1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në Kosovë dënohen 11 pjesëtarë të ish UÇK-së

Dënimi për krime lufte i 11 pjesëtarëve të ish UCK-së, ndodhi vetëm dy ditë, para se Kuvendi i Kosovës të votojë për themelimin e Gjykatës Speciale, që do të gjykojë raste të pretenduara për krime lufte në Kosovë.

default

Një panel gjyqësor i misionit EULEX nga Gjykata Themelore në veri të Mitrovicës gjeti fajtorë dhe i dënoi më burgim 11 pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dy nga ta Sulejman Selimi dhe Sami Lushtaku gjatë kohës së luftës në Kosovë ishin në strukturat e larta të UCK-së. Që të gjithë 11 pjesëtarët akuzoheshin për krime lufte, në dy procese të ndara të njohura si (Drenica 1 dhe Drenica 2). Njoftimi u bë publik nga misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX.

Në Rastin (Drenica 1) Gjykata themelore në Mitrovicë dënoi me 12 vjet heqje lirie Sami Lushtakun, ish komandant i zonës së parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aktualisht kryetar i komunës së Skenderajt. Me 6 vjet heqje lirie e dënoi Sulejman Selimin, ish ambasador i Kosovës në Tiranë. Sulejman Selimi, gjatë një periudhe të luftës ishte komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në njoftimin e misionit EULEX thuhet se Sami Lushtaku është shpallur fajtor për veprën penale të vrasjes së një civili shqiptar në shtator të vitit 1998 në një zonë në mes fshatrave Galicë dhe Dubovc të rajonit të Drenicës. Sipas trupit gjykues, të drejtuar nga EULEX-i, është vërtetuar se zoti Lushtaku në cilësinë e pjesëtarit të UÇK-së ka vrarë një civil të burgosur shqiptar të panjohur, duke e qëlluar tri herë në kokë me revole”.

Ndërsa Sulejman Selimi, po sipas njoftimit të misionit EULEX, në cilësinë e pjesëtarit të UÇK-së në bashkëkryerje me një pjesëtar tjetër të UÇK-së ka cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e një personi të paidentifikuar, i ndaluar në qendrën e ndalimit në Likoc në rajonin e Drenicës.

“Aktakuza pretendonte ekzistimin e një qendre ndalimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Likoc, ku pretendohet më tej se ushtarët e UÇK-së kishin kryer krime të luftës kundër popullatës civile (në këtë rast shqiptarë të Kosovës), mes tjerash duke e cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e disa civilëve, kurse për disa të pandehur të tjerë duke e vrarë një polic serb dhe një person tjetër civil. Të gjitha këto vepra pretendohet se janë kryer ndërmjet muajve qershor dhe shtator 1998.

Akuzat e parashtruara nga prokurori ishin për krime të luftës kundër popullatës civile të parapara dhe të dënueshme sipas neneve 22 dhe 142 të LPRSFJ (aktualisht të penalizuara sipas Neneve 31 dhe 152 të KPRK), sepse, në kundërshtim me Nenin 3 të përbashkët për Konventat e Gjenevës dhe Nenin 4 të Protokolleve Plotësuese II, ku të gjithat janë rregulla të së drejtës ndërkombëtare në fuqi gjatë kohës së konfliktit të armatosur të brendshëm në Kosovë.

Në rastin (Drenica 1), nga aktakuza u liruan dhe u shpallën të pafajshëm pesë ish pjestarë të UCK-së, Sabit Geci, Jahir Demaku, Avni Zabeli, Ismet Haxha dhe Sahit Jashari.

Vetëm disa minuta pas shpalljes së vendimit gjyqësor për rastin (Drenica 1) gjykata shpalli vendimin për dënim në rastin (Drenica 2), duke dënuar pjesëtarët e ish UCK-së të akuzuar për keqtrajtimin dhe torturimin e dëshmitarëve të njohur si A dhe B, civilë që gjatë luftës ishin mbajtur në një qendër ndalimi në Likoc të Drenicës.

Sipas vendimit të dytë Sulejman Selimi prapë shpallet fajtor dhe dënohet me tetë vjet heqje lirie. Jahir Demaku, Zeqir Demaku dhe Isni Thaçi janë dënuar me nga shtatë vjet heqje lirie. Ndërsa gjashtë të tjerë; Bashkim Demaj, Driton Demaj, Agim Demaj, Selman Demaj, Fadil Demaku dhe Nexhat Demaku, janë dënuar me nga tre vjet heqje lirie. Ky i fundit, Nexhat Demaku, aktualisht është kryetar i komunës së Gllogovcit në Kosovën qëndrore.

Prokurori i çështjes, siç thuhet në njoftimin e misionit EULEX, e mirëpriti aktgjykimin dhe urdhërin e menjëhershëm të gjykatës për paraburgimin e të pandehurve, që u shpallën fajtorë. Prokurori e vlerësoi guximin e vërtetë të treguar nga viktimat dhe dëshmitarët, të cilët i paraqitën dëshmitë e tyre në gjykatë, përkundër siç thuhet, “sfidave, frikësimit dhe vështirësive të konsiderueshme”. Palët mbrojtëse të të dënuarve paralajmëruan apelim të vendimeve, të cilat i quajtën si vendime të padrejta.