1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në Kosovë arrestohen 40 persona. Dyshohet se luftuan përkrah ISIS dhe Al Nusra

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, thotë se Kosova nuk do të jetë strehë e ekstremizmit. Ajo thotë se Institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë të pa kompromis në mbrojtjen e sigurisë kombëtare.

Policia e Kosovës arrestoi të hënën me 11.08, 40 persona shqiptar të Kosovës të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak. Arrestimi u bë nga njësite speciale të policisë së Kosovës pas bastisjeve që u kryen në 60 lokacione të ndryshme, pothuaj gjithandej Kosovës.

Sipas njoftimit të policisë, që është publikuar edhe në faqen e internetit të Policisë së Kosovës, thuhet se personat e arrestuar kanë luftuar “përkrah organizatave të shpallura terroriste (ISIS dhe Al Nusra)”.

“Operacioni policor është ndërmarrë duke vlerësuar rrezikun dhe rëndësinë për sigurinë nacionale, mbrojtjen e rendit kushtetues, ruajtjen e rendit dhe ligjit, si dhe në frymën e ruajtjes së respektimit të të drejtave të secilit person të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, duke publikuar edhe inicialet dhe datëlindjet e personave të arrestuar.

Jahajaga dënoi dukuritë: Që po nënçmojnë traditën e gjatë të tolerancës sonë fetare.

Jahajaga dënoi dukuritë: "Që po nënçmojnë traditën e gjatë të tolerancës sonë fetare."

Aksionin e policisë së Kosovës e ka përshëndetur presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, duke thënë se Kosova nuk do të jetë strehë e ekstremizmit.

Në një deklaratë të publikuar nga zyra e presidentes, thuhet se “presidentja e mirëpret dhe vlerëson lart aksionin e ndërmarrë të hënën nga mekanizmat e sigurisë dhe të drejtësisë ndaj të dyshuarve për terrorizëm, për pjesëmarrje në luftën në Siri dhe Irak.”

“Presidentja Jahjaga vlerësoi se qëllimi i operacionit, përmes të cilit u bë ndalimi i një numri të madh të dyshuarve dhe u bastisën shumë lokacione në nivel vendi, duke penguar veprimtari ilegale, që ka për qëllim inkuadrimin e qytetarëve të Kosovës në kauza terroriste, është që të sigurohet një Kosovë e lirë, e sigurt, e qetë dhe tolerante, e zhveshur nga terrorizmi dhe kriminaliteti, dukuri këto, që po nënçmojnë traditën tonë të gjatë të tolerancës fetare dhe janë në kundërshtim të plotë të vlerave dhe idealeve, mbi të cilat ndërtuam shtetin tonë”, thuhet në komunikatën e Presidences.

Presidentja Jahjaga dhjetë ditë më parë mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku u diskutua pikërisht rreziku i ekstremizmit. Presidentja thotë se “Kosova nuk do të jetë strehë e ekstremizmit dhe ritheksoi qëndrimin se institucionet e Kosovës asnjëherë nuk do të lejojnë, që vendi ynë të shndërrohet në burim të aktiviteteve kriminale e terroriste, që kërcënojnë paqen, stabilitetin dhe rendin kushtetues.”

Institucionet e Republikës së Kosovës sipas presidentes do të jenë të pa kompromis në mbrojtjen e sigurisë kombëtare. “Do të mbesim të vendosur të realizojmë përkushtimin tonë për krijimin e shtetit të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve përpara ligjit dhe për një Kosovë faktor paqeje dhe stabiliteti”, thotë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.