1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në Hagë shpallet sot vendimi për Millutinoviqin

Procesi kundër ish-presidentit të Serbisë Millutinoviq dhe pesë zyrtarëve të lartë të ish-RFJ-së është procesi më i rëndësishëm për krime kundër shqiptarëve të Kosovës pas vdekjes së Millosheviqit

default

Millan Millutinoviq

Millan Millutinvoviqi dhe pesë zyrtarë të tjerë të lartë serbë, akuzohen për zhvendosje të dhunshme, deportime, vrasje dhe përndjekje të shqiptarëve të Kosovës, në pjesën e parë të vitit 1999. Së bashku me Millutinoviqin për aksione të përbashkëta dhe krime të planifikuara akuzohen zëvendëskryeministri i atëhershëm jugosllav, Nikolla Shainoviq, ish-shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Jugosllave, Dragoljub Ojdaniq, si dhe gjeneralët e ushtrisë dhe policisë Nebojsha Pavkoviq, Vlladimir Llazareviq dhe Sreten Llukiq.

Shainoviqi dhe Ojdaniqi janë dorëzuar vullnetarisht në Hagë në pranverë të vitit 2002, Millutinoviqi në janar të vitit 2003, ndërsa Pavkoviqi, Llazareviqi dhe Llukiqi gjatë vitit 2005. Në fillim të procesit Millutinoviq u deklarua:

"Nuk jam fajtor!"

Aktakuza kundër tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzisë është ngritur me 24 maj të vitit 1999, në kohën e luftës së Kosovës. Millutinoviqi dhe të tjerët akuzoheshin së bashku me ish-presidentin jugosllav, Sllobodan Millosheviq, i cili me 11 mars të vitit 2006 është gjetur i vdekur në qelinë e tij në burgun e Sheveningenit, vetëm një muaj para përfundimit të procesit për krime në Kosovë, Bosnje - Hercegovinë dhe Kroaci. Millutinoviqi, Shainoviqi dhe të tjerët llogariteshin ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë dhe njerëzit më të besuar të Millosheviqit. Ish - presidenti serb ishte i përfshirë edhe në negociatat e Rambujesë, të cilat dështuan dhjetë vite më parë.

Millutinoviqi në Rambuje thoshte se nuk po zhvillohen negociata të mirëfillta, por po shkëmbehen, siç thoshte, vetëm disa copëza letre. Sa i përket prezencës ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, ai u shpreh:

"Ne jemi dakord me atë, që pranon edhe bashkësia ndërkombatare se trupat tona janë prezente atje. Ne kemi atje ushtrinë, policinë dhe xhandarmerinë tonë, për të penguar terroristët. Prandaj nuk ka nevojë për të pasur forca të tjera ushtarake."


Vetëm disa javë në vonë, me 24 mars të vitit 1999, filloi fushata e bombardimeve të NATO-s dhe fushata e spastrimeve serbe të shqiptarëve të Kosovës. Brenda një kohe të shkurtër, forcat serbe detyruan më shumë se 800.000 kosovarë të largohen nga shtëpitë e tyre. Millutinoviqi nuk e besonte se do të akuzohet pranë Tribunalit të Hagës.

"Për këtë punë nuk kam menduar kurrë seriozisht dhe nuk besoj se do të arrijë deri tek një gjë e tillë."

Megjithatë, Millutinoviqi dhe të tjerët u detyruan të shkojnë në Hagë, për t'u përgjigjur ndaj akuzave për krime lufte.

Procesi filloi me 10 korrik të vitit 2006. Deri në verën e vitit të kaluar prokuroria ka paraqitur 113 dëshmitarë ndërsa mbrojtja 118. Në fjalët përmbyllëse, prokuroria pohonte se ka paraqitur dëshmi të mjaftueshme për "aksionin e përbashkët të krimeve", për planet për dëbimin e shqiptarëve dhe vendosjen e kontrollit të përhershëm serb në Kosovë. Prokuroria ka kërkuar dënime prej 20 viteve deri në burgim të përjetshëm.

Në anën tjetër mbrojtësit pohojnë se nuk ka ekzistuar ndonjë "Aksion i përbashkët i krimeve", prandaj as të akuzuarit nuk kanë mundur të jenë pjesë e tij. Kryetar i trupit gjykues është Iain Bonomy, nga Britania e Madhe, ndërsa anëtarët e tjerë janë bullgarja Cvetana Kamenova dhe Al Navaz Kouhan nga Pakistani.

  • Data 26.02.2009
  • Autor Bahri Cani
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/H1eA
  • Data 26.02.2009
  • Autor Bahri Cani
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/H1eA