1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Në Gjermani askush nuk mund të detyrohet të martohet

Në radhë të parë gratë e reja bëhen viktimë e martesës së detyruar. Përmes migracionit ky fenomen ka mbërritur edhe në Gjermani. Tani parlamenti gjerman miratoi një paketë për të frenuar martesat me detyrim dhe të rreme.

default

Rreth 1.000 vajza i nënshtrohen martesave të detyruara në Gjermani çdo vit.

Janë histori si ajo në Hamburg, që kanë tronditur Gjermaninë. Një grua e re pas katër vjetësh martese të detyruar në Turqi ikën dhe kthehet në Gjermani. Në Gjermani ajo është rritur, por familja e ka martuar në Turqi dhe nga burri rrihet.

Sipas ligjit, deri tani në fuqi, gruaja dhe dy fëmijët e saj pas gjashtë muaj qëndrimi në Turqi e humbasin të drejtën e tyre të qëndrimit në Gjermani dhe në këtë mënyrë edhe shansin për t'u kthyer dhe për të shpëtuar nga martesa e detyruar.

Ndjekje penale për ata që organizojnë martesat e detyruara

Ligji i miratuar tani nga parlamenti gjerman do të parandalojë raste të tilla. Prandaj gratë e martuara me detyrim përfitojnë deri dhjetë vjet të drejtë për t'u kthyer në Gjermani. Përveç kësaj të gjithë ata që detyrojnë vajzat dhe gratë të pranojnë një martesë të detyruar, i kërcënon dënimi me burgim deri në pesë vjet, thotë ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich:

"Sinjali i qartë, që ne duam të japim më këtë, është: kush marton me detyrim gratë e reja, apo mbështet një veprim të tillë, nuk mund të thotë se mbështetet në tradita të tjera kulturore dhe fetare, por kryen një padrejtësi penale. Shoqëria jonë nuk është e gatshme, ta tolerojë këtë."

Organizata për të drejtat e gruas "Terre des Femmes" vlerëson se në Gjermani më shumë se 1000 vajza dhe gra bëhen çdo vit pre të martesave të detyruara. Ato nuk vijnë vetëm nga vende me traditë islame si Turqia, Maroku apo Nigeria, por edhe nga shoqëri hinduiste apo të krishtera si Sri Lanka, Greqia, Shqipëria, India apo Vietnami.

Symbolbild Zwangsehen mit Kindern im Jemen

Sipas ligjit të ri martesat e detyruara përbëjnë vepër penale.

Masa kundër martesave fiktive

Gjermania do të marrë masa edhe kundër martesave fiktive, që lidhen për të siguruar lejen e qëndrimit. Parlamenti gjerman vendosi, që gratë e huaja, që janë tërhequr nga burri në Gjermani, në rast ndarjeje do të përfitojnë leje qëndrimi pas një kohe më të gjatë se deri tani. Lidhur me këtë ministri i Brendshëm Hans-Peter Friedrich tha:

"Ne zgjasim në tre vjet kohëzgjatjen minimale të një martese, që është e nevojshme për të marrë lejen e qëndrimit. Në këtë mënyrë ne i pakësojmë joshjen martesave fiktive, dhe rrisim mundësinë e zbulimit të tyre si të tilla."

"Terres des Femmes" përshëndet faktin që martesa e detyruar përbën tani vepër penale. Në të njëjtën kohë dënon zgjatjen e afatit minimal të marteses, të nevojshëm për marrrjen e lejes së qëndrimit si i huaj në Gjermani. Edhe Josef Winkler i të Gjelbërve thotë se kjo shtyrje e urdhëruar nga shteti do të thotë zgjatje e agonisë së grave të martuara me detyrim.

"Vetëm se supozohet, në fakt në kundërshtim me të dhënat e të gjitha zyrave të hetimeve në të gjithë RFGJ , se sot ka më shumë martesa fiktive se më parë, gratë e martuara me detyrim duhet të rrihen një vit më shumë."

Kritikë nga opozita dhe organizatat e grave

Ligji i miratuar tani parashikon dhënien para kohe të lejes së qëndrimit në raste të posaçme. Një zgjidhje jo praktike, kundërshtojnë 50 organizata për mbrojtjen e të drejtave të grave në një apel të përbashkët. Ata janë të pakënaqur edhe nga fakti se në marrëveshjen e koalicionit ndërmjet Unionit dhe partisë liberale ishte parashikuar edhe zgjerimi i ofertave të këshillimit dhe mbrojtjes së grave të martuara me detyrim.

Ndërsa opozita i konsideron rregullat e reja në të drejtën e azilit vetëm si "simbolikë politike", ministrja e Shtetit për Integrimin, Maria Bëhmer, e vlerëson përmirësimin e mbrojtjes kundër martesës së detyruar një sinjal të rëndësishëm. Kjo tregon se shoqëritë paralele nuk kanë vend në Gjermani, thotë ajo.

Autor: Richard Fuchs / Angjelina Verbica

Redaktoi: Eliana Xhani