1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në Kosovë arrestohen edhe dy persona. Dyshohen për nxitje të terrorizmit

Njëri nga të arrestuarit është imam i një xhamie në rajonin e Gjilanit. Arrestimet e sotme ngrenë në 42 numrin e të arrestuarve, që dyshohen për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Policia e Kosovës arrestoi të enjten me 14.08 edhe dy persona, të cilët dyshohen për rekrutim për terrorizëm, organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist dhe nxitje të urrejtjes kombëtare, përçarjes, ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar, apo etnik. Arrestimi është kryer në rajonin e Gjilanit dhe të Skenderajt. Policia thotë se gjatë arrestimit janë sekuestruar dëshmi materiale, që ndërlidhen me akuzat.

Në një njoftim të policisë thuhet se operacioni policor ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar (Z. Q, viti i lindjes 1980, imam në xhaminë El-Kuddus në Gjilan, që dyshohet të jetë një ndër frymëzuesit kryesorë të xhihadit dhe i dyshuari tjetër L. K, viti i lindjes 1987, nga fshati Polac, Skenderaj) nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale nga kapitulli: “Veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”:

•Rekrutim për terrorizëm, sipas nenit 139 të Kodit Penal të Kosovë ( KPK-së),

•Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist, sipas nenit 143 të KPK-së,

•Nxitja e urrejtjes, përçarjes, ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar, apo etnik, sipas nenit 147 të KPK-së. Dy të dyshuarve u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Arrestimet edhe të dy personave të enjten me 14.08. pasojnë arrestimet e ditës së hënë, kur policia e Kosovës arrestoi 40 persona, që dyshohet se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak dhe që dyshohet se ishin radhitur përkrah organizatave të shpallura terroriste (ISIS dhe Al Nusra). Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi sot masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të 40 personat e arrestuar.

Prokurori i rastit, Blerim Isufaj, ka thënë se fakti, që këta persona u kanë takuar organizatave terroriste si (ISIS apo Al Nusra), u kanë dhënë bazë organeve të ndjekjes penale, që të arrestohen. Këta persona, sipas prokurorit Isufaj, përveç pjesëmarrjes në luftë në Siri e Irak u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shkojnë në këto luftëra, ka thënë prokurori Isufi.

"Sa i përket pjesëmarrjes në luftë, pothuajse të gjithë këta të arrestuar, përveç 2-3 vetave, për të cilët nuk kemi informata të sakta, të tjerët kanë qenë të gjithë pjesëmarrës. Përveç kësaj, këta veprimtarinë e vet e kanë ushtruar edhe përmes mjeteve tjera elektronike duke bërë thirrje për shkuarje në një luftë, që vërtet është e pakuptimtë dhe që bie ndesh me dispozitat e Kodit Penal të Kosovës", ka thënë Prokurori i rastit Blerim Isufaj.

Udhëheqësit kryesorë të institucioneve të Kosovës vazhdojnë ta përsërisin qëndrimin se “Kosova nuk do të jetë strehë e ekstremizmit dhe institucionet e Kosovës asnjëherë nuk do të lejojnë që vendi të shndërrohet në burim të aktiviteteve kriminale e terroriste, që kërcënojnë paqen, stabilitetin dhe rendin kushtetues”.

Edhe ambasadat në Prishtinë të vendeve më të industrializuara, ajo e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, e kanë mirëpritur aksionin e Policisë së Kosovës në kapjen e të dyshuarve për terrorizëm. Vendet e QUINT-it, kërkojnë vigjilencë të vazhdueshme ndaj kërcënimit nga ekstremizmi i dhunshëm.

“Lufta kundër përhapjes së ideologjive ekstremiste kërkon angazhimin e të gjitha segmenteve të shoqërisë së Kosovës, si dhe bashkëpunim të fuqishëm ndërkombëtar. Ne jemi të përkushtuar të punojmë me autoritetet e Kosovës, gjersa ato i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre për të garantuar sigurinë publike brenda sundimit të ligjit. Apelojmë te të gjitha institucionet relevante të Kosovës që të zgjerojnë mjetet ligjore në dispozicion, në mënyrë që të luftohen sfidat e tilla të sigurisë”, thuhej në kumtesën e lëshuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë pas arrestimit të 40 personave.