1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në fletëvotime, vetëm logoja e KQZ-së

Në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë do të përdoret vetëm logoja e KQZ-së dhe jo edhe ajo e Republikës së Kosovës. E gjithë kjo thuhet të jetë bërë për hirë të pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje.

Vendimi u morr pas një periudhe të gjatë debatesh për përdorimin ose jo të simboleve shtetërore të Kosovës në fletëvotimet për zgjedhjet lokale që do të mbahen me 3 nëntor.

Në njoftimin zyrtarë të KQZ-së, thuhet se “fletëvotimi përmban të gjitha elementet që kërkon Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme. Fletëvotimi do të ketë logon e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe do të jetë unik për tërë territorin e Kosovës”.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, vazhdimisht këmbëngulte që zgjedhjet në Kosovë të jenë të paanshme ndaj statusit politik, duke saktësuar që në fletëvotime të mos ketë asnjë shenjë të shtetësisë së Kosovës. "Mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë është e pranueshme vetëm nëse ato janë neutrale ndaj statusit, pra zgjedhje pa simbole shtetërore”, citojnë mediat lokale serbe kryeministrin Ivica Daçiq.

Vendimi i KQZ-së u përshëndet menjëherë nga Ambasada amerikane në Prishtinë. Në një njoftim të shkruar thuhet se “qasja e KQZ-së shërben si bazament për zgjedhje gjithëpërfshirëse, të cilat reflektojnë pjesëmarrjen e komuniteteve të cilat jetojnë në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

Ambasada amerikane inkurajon udhëheqësit politik që të vazhdojnë të punojnë së bashku për të siguruar që zgjedhjet lokale të 3 nëntorit ku pritet të marrin pjesë për herë të parë edhe serbët e Kosovës, të përmbushin standardet ndërkombëtare dhe të jenë gjithëpërfshirëse për të gjitha komunitetet.

Të gjitha partitë politike përfshirë edhe ato të opozitës, pos Vetëvendosjes, pjesëmarrëse në KQZ, janë pajtuar që në fletëvotime të jetë vetëm logoja e KQZ-së. Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Adnan Rrustemi, ka thënë për mediat lokale se ky subjekt politik “po i verifikon mundësitë ligjore për veprim dhe njëra nga to është dërgimi i vendimit të KQZ-së për fletëvotimet në Gjykatën Kushtetuese”.

Përfaqësues të shoqërisë civile, nga ana e tyre vazhdojnë të këmbëngulin që heqja e logos së Republikës së Kosovës nga fletëvotimet është shkelje e kushtetutës së Kosovës. Kështu i tha DW-së tri ditë më parë Ismet Kryeziu, nga rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, që vazhdimisht monitorojnë zgjedhjet në Kosovë. “Kolizioni i neneve brenda Ligjit Nr. 03/L-038 për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës si dhe mungesa e legjislacionit sekondar, krijojnë hapësirë për interpretime të ndryshme, te e drejta dhe detyrimi i institucioneve për përdorimin e stemës”, thotë Ismet Kryeziu.