1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Në Kairo kthehet qetësia - pjesërisht

Në Kairo dhuna ka pushuar. Por janë lajmëruar demonstrata të tjera. Në ndërkohë, demonstruesit brohorasin në Sheshin Tahrir për ushtarakët dhe shajnë vëllezërit myslimanë.

Pas shpërthimit të dhunës midis vëllezërve myslimanë dhe jo-islamistëve, në rrugët e Kairos, të paktën për momentin është kthyer qetësia. Në disa pika kyçe të qarkullimit vazhdon të shihet prani e shtuar e policisë dhe e ushtrisë. Por shumica e kafeneve dhe e bizneseve janë rihapur, sikur të mos kish ndodhur gjë: familjet dalin shëtisin në trotuare dhe çifte të reja ecin përgjatë Nilit.

Vetëm në Sheshin Tahrir i sheh ata përsëri, ata që zhvilluan ditët e fundit në front të parë luftimet e përgjakshme me mbështetës të vëllezërve myslimanë. Janë para së gjithash të rinj të varfër. Njerëz nga pjesa e lartë e shtresës së mesme të zë pak syri këtu.

Hidhërim për dhunën

Reagimet për dhunën janë të përziera. Disa e shohin atë si fenomen kalimtar, që do të zhduket pas një ose dy javësh.Por të tjerë kanë frikë për konfrontime të reja, të ashpra. "Kam qenë shumë e dëshpëruar për atë që ka ndodhur ditët e fundit,", thotë 33 vjeçarja Abier. "Besoj se egjiptianët do të luftojnë tani si në një luftë civile. Ishte e tmerrshme."

Shumë tani shpresojnë se policia dhe ushtria do t'i vënë nën kontroll islamistët e gatshëm për dhunë. Por pa riinkuadrimin e tyre në sistemin e ardhshëm politik ka islamistë që mund të radikalizohen. Përpjekje për dialog të presidentit të ri me vëllazërinë myslimane deri tani kanë mbetur pa sukses.

Nga tribuna e oratorëve në Sheshin Tahrir vijnë para së gjithash sulme kundër islamistëve. Një zëdhënës i kërkoi publikut që ta ndalojë çdo anëtar të vëllazërisë në rrethin familiar ose shoqëror që të vijë në Kairo.

Anti-Amerikanizëm dhe nacionalizëm

Krahas sulmeve kundër islamistëve, ai që ndihet është një nacionalizëm i pakufi, i kombinuar me antiamerikanizëm, që i nxit njerëzit në Sheshin Tahrir. "Unë nuk dua, që të huajt të përzihen në çështjet e Egjiptit", thotë p.sh. Ahmedi. "Para së gjithash, SHBA. Ato duhet t'i trajtojnë si duhet egjiptianët. Për këtë ato duhet të ndërgjegjësohen". Më tej, në shesh dëgjon pa ndërprerje nga altoparlantët këngë, në të cilat i këndohet Egjiptit të dashur.

Besim i verbër te ushtria

Malli i ri më i shitur në Sheshin ku nisi revolucioni egjiptian, është portreti i ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Abdel Fattah Al- Sissi. 10 cent kushton ai, një çmim i përballueshëm nga të gjithë.

Dyshime për sinqeritetin e ushtrisë këtu nuk gjejnë vend. Pse nuk ndërhyri ushtria një ditë më parë dhe ta kishte bllokuar urën e Nilit, kur në drejtim të Sheshit Tahrir po ecnin islamistët? Magdy, një informaticien, shmanget me përgjigjen e tij. "Eshtë e vërtetë, që ushtria erdhi me vonesë. Po ushtria është e përhapur kudo nëpër Egjipt, ajo nuk mund të jetë kudo ku e kërkojnë. Po njerëzit u mbrojtën vetë."

Por megjithë nderimin për ushtrinë: shumica e demonstruesve presin tani zgjedhje demokratike. Dhe shumica duan që islamistët të marrin pjesë në to. Por kjo do të ndodhë vetëm nëse ditët e ardhshme nuk shpërthen dhuna. Demonstratat e ardhshme të mëdha janë lajmëruar.