1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Në duart e sigurta të Merkelit

Menaxherë fushatash elektorale, politologë dhe studiues të komunikimit diskutuan: a mund të fitohet kundër kancelares së mbifuqishme Merkel? Duket se shanset e kandidatëve të tjerë nuk janë të mira.

Salomon Reyes, strategu i fushatës elektorale të piratëve, ka një çiltërsi freskuese. "Në 2009 në morëm 800.000 vota vetëm me Zensursula. Edhe këtë herë do të gjejmë përsëri një person dhe do ta vëmë plotësisht në shënjestër." Në zgjedhjet e mëparshme parlamentare, piratët kritikuan ministren kristiandemokrate Ursula von der Leyen me një lojë fjalësh ("Zensursula"), pasi në luftën kundër pornografisë me fëmijë, ajo donte të shtonte bllokimet për hyrje në internet. Një fushatë, që i bëri piratët të njohur në gjithë Gjermaninë.

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Nënqeshjet e profesionistëve të politikës të mbledhur në sallë, tregojnë se ata nuk kanë më besim në të ardhmen e piratëve, të cilët pas suksesit të shkurtër, aktualisht kanë vetëm 3 për qind në anketime. Natyrisht, thotë Reyes, këtë herë ata do të zhvillojnë edhe një fushatë tematike: qytetarët dhe të drejtat themelore, demokracia digjitale, transparenca dhe integriteti i politikës. Por profesori i politikës Werner Weidenfeld i konsideron piratët si një "fenomen" të përkohshëm, për produktin e "reve të komunikimit, që grumbullohen mbi vendin tonë dhe pastaj largohen". Piratët kanë vetëm 400.000 euro për fushatën e tyre elektorale. Socialdemokratët, me buxhetin më të madh, kanë 23 milionë.

Rreth tre muaj para zgjedhjeve për parlamentin federal, në fondacionin e afërt me ekologjistët gjermanë, Heinrich-Böll-Stiftung, diskutuan në Berlin përfaqësues të partive, politologë dhe ekspertë të medieve, rreth strategjive elektorale 2013. "A do t'ia dalë Merkel të fitojë sërish me strategjinë e saj të demobilizimit?", ishte pyetja qendrore. Ose edhe më provokuese: "Sa votues potenciale të kampit kundërshtar mund të bëjë për vete kancelarja duke vjedhur tema të ekologjistëve dhe socialdemokratëve?"

"Si në dhomën e ftohjes"

Këshilltari për çështje të politikës, Werner Weidenfeld, ka përjetuar së fundi disa muaj fushatë të nxehtë elektorale në Izrael. Në politikën e brendshme gjermane ai ndihet aktualisht "si në dhomën e ftohjes". Studiuesit e zgjedhjeve e dinë se një fushatë elektorale monotone dhe e varfër në konflikte e ndihmon mjaft kancelaren me popullaritet. Sa më pak qytetarë të ndihen të sfiduar për të shkuar në qendrat e votimit, aq më shumë përfiton "kampi konservator" i CDU, CSU dhe FDP. Llogaria e kancelares është: të mos ofrojë mundësi sulmi, të bëjë për vete kërkesa popullore të kundërshtarëve, të injorojë sa të jetë e mundur kandidatin socialdemokrat për kancelar dhe të shijojë gabimet e tij retorike.

Pamje nga kongresi i Partisë së Piratëve (11.05.2013)

Pamje nga kongresi i Partisë së Piratëve (11.05.2013)

Në debat përmendet fjala "oqean i rastësisë", në të cilin lundrojnë partitë. Kujtohet një deklaratë e famshme në një intervistë të kancelares nga viti 2010: "Unë jam herë liberale, herë konservatore e herë kristiansociale. Kjo është ajo që karakterizon CDU-në."

Për fat të keq CDU nuk ka dërguar përfaqësues nga qendra e fushatës së saj elektorale, për ta korigjuar këtë imazh. Në sallë është vetëm Peter Radunski, i cili deri në 1990 ka menaxhuar disa nga fushatat elektorale të CDU-së nën drejtimin e Helmut Kohl-it. Atij nuk i kujtohet asnjë kandidat për kancelar para Angela Merkelit, që të "të jetë përballur me kaq pak konkurrence".

