1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Në dilemë - Turqia dhe IS

Për shkak të përdorimit të territorit turk nga IS në Siri qeveria turke bie nën presion brenda dhe jashtë vendit. SHBA këmbëngulin për pjesëmarrjen e Turqisë në një aleancë kundër IS. Ankaraja shmang premtimet e qarta.

Kur luftëtarët e IS morën në qershor Mosulin në veri të Irakut, diplomatët në konsullatën turke të qytetit hezituan shumë gjatë. Xhihadistët rrethuan përfaqësinë dhe kërcënuan me të shtëna. Pas pak turqit u dorëzuan. 49 vetë, diplomatët, punonjësit konsullorë dhe anëtarët e familjeve të tyre, ndër ta edhe disa fëmijë, u morën peng nga IS.

Për të shmangur debatin publik mbi pengmarrjen, qeveria turke bllokoi lajmet. Por disa depërtuan në publik. Sipas partisë opozitare CHP pengjet janë duke u mbajtur në tre grupe të veçanta, për të vështirësuar përpjekjet për çlirimin e tyre. Qeveria e kryeministrit Ahmet Davutoglu thotë se ajo e di vendndodhjen e të burgosurve, por kthimi i shpejtë i tyre në shtëpi nuk mund të pritet.

Ankara është gabuar në vlerësimin e IS

Ankaraja e konsideroi fillimisht IS si grup, që luftonte si kundër presidentit sirian Bashar al-Assad, ashtu edhe kundër aspiratave kurde për autonomi në Siri, por të cilin nuk e merrte seriozisht, shkruan kolumnisti Rusen Cakir në gazetën Vatan. Në kuadër të mbështetjes së Turqisë për kundërshtarët e Asadit grupet ekstremiste si IS përfituan nga fakti se autoritetet turke nuk i shikonin me vemendje lëvizjet në kufirin me Sirinë.

Kämpfer des IS in der syrischen Stadt Raqqa

Luftëtarë të IS në qytetin Raqqa

Luftëtarët nga Lindja e Mesme, Kaukazi dhe Perëndimi mundën të shkojnë vitet e fundit nëpërmjet Turqisë në Siri, ku ata iu bashkuan IS, apo grupeve të tjera të armatosura islamike. Edhe armët hynin në këtë mënyrë në Sirinë në luftë civile.

Armë dhe luftëtarë në njerën anë, naftë në anën tjetër

Por të paktën për furnizimin me luftëtarë të huaj për IS-in Perëndimi mban po ashtu përgjegjësi, i tha një insider në Ankara Deutsche Welles. Me 30 milionë turistë në vit autoritetet turke të sigurisë nuk do të mund të dinë, se kush maskohet si turist, por në fakt synon të shkojë në luftë. Luftëtarët e IS shpesh udhëtojnë legalisht me pasaportat e tyre të BE-së në Turqi dhe më pas me grupe të vogla nxirren përtej kufirit në Siri, siç shkruante guvernatori i provincës turke kufitare Hatay, Celalettin Lekesiz, në një raport në pranverë, i cili kishte depërtuar në media. Vetëm javën e kaluar u njoftua se një shtetas 20-vjeçar gjerman ishte arrestuar duke u përpjekur të kalojë nga Turqia në Siri si luftëtar i IS.

Ndërsa luftëtarët dhe armët hyjnë nëpërmjet Turqisë në Siri, në drejtimin e kundërt tonelata me karburant kontrabandohen për në Turqi nga zonat e kontrolluara prej IS në Siri. Në kamionë, tuba plastike dhe fuçi plastike malli i kontrabanduar kalon kufirin. Sipas të dhënave të veta ushtria turke ka kapur së fundi në rajonin kufitar brenda vetëm dy javësh më shumë se 15 tonë naftë nga Siria. Sipas njoftimeve të medias IS fiton me kontrabandën deri në 15 milionë dollarë në muaj.

Ndryshon mendimi në Ankara

Ndërkohë qëndrimi turk ndaj IS po ndryshon. Një arsye për këtë është se përparimi i xhihadistëve në Irak i ka dëmtuar rëndë eksportet turke atje. Njëkohësisht kohët e fundit është shtuar kritika e partnerëve perëndimorë për qëndrimin e dobët të Turqisë ndaj IS. Përveç kësaj qeveria turke ka frikë se IS mund të fillojë me sulme terroriste në Turqi, shkruan Ülgen Sinan, shefi i institutit të studimeve EDAM në Stamboll, në një analizë të kohëve të fundit.

Si pasojë Turqia e ka forcuar kontrollin përgjatë kufirit 900 kilometer me Sirinë. Sipas Ülgen qeveria turke e ka zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme ndalimin e udhëtimit për xhihadistët e dyshuar nga jashtë shtetit. Nga rreth një mijë vetë në fillim të vitit në 5300 gjashtë muaj më vonë.

Zënia e pengjeve e ngushton rrezen e veprimit të Turqisë

Ekspertët si Ülgen rekomandojnë një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet shërbimeve sekrete turke dhe atyre perëndimore. Por përsa u përket hapave të tjerë, si ato ushtarakë kundër IS, Ankaraja është zënë ngushtë për shkak të pengjeve në Mossul, shkruan kolumnisti Cakir.

Sepse IS përdor pengjet për të penguar Turqinë në veprimet e saj kundër milicëve. "Turqia i ka duart të lidhura", thotë për Deutsche Wellen eksperti i Lindjes së Mesme, Serdar Erdurmaz, i Universitetit Hasan Kalyoncu në qytetin Gaziantep në Turqinë juglindore. "Një veprim i gabuar i Ankarasë dhe pengjet mund të vdesin." Sidomos pas videove me prerjet e kokave asnjë politikan në Ankara nuk do që të rrezikojë.

Roli i Ankarasë në frontin anti-IS është i pasigurtë

Pa premtime të qarta: Ministri amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel dhe Rexhep Taip Erdogan

Pa premtime të qarta: Ministri amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel dhe Rexhep Taip Erdogan në Ankara

Me kufirin e saj të gjatë me Sirinë dhe Irakun Turqia ka mundur të luajë një rol kyç në frontin ndërkombëtar anti-IS. Por shqetësimi për jetën e pengjeve, si dhe toleranca turke ndaj grupeve si IS në vitet e fundit, bën që roli i Turqisë të duket i pasigurtë. Politikanët qeveritarë turq kanë qenë të sigurtë për vite të tëra, se janë në gjendje të kontrollojnë organizata si IS, i tha Deutsche Welles një përfaqësues perëndimor në Turqi.

Sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel, i cili u takua të hënën (08.09.2014) në Ankara me presidentin Rexhep Taip Erdogan, tha se Turqia është një partner i domosdoshëm në luftën kundër IS. Por angazhime konkrete Hagel nuk ka marrë me sa duket nga Erdogani. Sipas njoftimeve të shtypit Turqia lejon përdorimin e bazës ajrore Inçirlik rreth njëqind kilometra në perëndim të kufirit me Sirinë për fluturime të paarmatosura zbulimi të Shteteve të Bashkuara mbi Irak. Megjithatë Ankaraja nuk ka miratuar misionet luftarake nga toka turke, njoftoi Washington Post. Siç la të kuptohet Hagel pas takimit me Erdoganin, Shtetet e Bashkuara llogarisin që Turqia edhe në të ardhmen do të jetë shumë e rezervuar me ndihmën aktive. Çdo vend në aleancën anti-IS ka "kufizimet e veta", tha ai. "Ne duhet t'i respektojmë ato."