1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në Bruksel sot bisedohet për pikëkalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak

Në kuadër të dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit dje në Bruksel u arrit marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave universitare. Përparim është shënuar dhe përfaqësimin e Kosovës në takime ndërkombëtare.

Delegacioni kosovar në raundin e gjashtë të bisedimeve Kosovë-Serbi.

Kjo temë si dhe çështja e menaxhimi të integruar të kufinjve do të jetë në agjendën e ditës së dytë të dialogut që po zhvillohet në ndërtesën e Këshillit të BE-së në Bruksel. Vazhdimi i dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës shënoi përparim sa i përket njohjes së diplomave universitare. Të dy palët arritën një marrëveshje për pranimin e diplomave të cilat nuk do të përmbajnë simbolet e statusit. Pjesa më e madhe e diskutimeve në ditën e parë të raundit të shtatë të dialogut iu kushtua çështjes së përfaqësimit të Kosovës në forumet rajonale. Ndërkohë që Prishtina nga njëra anë insiston në përfaqësimin e saj të barabartë, Beogradi këmbëngul që të ketë një asimetri të qartë në mes të Prishtinës dhe pjesëmarrësve të tjerë.

Palët vazhdojnë në “linjën e tyre të vjetër"

Kur flitet për menaxhimin e integruar të kufijve, ai sipas kreut të delegacionit të Prishtinës, Edita Tahiri është një model evropian që parashikon një marrëveshje midis dy shteteve për të bashkëpunuar në menaxhimin e kufijve shtetërorë, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe si i tillë ai është i pranueshëm për Prishtinën. Megjithatë, Borislav Stefanoviq, i cili i prin delegacionit të Beogradit tha se sa i përket kësaj çështjeje, është e qartë se vështirë se do të ketë afrim të qëndrimeve:

Kryetarja e delegacionit kosovoar, Edita Tahiri.

Kryetarja e delegacionit kosovoar, Edita Tahiri.

"Për ne, vija administrative në asnjë mënyrë nuk mund të fitojë karakteristikat e kufirit shtetëror dhe as kalimet administrative nuk mund të jenë kalime kufitare. Prishtina kërkon simbolet e veta, gurin e saj të kufirit, kontrollin e hyrje-daljeve... Qëndrimet tona janë këtu të qarta, ne nuk mund t'i pranojmë këto dhe para nesh kemi negociata të vështira".

Problem mbetet edhe aplikimi i marrëveshjeve

Delegacioni i Prishtinës thekson se shtetësia se Kosovës është realitet dhe problemi qëndron vetëm se si do ta pranojë këtë Serbia. Në të njëjtën kohë Edita Tahiri tha se nga pesë marrëveshjet e arritura në dialog deri tani aplikohet vetëm marrëveshja që ka të bëjë me lëvizjen e lirë të mallrave. Përgjegjësia për "zvarritjen dhe shmangies së përgjegjësisë" për zbatimin e marrëveshjeve hidhet kryesisht në Beograd.

"Sfida e tanishme është se si Serbia të aplikojë marrëveshjet e arritura. BE po vëzhgon me kujdes situatën dhe të gjithë i dinë përgjegjësitë e veta. Serbia duhet të konfirmojë gatishmërinë për zbatimin e marrëveshjeve, çka varet më shumë nga vullneti politik i autoriteteve në Beograd se nga bisedat që ne kemi me Stefanoviqin në tryezë", - deklaroi Tahiri.

Delegacioni i Beogradit u përgjigj se Serbia është e gatshme të përmbushë të gjitha ato për të cilat është rënë dakord dhe të punojë në atë drejtim, por asnjë nga zgjidhjet dhe përdorimi i tyre nuk duhet të cenojnë as Kushtetutën, as ligjet e Serbisë e as Rezolutën 1244 të OKB-së.

Autor: Marina Maksimoviq / Esat Ahmeti

Redaktoi: E. Xhani

DW.COM