1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Në diskutim nuk janë vetëm shifrat" - Para fillimit të bisedimeve të çarmatimit SHBA - Rusi

Prej sot (18.5.) SHBA dhe Rusia zhvillojnë bisedime për një marrëveshje të re për reduktimin e armëve strategjike atomike. Kjo marrëveshje zëvendëson marrëveshjen START të vitit 1991, e cila skadon në fund të vitit.

Presidenti i SHBA, Xhorxh Bush dhe presidenti sovjetik, Mihail Gorbaçov nënshkruajnë më 31.07.1991 në Moskë marrëveshjen START I, e cila tani do të zëvendësohet

Presidenti i SHBA, Xhorxh Bush dhe presidenti sovjetik, Mihail Gorbaçov nënshkruajnë më 31.07.1991 në Moskë marrëveshjen START I, e cila tani do të zëvendësohet

Të shtunën e kaluar, më 8 maj, Rusia festoi me një paradë ushtarake në Sheshin e Kuq në Moskë fitoren ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e II Botërore. Krenaria e trupave ushtarake: Topol M, një raketë e lëvizshme ndërkontinentale me predha të pajisura me lëndë atomike. Provat e para me këtë raketë u kryen në vitin 2004 dhe për presidentin Dimitri Medvedjev ajo është shtyllë e rëndësishme për mbrojtjen e vendit në të ardhmen:

"Detyra e parë është shtimi i gatishmërisë luftarake të trupave të ushtrisë. Kjo duhet bërë para së gjithash përmes armëve atomike strategjike. Ato duhet t'i plotësojnë me siguri të gjitha detyrat e tyre për të garantuar sigurinë ushtarake të shtetit tonë."

Çarmatim dhe modernizim i njëkohëshëm? Sipas Fjodor Lukjanovit, kryeredaktor i revistës së Moskës "Rusia në politikën botërore“ kjo nuk përbën ndonjë kontradiktë:

"Për të frikësuar nuk janë të nevojshme kaq shumë raketa dhe koka me mbushje bërthamore sa ka tani. Ato mund të përgjysmohen lirisht. Por armët atomike nuk do të zhduken krejtësisht, sepse për Rusinë ato janë garancia më e rëndësishme për sigurinë.“

Kjo sepse SHBA ka shumë më tepër armë konvencionale se Rusia dhe edhe në fushën e armëve bërthamore Moska ka më tepër armë në letër se sa në realitet. Sipas ekspertëve, sasi të mëdha të arsenalit gjigand të armëve bërthamore ruse janë vjetëruar. Për këtë Rusisë i vjen për shtat, që presidenti amerikan Barack Obama dhe shefi i Kremlinit Medvedjev mendojnë që ta reduktojnë në 1500 numrin e kokave me mbushje bërthamore. Sipas Aleksander Nikitin, Drejtor i Qendrës për Sigurinë Euroatlantike në Moskë:

"Eshtë shumë e qartë se shumë raketa janë të vjetëruara dhe të vjetrat duhet të zëvendësohen me të reja. Prandaj Rusia mund të mbështetet para së gjithash te raketat Topol dhe Topol M të arsenalit të saj. Po këto janë disa qindra dhe jo mijëra.“

START I, SORT, KSE, INF – që prej luftës së ftohtë Rusia dhe SHBA janë të lidhura me njëra-tjetrën me një xhungël të vërtetë marrëveshjesh ushtarake. Po ashtu të dyja palët e kanë vënë re se frikësimi ushtarak mund të jetë efektiv edhe me më pak se sa me mbi 3.000 kokat me mbushje bërthamore për secilën palë.

Në vitin 2002 presidentët Bush dhe Putin ranë dakord për një reduktim të predhave me mbushje bërthamore të gatshme për përdorim në 2.200 copë. Tani Medvedevi dhe Obama duan që ta reduktojnë edhe më tej këtë sasi.

Por sipas kryeredaktorit të revistës së Moskës "Rusia në politikën botërore“ Fjodor Lukjanovit, Rusia nuk e ka hallin tek shifrat. Moska ka nevojë për një marrëveshje të re, sepse:

"Ndryshe ekziston rreziku që SHBA t'i lërë marrëveshjet thjesht që të skadojnë dhe të bëjë pastaj si të dojë. Për Rusinë nuk ka mjet tjetër për të ushtruar kontroll ndaj SHBA-së, me këtë SHBA do të kishte krejtësisht dorë të lirë."

Përveç detajeve teknike në bisedime do të diskutohet edhe për sistemin amerikan të mbrojtjes ndaj raketave. Edhe pse presidenti Obama ka dhönë shenja gatishmërie për kompromis në lidhje me sistemin e mbrojtjes ndaj raketave të nxitur nga paraardhësi i tij Bushi, Rusia mendon se bazat për këtë sistem, të planifikuara për t'u ngritur në Poloni dhe Çeki drejtohen kundër saj. Në bisedimet për çarmartim mes dy vendeve ka mjaft potencial për konflikte dhe për këtë periudha deri në dhjetor kur skadon marrëveshja e deritanishme "Start" duket e shkurtër.

Autor: Erik Albreht/ Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 18.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HsXQ
  • Data 18.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HsXQ