1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Në klubin e të pushtetshmëve

Duke filluar nga janari 2011 Gjermania është sërish anëtare e përkohshme e KS.

Zgjedhja e Gjermanisë në KS në muajin tetor e gëzoi shumë qeverinë gjermane. Ajo u zgjodh anëtare që në raundin e parë edhe pse konkurrenca qe e fortë. MPJ Guido Westerwelle sheh në këtë vendim një dëshmi besimi: "Tani kemi shansin që të themi fjalën tonë për marrjen e vendimeve dhe të ndikojmë më me forcë në rastin e zgjidhjes së konflikteve rajonale."

Pra duke filluar nga janari Gjermania do të ketë mundësi të ndikojë në marrjen e vendimeve të KS-së dhe të rezolutave të tij. Kjo është hera e pestë që prej anëtarësimit të saj në OKB në vitin 1973. Për dy vjet me radhë qeveria gjermane do të ketë të drejtë të thotë fjalën e saj në forumin më të rëndësishëm të OKB-së.

Në rend të ditës do të jenë krizat aktuale dhe në KS ndikimin më të madh e kanë vendet me të drejtë vetoje që janë edhe anëtarë të përhershëm të KS: SHBA, Rusia, Kina, Franca dhe Britania e Madhe. Dhe në këtë rreth Gjermania nuk ka si të vërë ndonjë theks të veçantë, sepse KS nuk vepron si qeveritë e reja të vendi që vijnë me një program të ri. Puna e këshillit dominohet prej zhvillimeve dhe krizave aktuale.

Haiti Erdbeben Blauhelme in Port-au-Prince

Qeveria gjermane synon të angazhohet në operacionet për vendosjen dhe ruajtjen e paqes

Por ka edhe çështje me të cilat KS merret në mënyrë të vazhdueshme. Një ndër to janë operacionet për vendosjen dhe ruajtjen e paqes. Pikërisht në këto operacione të kombinuara me veprime ushtarake dhe me masa për vendosjen e paqes dhe ngritjen e strukturave të qëndrueshme civile pas rasteve të konflikteve, synon të angazhohet edhe qeveria gjermane.

Po ashtu Gjermania synon të marrë përgjegjësi edhe në sektorin e luftimit të terrorizmit si anëtare e "Komisionit për sanksionet ndaj Al Kaidës dhe talibanëve". Ky komision vendos sanksione, si p.sh. ndalimin për udhëtuar në vende të tjera për terroristë të caktuar, ose i anulon këto vendime. Vendime të tilla mund të luajnë një rol të rëndësishëm në procesin e pajtimit me talibanët në Afganistan. Ambasadori gjerman pranë OKB-së Peter Wittig sqaron se Gjermania do të angazhohet edhe në lidhje me fatin e fëmijëve që merren me zor nën armë: "Për ata ka një grup pune pranë KS, i cili merret me shpërdorimin e fëmijëve në raste konfliktesh dhe në mënyrë të veçantë me rekrutimin e tyre si ushtarë apo dërgimin në luftime. Ne duam t'i përkushtohemi në mënyrë të veçantë kësaj çështjeje. "

Gjithësesi synimi i politikës së jashtme gjermane mbetet një vend i përhershëm në KS. Veç Gjermanisë synime të tilla kanë edhe India dhe Brazili si dhe Nigeria dhe Afrika e Jugut, që kërkojnë prej kohësh një përfaqësim më të drejtë të Afrikës në KS.

Një ndër temat e para me të cilat do të merret Gjermania në kuandrin e KS në janar është referendumi në Sudanin e Jugut. Më 9 janar sudanezojugorët do të zhvillojnë një referendum për të vendosur pro ose kundër pavarësisë prej Sudanit.

Autor: Nina Werkhäuser / Pandeli Pani

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 22.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zo7E
  • Data 22.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zo7E