1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në Kosovë dështon zgjedhja e kryetarit të Kuvendit

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajrami, nuk e mori numrin e mjaftueshëm të votave, për tu zgjedhur kryetar Kuvendi. Nuk dihet kur do të vazhdojë seanca.

Kuvendi në bllokadë

Kuvendi në bllokadë

Në Kuvendin e Kosovës, të enjten (18. 09. 2014) ka vazhduar seanca konstituive me të vetmen pikë të rendit të ditës, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe e kryesisë. Seanca zgjati vetëm 10 minuta., pasi subjektet poliotike nuk ishin dakord për kandidatin e propozuar.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) si partia fituese e zgjedhjeve të tetë qershorit, propozoi kandidatin e saj për kryetar Kuvendi, profeson Arsim Bajrami. Në procesin e votimit të hapur me ngritje dore, kandidati Arsim Bajrami i PDK-së mori 44 vota. Ndërsa 61 ishin kundër. Në këtë mënyrë Bajrami nuk u zgjodh kryetar Kuvendi, sepse nevojitën të paktën 61 vota për, nga 120 deputet sa ka Kuvendi i Kosovës. Kryesuesja e seancës, deputetja më e moshuar Flora Brovina, që vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ndërpreu seancën duke kërkuar nga deputetët që me shkrim të kërkojnë për vazhdimin e seancës.

Haliti: PDK nuk heqë dorë nga ky post

Përfaqësues të PDK-së thonë se pas dështimit të parë për zgjedhjen kryetar të Kuvendit të kandidatit të tyre, ata serish në seancën e radhës do të tentojnë ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit . PDK pohon se sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese u takon serish atyre ta propozojnë kandidatin. Kështu tha pas seancës, Xhavit Haliti, deputet nga PDK-së. Sipas tij, mënyra më e lehtë për të përfunduar konstituimin e Kuvendit do të ishte një marrëveshje ndërmjet liderëve politikë.

“Nuk kemi arsye t'i drejtohemi përsëri Gjykatës, por do të shkojmë prapë në seancë, nuk do ta ndryshojmë kandidatin. Besoj se lidershipi politik në këtë rast mund të përshpejtojnë zgjedhjen e institucioneve në qoftë se do të bëhej një formulë e pranueshme për të gjithë”, tha Xhavit Haliti.

Blloku pohon se ky post i takon shumicës parlamentare

Blloku kundër

Blloku kundër

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e bllokut të Partive në Koalicion, LDK, AAK Nisma dhe Vetëvendosja, thonë se pas dështimit të kandidatit të PDK-së për tu zgjedhur kryetar Kuvendi, deputetët e bllokut do të merren vesh për thirrje të vazhdimit të seancës për ta propozuar dhe zgjedhur kandidatin e tyre, në këtë rast Isa Mustafën nga LDK-së. Kështu, tha deputetja Donika Kadaj-Bujupi deputete e AAK-së. Ndërsa deputetja tjetër e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Vjosa Osmani, tha se "PDK-ja mund të provojë sa herë të dojë me kandidatin e tyre, por nuk do t'ia arrijë të zgjedhë kryetarin e Kuvendit".

“Është e rëndësishme që numrat janë në anën tonë. Shumica parlamentare ka vullnet të ndryshëm me atë të PDK-së. Ata le të provojnë sa herë të duan, por do të dështojnë. Me këtë do të tregojnë papërgjegjësinë ndaj qytetarëve”, ka thënë Osmani.

E paqartë se kur do të vazhdojë seanca

Tash për tash akoma është e paqartë se kur do të thirret seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës.

Me datën 17 korrik blloku i partive në Koalicion, LDK AAK dhe Nisma, kishin zgjedhur me 67 vota për, Isa Mustafën, liderin e LDK-së, kryetar Kuvendi. Mirëpo PDK ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese rreth kësaj zgjedhje, që kjo parti e cilësoi jo kushtetuese.

Pas shqyrtimit të kërkesës së PDK nga Gjykata Kushtetuese, kjo e fundit zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e konsideroi si jo kushtetuese zgjedhjen e Isa Mustafës. Në aktgjykimin e plotë, Gjykata Kushtetuese e kishte definuar se të drejtën për propozimin e kryetarit të Kuvendit e ka Grupi më i madh parlamentar - që në këtë rast është ai i PDK-së. Megjithatë Gjykata ka kërkuar që deputetët të gjejnë zgjidhje kushtetuese. E këtë vlerësim të fundit të Gjykatës, përfaqësuesit e Bllokut e cilësojnë si rrugëdaljen për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nga ana e tyre.

Interesimi i madh

Të pranishëm në vazhdimin e seancës së sotme konstituive të 18 shtatorit në Kuvendit të Kosovës ishin edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar dhe të gjithë ambasadorët në Kosovë të vendeve më të industrializuara. Asnjë nga përfaqësuesit ndërkombëtar deri tash nuk ka dashur të ndërhyjë në këtë ngërç politik duke thënë se është çështje e partive politike që të gjejnë zgjidhje, me shpjegimin se u takon partive politike në Kosovë që të zgjidhin këtë problem.