1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Në Kinë, Komiteti Qendror diskuton për reforma strukturore

Në Kinë, Komiteti Qendror i Partisë Komuniste është mbledhur pas dyerve të mbyllura për të vendosur para ndryshimit të planifikuar në udhëheqje vitin e ardhshëm piketa të rëndësishme politike.

Kush do ta pasojë Hu Jintao-n?

Kush do ta pasojë Hu Jintao-n?

Më shumë se 200 anëtarët e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës po diskutojnë në Pekin, sipas të dhënave zyrtare, për "reforma kulturore". Përballë rreth 500 milionë përdoruesve të internetit, udhëheqja e Pekinit është shqetësuar gjithnjë e më shumë për ndikimin e këtij rrjeti tek mendimi politik.

Pas perdeve megjithatë mendohet se diskutohet edhe për faktin se si mund të mbahen nën kontroll debati i brendshëm lidhur me pozicionet e ardhshme të pushtetit: presidenti i shtetit, Hu Jintao dhe anëtarë të tjerë të udhëheqjes kineze duhet të largohen pas një viti nga posti. Si kandidat më me shanse për të qenë pasardhës i Husë në krye të Partisë Komuniste konsiderohet zëvendëspresidenti i deritashëm, Xi Jinping. Për poste të tjera, sipas mendimit të vëzhguesve, po bëhet luftë e madhe. Sipas një informacioni të medieve, manjati kinez i ndërtimit, Liang Wengon, i cili konsiderohet njeriu më i pasur i Kinës, do të pranohet në Komitetin Qendror. Kjo u bë e ditur që në fund të shtatorit.

Rezultate zyrtare të konsultimeve katërditore priten të martën (18.10.) Në një raport të agjencisë zyrtare të lajmeve, Hsinhua, u bë e ditur se " e gjithë mençuria e Partisë Komuniste" dhe e grupimeve të tjera do të rrjedhë në vendimet për zhvillimin kulturor. Mbledhja plenare vjetore ka nisur që të shtunën.

Blogerat kërcënohen me ndëshkime

Udhëheqja e Pekinit e shtoi që para mbledhjes vjetore presionin kundër rrjeteve sociale, të cilat janë zhvilluar në Kinë në forum të informacionit dhe të shkëmbimit të mendimeve jashtë kontrollit shtetëror. Funksionari i propagandës, Wang Chen deklaroi që rrjetet sociale kanë nevojë për një rregullim më të madh. Ai i kërcënoi blogerat me ndëshkime për përhapjen e thashethemeve dhe të gjoja informacioneve të gabuara. " Ai që shpik në internet gjëra dhe përhap gënjeshtra, të cilat kanë pasoja serioze duhet të ndëshkohet rreptë, në përputhje me ligjin", thuhet në një fjalim të Wangut, të botuar nga faqja e internetit Sina.com.

Për botën e jashtme, fuqia ekonomike në ngjitje Kinë e paraqet veten të fortë dhe me besim në vetvete; brenda vendit, sistemit autoritar i duhet të luftojë me një shoqëri në ndryshim, e cila shtron pretendime dhe kërkesat e së cilës gjejnë pasqyrim në mediet e reja.

Kina ka nevojë për një "linjë të fortë mbrojtjeje ideologjike" kundër ndikimeve të dëmshme perëndimore, deklaroi shefi i propagandës Li Changchun muajin e kaluar dhe u ankua për rënien e zakoneve dhe të dinjitetit. Lakmia për para, invidualizmi, përpjekja për përfitim dhe humbja e moralit "e dëmtojnë seriozisht atmosferën sociale".

Autor: Ursula Kissel / Auron Dodi (afp, dapd)

Redaktoi: Elert Ajazaj