1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Në gjyq për blasfemi ndaj myslimanizmit

Pianisti dhe komponisti turk Fazil Say duhet të përgjigjet në gjyq për blasfemi ndaj myslimanizmit. Sipas gjykimit të kritikuesve rasti i tij tregon deficitet e Turqisë në çështjen e lirisë së mendimit.

Say pati përhapur në prill nëpërmjet shërbimit të mesazheve të shkurtra Twitter disa komente, në të cilat ai bënte humor me fenë myslimane. Për shembull ai bëri pyetjen, përse një thirrje e caktuar e një muezini zgjati vetëm 22 sekonda dhe nëse muezini ka dashur të nxitojë për tek e dashura apo për tek shishja e rakisë. Duke pasur parasysh përfytyrimin mysliman për parajsën si një vend, në të cilin derdhet pa fund verë dhe ku virgjëreshat presin besimtarët, Say pyeti gjithashtu nëse qielli është lokal apo shtëpi publike.

Pasi një qytetar dorëzoi kallëzim penal, prokuroria e Stambollit nisi hetimet dhe në fillim të qershorit ajo ngriti padi kundër pianistit dhe kompozitorit 42-vjeçar. Akuza ishte kjo: Fyerje e vlerave fetare. Prokuroria kërkoi një vit e gjysmë burg. Edhe në rast se gjykata pajtohet me padinë, ka shumë të ngjarë që Say-t të mos i duhet të shkojë në burg, sepse normalisht në Turqi kthehen në dënim me kusht të gjitha dënimet nën dy vjet. Mirëpo, ai do të ishte pastaj i dënuar (për shkak të shprehjes së një mendimi).

Kritikues i njohur i qeverisë Erdogan

Në foto, Fazil Say

Në foto, Fazil Say

Por ja që Say nuk është një muzikant dosido. Ai është kompozitori më i rëndësishëm klasik i Turqisë së sotme dhe një pianist koncertesh i festuar në nivel ndërkombëtar. Por Say është edhe kritikues i ashpër i qeverisë me orientim konservatoro-fetar të kryeministrit Recep Tayyip Erdogan. Ateisti i deklaruar i sheh myslimanët e devotshëm në qeveri si katastrofë për Turqinë dhe ka folur disa herë hapur për mundësinë e emigrimit.

Për muzikantin që ka studiuar tetë vjet në Dyseldorf dhe në Berlin dhe që ka dhënë gjithandej koncerte janë tejet të dyshimtë edhe zgjedhësit konservatorë të Erdogan-it në Anadoll. Para disa vitesh Say shkaktoi zemëratë në publik duke kritikuar në formën më të ashpër zbukurimet e melodive aq të pëlqyera nga shumë turq si shprehje të “atyre që s'dinë të sillen”.

Shqetësim për imazhin e Turqisë

Në foto, Fazil Say

Në foto, Fazil Say

Për këtë arsye Say nuk mund të llogarisë me mbështetjen e qeverisë në konfliktin gjyqësor. Nga ana tjetër ai mund të gëzohet për valën e solidaritetit nga qarqe intelektuale. Një aksion mbështetjeje për Say-n në internet është nënshkruar deri tani nga gati 8.000 pjesëmarrës. Akuzat Say i hodhi poshtë. Unë vetëm sa kam përcjellë si „re-tweet“ komentet e përdoruesve të Twitter-it, thotë Say, mirëpo vetëm unë jam paditur. Vetë komentatorë që kanë përndryshe qëndrim kritik ndaj Say-t e konsiderojnë skandal procesin gjyqësor. Shqetësimi i shprehur është se kjo akuzë ka për ta dëmtuar Turqinë në nivel ndërkombëtar.

BE-ja kritikon kufizimin e lirisë së shprehjes

Ky dëm potencial e kërcënon Turqinë në një kohë kur ajo edhe pa këtë rast e sheh veten përballë kritike në rritje. Jo më larg se javën e kaluar BE-ja shprehu në raportin e saj të fundit të progresit „shqetësime serioze“ përballë kufizimit në rritje të lirisë së shprehjes. Qeveria në Ankara e përgënjeshtroi kritikën.