bë, pasi gjendja në Kosovë u qetësua më shpejt se ç'pritej. Vetëm një vit e gjysmë më parë, Kosova shpalli njëanshëm pavarësinë e saj - përkundër rezistencës së vendosur të qeverisë serbe në Beograd. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop - Skefer theksoi se, trupat e KFOR-it do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë me një numër të konsiderueshëm. Nato-ja vetë flet për një potencial frikësimi: "Ne do të mbetemi përgjegjës për një ambjent paqësor dhe të sigurtë", tha kreu politik i Aleancës, "për aq kohë sa kjo të jetë e nevojshme për shumicën shqiptare dhe pakicën serbe."

Ushtarë francezë në Kosovë.

I mundur reduktimi i trupave u bë, pasi gjendja në Kosovë u qetësua më shpejt se ç'pritej.

Gurin për tërheqjen e trupave e vunë në lëvizje të parët spanjollët, që në fillim të vitit. Ministrja spanjolle e mbrojtjes, Karme Çakon (Carme Chacon) deklaroi papritur gjatë një vizite të trupave spanjolle në Kosovë, se Madridi do t'i kthente në shtëpi ushtarët spanjollë. Pas kësaj në radhët e NATO-s, u përhap shqetësimi, se edhe vende të tjera mund të ndiqnin këtë shembull dhe tërheqja e trupave mund të merrte pamjen e një arratije të pakontrolluar. Vërtet që spanjollët u bindën në fund, që të qëndronin edhe disa kohë. Ministrja e mbrojtjes megjithatë e sheh veten tani të konfirmuar në qendrimin e saj: "Ne spanjollët e përshëndesim faktin, që edhe shtete të tjera e aprovuan reduktimin e trupave të tyre."

Përmirësimi i gjendjes së sigurisë në Kosovë, është vetëm njëri nga shkaqet për tërheqjen e pjesshme. Një shkak tjetër është, se partnerët e NATO-s kanë nevojë për çdo ushtar, që ta dërgojnë në Afganistan. Udhëheqja e re amerikane, arriti që aleanca ta shtojë në mënyrë masive kontigjentin e trupave në Hindukush. Ky është edhe një nga shkaqet, pse ushtarët po tërhiqen nga angazhimet e tjera.

Autor : Peter Heilbrunner / Auron Dodi

Reaktoi : Aida Cama

  • Data 12.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I7wE
  • Data 12.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I7wE