1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në Bruksel rinis dialogu Prishtinë-Beograd

Në dialogun Prishtinë-Beograd diskutohet çështja e menaxhimit të integruar të kufirit Kosovë-Serbi. Sipas kryenegociatores së Prishtinës Edita Tahiri, Kosova dhe Serbia kanë përafruar qëndrimet për këtë.

Kryenegociatorja e Prishtinës në biseda me Serbinë, Edita Tahiri.

Kryenegociatorja e Prishtinës në biseda me Serbinë, Edita Tahiri.

Kosova dhe Serbia rinisin këtë  të henë dialogun, për të biseduar çështjen e bashkëpunimit rajonal, telekomin, energjinë për menaxhimin e integruar të kufijve, si dhe çështjen e kompletimit të planeve për implementimin e katër marrëveshjeve, që ende nuk janë duke u zbatuar e që janë: lëvizja e lirë, njohja reciproke e diplomave universitare, kthimi i dokumentacionit kadastral dhe regjistrave civilë. Mirëpo, kësaj radhe në takim theks i veçantë do t'i kushtohet çështjes së pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak, në veri të Kosovës. Sipas kryenegociatores së Prishtinës në biseda me Serbinë, Edita Tahiri, Kosova dhe Serbia kanë përafruar qëndrimet nga një ide e ndërmjetësit në këto biseda Robert Kuper, për një menaxhim të integruar të kufirit verior Kosovë-Serbi. Mirëpo, pala serbe akoma nuk e konfirmon nëse është pajtuar plotësisht me këtë ide të ndërmjetësit Robert Kuper.

Menaxhimi i integruar i kufirit Kosovë-Serbi model evropian

Kosova ka marrëveshje të tilla me vendet fqinje të saj. Menaxhimi i integruar i kufirit ka të bëjë me organizimin e pikave të përbashkëta doganore në kufij, pa e detyruar Serbinë që ta njohë Kosovën si shtet. Menaxhimi do të bëhej nga doganierët e Kosovës, ata misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, dhe doganierët e Serbisë. Për këtë çështje Edita Tahiri thotë:

shefi i delegacionit të Serbisë në biseda me Kosovën, Borisllav Stefanoviq

Shefi i delegacionit të Serbisë në biseda me Kosovën, Borisllav Stefanoviq

“Në këtë kuadër ne do të vazhdojmë të mbështesim dhe diskutojmë për këto çështje, por gjithnjë me garancat, që marrëveshja e bashkëpunimit midis dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë të nënshkruhet nga dy palët, si dhe nënshkrues të jetë edhe Bashkimi Evropian, për dallim nga herët tjera kur marrëveshjet kanë qenë bilaterale, por s'ka pasur nevojë për nënshkrim. Në këtë rast për shkak të specifikave të marrëdhënieve ndërfqinjësore me Serbinë, ne kemi kërkuar pra që garancat të jenë edhe të BE-së”, thotë Edita Tahiri.

Ndërkohë partitë politike opozitare kritikojnë ashpër qeverinë e Kosovës, e cila sipas tyre ka pranuar që në kuadër të dialogut teknik ta diskutojë çështjen e kufirit verior të Kosovës me Serbisë, duke e shkelur kështu një rezolutë të kuvendit të Kosovës, me të cilën thuhet qartë se çështja e kufijve të Kosovës nuk duhet të diskutohet me Serbinë.

Mirëpo kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se marrëveshja për menaxhim të integruar të kufirit me Serbinë është model evropian dhe nuk duhet ngatërruar atë me bisedimet për kufijtë: “Vetë fakti se Serbia po e pranon një koncept të tillë të diskutuar prej institucioneve të Kosovës me BE-në dhe SHBA-në, një koncept që është evropian, është njohje jo vetëm e kufirit, por mund të them se është edhe njohje e institucioneve të Republikës së Kosovës nga Serbia”, thotë kryeministri Thaçi.

Serbia nuk i njeh kufijtë e Kosovës

Ndërmjetësuesi në bisedime Robert Cooper

Ndërmjetësuesi në bisedime Robert Cooper

Mirëpo shefi i delegacionit të Serbisë në biseda me Kosovën, Borisllav Stefanoviq, ka thënë për mediat në Serbi se pala serbe ende nuk ka kurrfarë marrëveshjeje me palën nga Kosova. Borisllav Stefanoviq ka thënë se Serbia nuk i njeh kufijtë e Kosovës dhe se kjo marrëveshje, sipas tij, nuk ka të bëjë me menaxhimin e integruar të kufijve: “Nëse kjo do të jetë zgjidhje, me siguri se ajo nuk do të jetë për menaxhim të integruar të kufijve, sepse, për ne, kufijtë me Kosovën nuk ekzistojnë. Serbia kufirin me Kosovën e sheh vetëm si një vijë administrative”, ka thënë Borisllav Stefanoviq. Sipas tij, aktualisht po bisedohen shumë zgjidhje, por ende nuk ka një zgjidhje të vetme, siç pretendon pala kosovare në bisedime.

Qeveria e Serbisë në fund të javës, që shkoi, miratoi një dekret me të cilin përpiqet t'i mundësohet ekipit negociator që në bisedime me Kosovën të zbatohet një pjesë e marrëveshjes së arritur në Bruksel. Dekreti mundëson që Kosovës t'i jepen librat amëz, përkatësisht shënimet personale për qytetarët e saj. Kopjet e këtyre librave pas çertifikimit do t'i dërgohen Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara.

Fillimi i muajit të ardhshëm është afati, kur do vendoset, nëse Serbia do të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por kusht për këtë është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Kjo në radhë të parë nënkupton rifillimin e bisedimeve, por edhe lëvizjet konkrete për shtendosjen e situatës në veriun e Kosovës.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Esat Ahmeti

DW.COM

Audio dhe video për temën