Si mund të mobilizohen zgjedhësit kundër një kancelareje që duket superiore, që po bën për vete edhe më shumë simpati nga zgjedhësit në menaxhimin e situatës së përmbytjeve?

"Duke qendruar pranë njerëzve", mendon Hans-Roland Fässler nga drejtimi i fushatës elektorale të SPD-së, e cila në fushatën e saj ka planifikuar rreth 4 milionë vizita në shtëpi. Me vendosmëri do të bëhet fushatë për kandidatin për kancelar Peer Steinbrück dhe mesazhin themelor të një shoqëria solidare, edhe pse socialdemokratët sipas sondazheve janë aktualisht qartë nën 30 për qind dhe nuk do të arrinin asnjë shumicë as në koalicion me të gjelbrit. Gabimet në komunikim të kandidatit për kancelar nuk do të përsëriten, jep kurajo njeriu i SPD-së. Kandidati socialdemokrat për kancelar sapo ka pushuar nga puna zëdhënësin e tij të shtypit.

Ndershmëria e rrezikshme e të gjelbërve

Të gjelbrit mbështeten tek besueshmëria. Sipas sondazheve ata vlerësohen nga qytetarët si partia më e ndershme. Robert Heinrich nga qendra e fushatës elektorale të partisë ekologjike, thekson se zgjedhësve do t'u jepet "verë e pastër", edhe sa i takon rritjes së taksave. Nuk do të ketë zbrapsje. Kjo është e rrezikshme, mendon politologu Ralf Tils nga Agjencia për Strategji Politike (APOS). Pasi rritjet e tatimeve për ata që fitojnë mirë, rëndojnë edhe mbi zgjedhësit tradicionalë të të gjelbërve. Nëse do të mund të mobilizojnë zgjedhës të rinj me ulje të taksave për shtresat më të varfra, kjo mbetet të shihet.

Matthias Höhn nga partia E Majta thotë se partia e tij synon të arrijë atë pjesë të popullsisë gjermane e cila nuk pret më asgjë nga zgjedhjet: "Në disa qytete lindore, politikanët nuk i durojnë më", thotë Höhn.

Ndërsa politikani liberal Dennis Schmidt-Bordemann sheh në temën e rëndësishme të stabilitetit të euros, avantazhe në kompetencë për demokratët e lirë të FDP-së.

Në foto, Steinbrück und Merkel

Në foto, Steinbrück und Merkel

Në një mendje janë pjesëmarrësit e debatit për faktin se numri i zgjedhësve të cilët zgjedhin gjithnjë të njëjtën parti, është në rënie. Gjithnjë e më shumë gjermanë vendosin vetëm rrugës për në qendrën e votimit se ku do ta vendosin kryqin e tyre. Për partitë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm luan interneti, jo edhe aq për t'iu drejtuar direkt zgjedhësve si në SHBA se sa për mobilizimin e përkrahësve.

Karta fituese e Merkelit: euro-egoizmi

Me Merkelin gjermanët ndihen në duar të sigurta, thotë politologu Ralf Tils. Kundër këtij euro-egoizimi është e vështirë të shënosh pikë. Përballë tij zbehen edhe dyshimet rreth besueshmërisë së kancelares në tema të tjera si p.sh. ndryshimi i saj në favor të frenës për qeratë e shtëpive, që fillimisht ishte një ide e socialdemokratëve. "Gjermanëve u pëlqen Merkeli, pasi ajo është si ata". Tek socialdemokratët ata druhen se mund të sillen me mendjelehtësi me paratë. Merkel, thotë Tils, do të mbetet kancelare, pavarësisht nga konstelacioni. Për Merkelin madje një koalicion i madh me SPD-në do të ishte i preferuar pasi përvoja nga 2005 deri 2009 ka qenë e mirë. Madje edhe përfaqësuesi i FDP-së Schmidt-Bordemann beson: "Zonja Merkel ka tendencë të preferojë koalicionin e madh."

Ku janë pikat e dobëta të kancelares? Këshilltari për çështje politike Weidenfeld sheh një anë negative edhe tek qendrimi i gjatë i Merkelit në post, para së gjithash sepse çështja e pasuesit është krejt e hapur. Dhe "socialdemokratizimi" i Merkel nxit konkurrencën nga krahu i djathtë, siç ka ndodhur së fundi me Alternativën për Gjermaninë. Partia konservatore mbledh në radhët e saj kritikë të shpëtimit të euros.