1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në emër të kujt i ka folur Martin Schulz Serbisë?

Deklarata e Martin Schulz për Kosovën ka shkaktuar reagime të shumta në Bruksel. Qëndrimi zyrtar i Brukselit është që "Serbia duhet të normalizojë raportet me Kosovën dhe jo ta njohë patjetër Kosovën si shtet".

Ivica Daçiq dhe Martin Schulz në Bruksel

Ivica Daçiq dhe Martin Schulz në Bruksel

Kryetari i Parlamentit Evropian Martin Schulz është zyrtari i parë i lartë evropian, i cili ka deklaruar hapur se Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës nëse dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Kjo deklaratë ka shkaktuar shumë reagime jo vetëm në Beograd por edhe në Bruksel. Mendimet janë të ndara. Disa pohojnë se ky është vetëm qëndrim personal i tij. Të tjerët janë të mendimit se Schulz është "keqinterpretuar". Ndërsa të tretët se "kryetari e ka thënë hapur atë që duket shumë qartë". 

Ivica Daçiq

Ivica Daçiq

Përderisa diplomatët evropianë përpiqen të shpjegojnë se "bëhet fjalë për normalizimin e raporteve dhe jo për njohjen e Kosovës", në Qendrën për Politikë Evropiane në Bruksel thonë se duhet bërë dallimi mes kushteve formale dhe politikës reale, që ndikon në anëtarësimin e Serbisë në BE. Analistët dhe politikanët evropianë pohojnë se BE-ja nuk do të përsëritë gabimin si në rastin e Qipros. Analistja e Qendrës për Politikë Evropiane Roza Balfur pohon se deklarata e kryetarit të PE nuk është larg "nga gjendja reale që do të shtrohet në tavolikë kur të bëhet fjalë për anëtarësimin e Serbisë në BE.“

Serbia ka humbur shumë kohë

Balfur pohon se Schulz ka qenë më konkret se shumë politikanë të tjerë. Por ai e ka pasur me lehtë të flasë se sa politikanët dhe diplomatët që ndërmjetësojnë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Raportuesi i PE për Serbinë, Jelko Kaçin, për Deutsche Welle-n shprehet se "Schulz ka folur në emrin e tij personal". "Nuk mund të flitet në emër të PE, në veçanti kur dihet se pesë vende anëtare të BE-së, ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur“, thotë ai.

Raportuesi i PE për Serbinë, Jelko Kaçin

Raportuesi i PE për Serbinë, Jelko Kaçin

Kaçin pohon se Serbia ka humbur shumë kohë për shkak të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale. "Por Serbia, e cila dikur ka frenuar veten dhe tërë rajonin, tani megjithatë me hapa konkretë dhe me një koalicion tjetër, për të cilin shumëkush ka dyshuar se mund të bëjë përparime, po dëshmon se mund të veprojë më shumë se sa është pritur", shprehet Jelko Kaçin. Ai i bën thirrje Serbisë që të harmonizojë qëndrimet dhe të bëjë përpjekje sa më të mëdha për zgjidhjen e problemeve me konsensus.