1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në Kosovë, akoma s’ka shpresë për dalje nga ngërçi politik

Akoma nuk dihet se kur do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të kuvendit të Kosovës. Ngërçi politik po vazhdon. Faktori ndërkombëtar nuk do të ndërhyjë për zgjidhjen e këtij ngërçi politik.

Në Kosovë blloku i partive në koalicion, Lidhja Demokratike e Kosovës, (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK), Nisma për Kosovën dhe lëvizja Vetëvendosje, vazhdojnë të kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive të parlamentit, ku pika e vetme mbetet zgjedhja e kryetarit të kuvendit. Por kryesuesja e kuvendit, deputetja Flora Brovina, akoma nuk është në gjendje të caktojë datën e vazhdimit të seancës, duke thënë se do të bëjë përpjekje që vazhdimi i seancës konstituive të mbahet sa më parë.

“Unë kam thënë se do të mundohem që sa ma shpejt që është e mundur të thërras seancën e re konstituive”, thotë deputetja Flora Brovina, e cila vazhdon të këmbëngulë, që liderët e partive politike duhet të gjejnë një zgjidhje për dalje nga ngërci politik.

Blloku i partive në koalicion, (LAN-VV), zhvilluan të hënën më datën 22.09. serish një takim për të diskutuar hapat e mëtejmë për dalje nga ngërçi politik. I nominuari i këtij blloku të koalicionit për kryeministër, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, tha se “takimi i së hënës është thirrur, për shkak se jemi shumë të shqetësuar për mënyrën se si PDK-ja përmes Flora Brovinës e ka uzurpuar siç thotë, pozitën e kryesuesit të seancës konstituive."

Koalicioni LAN-VV “ka mundur të thirret këtë javë”

"Jemi të shqetësuar, sepse nuk është mundësuar debat në seancë dhe ende nuk është thirrur vazhdimi i saj. Seanca ka mundur të thirret këtë javë. Humbja e kohës në këtë mënyrë dhe abuzimi nga ana e zonjës Brovina dhe zaptimi i institucioneve të vendit duhet ta ketë një kufi. Koalicioni LDK-AAK-NISMA bashkë me Vetëvendosjen këtë kufi do t'ia japin një ditë”, tha Ramush Haradinaj.

Javën e shkuar seanca u ndërpre, pasi deputetët dështuan të zgjedhin kryetarin e parlamentit. Kjo për faktin që blloku i partive në koalicion (LAN-VV) në njërën anë dhe (PDK) në anën tjetër, kanë qëndrime diametralisht të kundërta rreth asaj, se kush ka të drejtë ta zgjedhë kryetarin e kuvendit. PDK nuk pranon të heqë dorë nga e drejta e saj për të zgjedhur kryetarin e parlamentit në bazë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të tetë qershorit. Ndërkaq partitë në koalicion LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje, thonë se e kanë shumicën në parlament dhe nga radhët e tyre duhet të zgjidhet kryetari i kuvendit.

Ndërkohë analistët politikë thonë se zgjidhja për këtë çështje duhet kërkuar ndërmjet vetë partive politike. Analisti politik, Naim Rashti, nga Grupi për Hulumtimin e Politikave të Ballkanit, i tha DW-së, se partitë politike nuk duhet të vendnumërojnë, por të hulumtojnë dhe të gjejnë zgjidhje.

Rashiti: Mos vendnumëroni, hulumtoni dhe kërkoni zgjidhje: ajo nuk vjen nga qielli

“Flora Brovina duhet t'i thërrasë partitë sa me shpejt për konsultime dhe të caktohet data për vazhdimin e seancës që këtë javë. Përpjekje duhet të bëhen edhe deri sa të kthehet Presidentja, e cila vështirë se mund të gjeje zgjidhje të shpejtë”, thotë Naim Rashiti.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ndodhet në SHBA-së për të marrë pjesë në asamblenë e përgjithshme të OKB-së, disa herë ka deklaruar se zgjidhja e ngërçit politik duhet të gjendet brenda vetë partive politike.

Faktori ndërkombëtar nuk do të ndërhyjë për zgjidhjen e ngërçit politik

Edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuell Zhbogar, tha të marten se prania ndërkombëtare nuk do të ndërhyjë në procesin e brendshëm politik.

“Faktori ndërkombëtar nuk do të ndërhyjë për zgjidhjen e ngërçit politik. Ne mund të japim rekomandime, që sa më shpejt të tejkalohet kjo situatë”, thotë Samuell Zhbogar.

Blloku i partive në koalicion ndërkaq thotë se ata nuk do të rrinë duarkryq, nëse kryesuesja e kuvendit Flora Brovia nuk e thërret shpejt vazhdimin e seancës. Analisti Naim Rashiti thotë se koalicioni LAN-VV nuk duhet të provojë që vetë ta thërrasin seancën.

“Seanca duhet të vazhdojë sa më shpejt. Koalicioni LAN-VV nuk duhet të provojë të thërrasë seancën vetëm, por duhet t'i shkruajë Flora Brovines dhe t'i kërkojë vazhdimin e seancës. E edhe të shkojë në takimin e thirrur nga ajo”, thotë Naim Rashiti.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë u mbajtën më 8 qershor, mirëpo akoma nuk është përmbyllur konstituimi i Kuvendit, që do t'i hapë rrugë edhe krijimit të qeverisë së re. Partitë politike akoma nuk po gjejnë zgjidhje për kryetarin e kuvendit, ndërsa sfida tjetër edhe më e madhe sipas analistëve do të jetë ajo për krijimin e qeverisë.